Krie e parë
1 Kart e gjenneallogjisë Iisuit Krishtit të birit Dhavidhit, edhe të birit Avraamit.
2 Avraami polli Isaaknë, e Isaaku polli Iakovnë; e Iakovi polli Iudhënë edhe vëllazërit’ e tij.
3 E Iudha polli Faresnë edhe Zaranë nga Thamara, edhe Faresi polli Esromnë, e Esromi polli Aramnë.
4 E Arami polli Aminadhavnë, e Aminadhavi polli Naasonë, e Naasoni polli Sallmonë.
5 E Sallmoni polli Vooznë nga Rahavi; edhe Voozi polli Ovidhnë nga Ruthi; e Ovidhi polli Iesenë.
6 E Ieseu polli Mbretnë Dhavidh; e Mbreti Dhavidh polli Sollomonë nga gruaja e Uriut.
7 E Sollomoni polli Rovoamnë, e Rovoami polli Avianë, e Aviai polli Asanë.
8 E Asai polli Iosafatnë; e Iosafati polli Ioramnë, e Iorami polli Ozianë.
9 E Ozia polli Ioathamnë, e Ioathami polli Ahaznë, e Ahazi polli Ezeqianë.
10 E Ezeqia polli Manasinë, e Manasiu polli Amonë, e Amoni polli Iosianë.
11 E Iosia polli Iehonianë, edhe vëllazërit’ e tij kur i shpunë rop ndë Vavillonë.
12 E pas robëris’ ë Vavillonësë, Iehonia polli Sallathiilnë, e Sallathiili polli Zorovavelnë.
13 E Zorovaveli polli Aviudhnë, e Aviudhi polli Eliaqimnë, Eliaqimi polli Azorë.
14 E Azori polli Sadhoknë, e Sadhoku polli Ahimnë, e Ahimi polli Eliudhnë.
15 E Eliudhi polli Eleazarnë, e Eleazari polli Matthanë; e Matthani polli Iakovnë.
16 E Iakovi polli Iosifnë, burrën’ e Mariasë, që nga ajo u le Iisui që quhetë Krisht.
17 Gjithë brezatë adha që nga Avraami e ngjer te Dhavidhi janë breza katërmbëdhjetë e që nga Dhavidhi e ngjera mbë të ikurë të Vavillonësë janë breza katërmbëdhjetë, e nga të ikurit’ e Vavillonësë ngjera te Krishti, janë breza katërmbëdhjetë.
18 E të leritë e Iisuit Krishtit u bë kështu, sepse u aravonis mëma e tij Maria me Iosifnë, pa bashkuarë fare u gjënd me barrë nga Shënti Shpirt.
19 E Iosifi burr’ i saj sepse qe i drejtë, e nukë duaj ta tregon atë, vuri ndër mënd ta lij atë fshehura e të ikën.
20 E tek mëndonej këto me vetehë të tij, na e ju duk atij mbë gjumë Engjëll’ i Zotit, e i tha: Iosif, i biri Dhavidhit, mos u friko të març me vetëhe gruanë tate Marianë. Se ajo që u bë nde ajo, është nga Shënt Shpirt.
21 E do të pjellë djalë e t’i vëç ëmërinë Iisu, sepse ai do të lefterosjë llaon’ e tij nga fajet’ e ture.
22 Edhe gjithë këjo u bë që të paguhetë ajo që u tha nga Zoti me anë të Profitit që thotë:
23 Ja Vashëza do të bënetë me barrë, e do të pjellë djalë edhe do ta thonë ëmërit’ e tij Emanuil, që do të thotë Perndia me nevet.
24 E si u ngre Iosifi nga gjumi, bëri si e porsiti Ëngjëll’ i Zotit, e muar me vetëhe gruan’ e tij.
25 E nuk’ e njohu atë fare, ngjera sa polli djalën’ e saj të parën’ e të vetëminë, e i vuri ëmërin’ e tij Iisu.
Breznitë e Jezu Krishtit
(Lk 3.23-38)1 Libri i breznive të Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.
2 Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. 3 Judës i lindën prej Tamarës Faresi e Zara, Faresit i lindi Hesromi, Hesromit i lindi Arami, 4 Aramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salmoni, 5 Salmonit i lindi Boezi prej Rahabës, Boezit i lindi Jobedi prej Rutës, Jobedit i lindi Jeseu, 6 Jeseut i lindi Davidi, mbreti.
Davidit i lindi Solomoni nga gruaja e Uriahut, 7 Solomonit i lindi Roboami, Roboamit i lindi Abiu, Abiut i lindi Asafi, 8 Asafit i lindi Josafati, Josafatit i lindi Jorami, Joramit i lindi Ozia, 9 Ozisë i lindi Joatami, Joatamit i lindi Akazi, Akazit i lindi Ezekia, 10 Ezekisë i lindi Manaseu, Manaseut i lindi Amosi, Amosit i lindi Josia, 11 Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni.
12 Pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli, Salatielit i lindi Zorobabeli, 13 Zorobabelit i lindi Abiudi, Abiudit i lindi Eliakimi, Eliakimit i lindi Azori, 14 Azorit i lindi Sadoku, Sadokut i lindi Akimi, Akimit i lindi Eliudi, 15 Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matani, të cilit i lindi Jakobi. 16 Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezui, i quajtur Krisht.
17 Breznitë nga Abrahami deri te Davidi janë gjithsej katërmbëdhjetë, nga Davidi deri te shpërngulja në Babiloni katërmbëdhjetë dhe nga shpërngulja në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë brezni.
Lindja e Jezu Krishtit
(Lk 2.1-7)18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të bashkoheshin, ajo mbeti shtatzënë nga Shpirti i shenjtë. 19 Meqenëse Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë e nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi. 20 Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. 21 Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre».
22 E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit:
23 virgjëresha do të ngjizet
e do të lindë një djalë
që do të quhet Emanuel,
që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne.
24 Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, 25 por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin , të cilit Jozefi ia vuri emrin Jezu.