1 Iudha, ropi i Iisu Hristoit, e vëllai i Iakovit, mb’ata që janë shënjtëruarë mbë Perndinë babanë, e të ruajturë të thirrë mbë Iisu Hristonë.
2 Le të shtonetë mbë juvet ndëjesa, paqi e dashuria.
3 Të dashurë, si paçë të madhe silloi t’u shkruajë juvet për shpëtim të gjithëvet bashkë, u gjëndçë shtrënguarë t’u shkruaj juvet, e t’u lutem që të lëftoni për besë që është dhënë shënjtorëvet njëherë.
4 Sepse hinë fshehura dica njerëz, për ata qe kohë që ishnë shkruarë mbë këtë dëm, të pabesë, ata dhurëtin’ e Perndisë sonë e kthejnë ndë kurvëri, e arnisenë të vetëminë që urdhëron, Perndinë e Zotnë tënë Iisu Hristonë.
5 Dua adha t’u kujtoj juvet, që patë mpsuarë njëherë këtë, se Zoti si shpëtoi llaonë nga vëndi i Egjiptosë, të ditënë i humbi ata që nukë besuanë.
6 Edhe Ëngjëjtë që nukë ruajtinë të lartët’ e ture, po lanë vëndn’ e ture, i ruan mbuluarë nd’errëcirë ndë zinçirë të pasosurë mbë gjuq të ditësë madhe.
7 Si Sodhomënë edhe Gomorrënë e qutetetë rrotullë ature, fajëtorëtë si edhe këta ndë kurvëri, e që vijënë prapa fajit së ndierë, u bënë ksomblë, tuke munduarë me një zjar të pasosurë.
8 Kështu edhe ata dëmëtojnë kurminë ndë ëndëra të ture, zotërinë shkeljënë, edhe dhoksatë i shajënë.
9 E Arhangjelloi Mihail, kur qërtoi me djallinë, e kuvëndoi për kurm të Moisiut, nukë guxoi të shtij sipër fjalë mallëkimit, po i tha: Të vuftë tij Zoti frë.
10 Ma këta sa nukë dinë, i shajnë, e si bagëti të pagoja, sa punëra dinë të fisit, mb’ato bëjënë prishëjën’ e ture.
11 Ve mbë ta, sepse kanë ecurë ndë udhë të Kainit, e ndë gënjeshtrë të pagësë Vallaamit janë gremisurë, e janë humburë ndë rebeli të Koreut.
12 Këta janë dhunëra ndë dashurira tuaj, tuke ndënjurë bashkë ndë mësallë pa turp, mbajnë vetëhen’ e ture; mjergulla të pauja, që i bie era tutje e tëhu, lisa të vjeshtësë, të papemë, vdekurë di herë, për të shkulurë nga rrënjatë.
13 Tallaze t’egra të detit, që shkumojënë tu(r)pet’ e ture, ulle të pllanepsura, për ata mjergull’ e zezë ruhetë për gjithë jetë.
14 E për këta profitepsi edhe Enohu, i shtati nga Adhami, e tha: Erdhi Zoti ja, me mijëra të shënjtorëvet së tij.
15 Të bëjë gjuq kondrë gjithëvet, e të rrahë faqenë të gjithëvet të pabesëvet të ture, për gjithë punëra të evsevisë ture që paramonisnë, e për gjithë fjalët’ e ashpra që folë kondrë tij fajëtorëtë, e të pabesëtë.
16 Këta janë murmunjatorë, mçeësh, që rrojënë sikundrë do oreksi ture. E gjuha e ture nxjer perifani, mburrëçorë dicavet njerëzet për të f(i)tuarë.
17 Ma juvet, o të dashurë, kujtoni fjalëtë që u patnë thënë më përpara Apostojt’ e Zotit sënë Iisu Hristoit.
18 Sepse u thoshnë juvet, që ndë kohë të pastajme do të vijënë përqeshësh, që do të rrojënë sikundr’ ësht’ oreksi i ture i paranomivet.
19 Këta janë që shquajnë vetëhenë si kafshë që nukë kanë Shpirt.
20 Ma juvet, o të dashurë, tuke stisurë vetëhenë tuaj mbë shumë të shënjtëruarënë besënë tuaj, lutuni me anë të Shënjtit Shpirt.
21 Mbai vetëhenë tuaj ndë dashuri të Perndisë, tuke shpërierë ndëjesën’ e Zotit sonë Iisu Hristoit ndë jetë të pasosurë.
22 E për ca t’u vijë keq tuke bërë dhiakris.
23 E ca t’i shpëtoni me frikë, tuke rrëmbierrë nga zjari, tuke urrierë edhe atë rrobën’ e kurmit të lerosurënë.
24 E mb’atë që ësht’ i fortë t’u ruajë juvet të pafaj, e t’u stisjë përpara nderit së tij pa katigori me gëzim.
25 Mbë të vetëminë sofonë Perndinë Sotirë tënë, le të jetë lëvdim, e madhëci, mbretëri e urdhër, edhe ndashti edhe ndë jetë pas jetet.
Ashtu qoftë!
Përshëndetje
1 Unë Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit e vëlla i Jakobit, po ju shkruaj juve, të thirrurve në besim, të dashur nga Perëndia Atë e të mbrojtur nga Jezu Krishti: 2 mëshira, paqja e dashuria u shtofshin ndër ju!
Gjykimi i mësuesve të rremë
(2Pj 2.1-17)
3 Fort të dashurit e mi, kisha një dëshirë të madhe t'ju shkruaj për shpëtimin tonë të përbashkët. Tani është e nevojshme t'ju shkruaj e t'ju nxis të luftoni për besimin që Perëndia ua dha të shenjtëve një herë e përgjithmonë. 4 Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar qëmoti për këtë dënim. Ata janë të pafe që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues e Zot tonin.
5 Ndonëse i dini të gjitha, dua t'ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij një herë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin. 6 Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe. 7 Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar.
8 Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore. 9 Kur rragatej me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!».
10 Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre. 11 Mjerë ata, se kanë marrë udhën e Kainit dhe nga etja për fitim janë dhënë pas mashtrimit të Balaamit dhe u shkatërruan, sepse ngritën krye si Koreu!
12 Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara e të shkulura nga rrënjët, 13 si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar.
14 Për këta ka profetizuar edhe Enoku, i shtati pas Adamit, dhe ka thënë: «Ja ku erdhi Zoti me dhjetëra mijëra engjëj, 15 për t'i gjykuar të gjithë e për të ndëshkuar të gjithë të pafetë për të gjitha veprat e liga që kanë bërë e për të gjitha fjalët fyese që thanë mëkatarët e pafe kundër tij».
16 Këta janë njerëz që murmurisin e ankohen për gjithçka. Ata jetojnë sipas dëshirave të tyre, goja e tyre flet fjalë krenarie dhe njerëzve u thurin lajka për përfitim.
Paralajmërime dhe këshilla
17 Ndërsa ju fort të dashur, kujtoni fjalët që ju kanë thënë më parë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht: 18 «Në kohët e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas dëshirave të tyre të shthurura». 19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarje, janë njerëz shqisorë dhe nuk e kanë Shpirtin.
20 Ndërsa ju, fort të dashurit e mi, ndërtojeni veten me besimin tuaj shumë të shenjtë e lutuni me fuqinë e Shpirtit të shenjtë. 21 Qëndroni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetën e amshuar. 22 Kini mëshirë për ata që janë me dy mendje. 23 Disa shpëtojini, duke i rrëmbyer prej zjarrit; të tjerët t'i mëshironi me druajtje, duke urryer edhe rrobën e tyre të ndotur nga epshet e trupit.
Bekimi
24 Atij që mund t'ju ruajë për të mos rënë në mëkat e që mund t'ju paraqesë pa të meta e plot gëzim para lavdisë së tij, 25 të vetmit Perëndi, shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, atij i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti që përpara shekujve, tani e për të gjithë shekujt! Amen!