Krie e nëntëmbëdhjetëtë
1 E si hiri ndë Ieriho, shkonte ndëpërmes të qutetit.
2 E ja, një njeri që quhej Zakheo, e ai ishte i pari i kumerqarëvet, e ishte shum’ i pasurë.
3 E dëshëron të shih Iisunë ndë faqe, e nukë mund nga turma, sepse qe i vogëlë ndë shtat.
4 E shkoi përpara e hipi mbë një manezë, ta shih atë, se nga ajo udhë duaj të shkon.
5 E si erdhi mb’atë vënd, ngrijti sitë Iisui e e pa atë, e i thotë: Zakheo, shpejto, zbrit mbë dhe, se sot do të koneps ndë shtëpi tënde.
6 E zbriti me të shpejta, e e priti atë me gëzim.
7 E si panë këtë, murmurisnë gjithë, e thoshnë, që: Vate të konepjsë ndë shtëpi të njëit njeriut fajëtorit.
8 E Zakheua dolli përpara Zotit, e i thotë: Ja që unë, o Zot, gjismën’ e gjërit sim e ap mbë të varfërë. E nd’i kam marrë njeriut gjë më tepër nga haka, ja ap prapë katër pjesë.
9 Edhe Iisui i thot’ atij: Sot këjo shtëpi mori shpëtimnë, sepse edhe kij i biri Avraamit është.
10 Se i biri njeriut erdhi të kërkojë e të sosjë ata që qenë të humburë.
11 E si digjuanë ata këto, shtoi e tha një paravoli, sepse ishte ai afër Ierusalimit, e sepse besoijn’ ata se atë çast duaj të çfaqej mbretëria e Perndisë.
12 Tha dha: Një njeri bujar vate ndë një vënd të largë të mirr një mbretëri për vetëhe të tij, e të kthenej pagjene.
13 E si thirri dhjetë nga shërbëtorët’ e tij, u dha ature dhjetë mnara, e u thot’ ature: Punoni këto ngjera sa të kthenem.
14 E fshatarët’ e tij nuk’ e duajnë atë, e dërguanë pleqësi pas tij, e thoshnë: Nukë duamë këtë të mbretërojë mbë nevet.
15 E si mori mbretërinë e u kthie, porsiti të thërrisnë tek ai këta shërbëtorë, që u kish dhënë asprëtë, të mpson se ç’fitim kish bënë gjithëkush.
16 E vjen i pari e thotë: Zot, mnaja jote çoi dhjetë të tjera.
17 E i thot’ atij: Mirë për ti, kopil i besuarë, sepse ndë të pakënë u bëre i besësë. Do të jeç zot ndë dhjetë qutete.
18 E vjen i diti, e thotë: Zot, mnaja jote, çoi pesë mnara.
19 E i tha edhe atij: Edhe tij do të jeç zot ndë pesë qutete.
20 E vjen tjatër, e thotë: Zot, ja mnaja jote, që e ruajta pështjellë ndë një destemel.
21 Sepse u trëmbçë tij, se je njeri i ashprë, ngrë atë që nukë vure, e kuarr atë që nukë mbolle.
22 E i thot’ atij: Nga fjala ote do të të gjukoj ti, shërbëtor i lig, e dije që jam unë njeri i ashprë, e ngrë atë që s’vura, e kuarr atë që nukë mbolla.
23 E pse nukë dhe asprët’ e mia nde sarafi, që ndë të kthierë tim dojë t’i marrë me dhjafuar?
24 E u thot’ ature që qenë përpara: Merri nga ai mnanë, e epjani atij që ka të dhjetë mnatë.
25 E ju përgjegjnë atij: Zot, ai ka dhjetë mnara.
26 E u thom juvet, që cilitdo që ka do t’i ipetë, e nga ai që s’ka, edhe ajo që ka, do të mirretë prej si.
27 Po sa për ata hasmërit’ e mi, që nukë deshnë të mbretëroj mbë ta, birmëni këtu, e theri përpara meje.
28 E si tha këto, shkonte përpara së tjerëvet, e hipën ndë Ierusalim.
29 E kur u afërua ndë Vithfagji e ndë Vithani, ndë mal që thuhetë i ullinjet, dërgoi di nga mathitit’ e tij.
30 E u tha: Hajdeni ndë fshat të përtejme, e si të hini atje, do të gjeni një kroç lidhurë, që edhe s’ka hipurë mbi të njeri. Zgjidhnie atë, e birmani këtu.
31 E nd’u pietë njeri juvet: Pse e zgjidhni? Kështu do t’i thoi atij, se i duhetë zotit së tij.
32 E si vanë ata që i dërgoi, e gjenë sikundr’ u tha ature.
33 E kur zgjidhnë ata kroçnë, u than’ ature zotërinjt’ e tij: Pse e zgjidhni kroçnë?
34 Edhe ata u thanë, që: zotit së tij i duhetë.
35 E e prunë atë tek Iisui, e si shtinë ata rrobat’ e ture mbi kroçnë, hipnë mbi të Iisunë.
36 E ateje që shkonte ai, shtroijnë bota rrobat’ e ture mb’udhë.
37 E kur u qas ai mbë të zbriturë të malit së ullinjet, nisnë gjithë turma e mathitivet të lëvdoijnë Perndinë tuke gëzuarë me zë të madh për gjith’ ato çudira që panë.
38 E thoshnë: I bekuarë mbreti, ai që vjen mbë ëmër të Zotit, paq ndër Qiell, e lëvdim ndë më të lartë.
39 E ca nga Farisejtë bashkuarë me turmë i thon’ atij: Dhaskal, qërto mathitit’ e tua.
40 E ju përgjegj ature, e u tha: U thom juvet, që ndë pushofçinë këta, do të thërresënë gurëtë.
41 E si u afërua e pa qutetnë, qau për të.
42 E tha, se: Të njohje edhe tij, edhe ndë këtë ditë, atë që vjen për të mirë tënde! Ma ndashti këjo është mbuluarë nga sit’ e tua.
43 Sepse do të vijënë dit për ti, kur të të pështjellënë hasmërit’ e tu me hendek, e të të mbulojënë rrotullë, e të të shtrëngojënë mbë të gjith’ anë.
44 E të të gremisjënë për dheut ti, edhe djelmt’ e tua me ti bashkë, e do të mos lënë tek teje gur mbi gur, sepse nukë njohë kohënë të parit që u bë tek teje.
45 E si hiri ndë Iero, zuri të kren jashtë ata që shitnë e bleijnë brënda mbë të.
46 E u thosh ature: Është shkruarë, shtëpia ime, është shtëpi e së falturit, e juvet e bëtë atë spile të kusarëvet.
47 E dhidhakste ngaditë ndë Iero. Po të parët’ e priftëret, edhe grammatejtë, edhe të parët’ e llaoit, kërkoijnë ta humbisnë atë.
48 E nukë dijnë se ç’të bëijnë për të, se gjithë llaoi rrijte me gojë hapëtë ta digjon atë.
Jezui dhe Zakeu
1 Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. 2 Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. 3 Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. 4 Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. 5 Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». 6 Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. 7 Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». 8 Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish». 9 Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10 Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».
Dhjetë monedhat
(Mt 25.14-30)
11 Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. 12 Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. 13 Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. 14 Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. 15 Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. 16 Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. 17 Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. 18 Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. 19 Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. 20 Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, 21 se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. 22 Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? 23 Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. 24 Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. 25 Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. 26 Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 27 Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».
Hyrja në Jerusalem
(Mt 21.1-11Mk 11.1-11Gjn 12.12-19)
28 Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem. 29 Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve 30 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni. 31 Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”». 32 Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai. 33 Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 34 Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të».
35 Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 36 Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. 37 Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. 38 Ata thoshin:
«Bekuar qoftë mbreti
që vjen në emër të Zotit!
Paqe në qiell
e lavdi në lartësitë e qiejve!».
39 Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». 40 Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin».
41 Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të 42 e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. 43 Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-17Mk 11.15-19Gjn 2.13-22)
45 Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty. 46 Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
është shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
47 Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin, 48 por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte.