Krie e tretë
1 E qe një njeri nga eresi i Farisejet, që quhej Nikodhimo, nga të parët’ e Çifutet.
2 Kij erdhi natënë tek Iisui, e i thot’ atij: Dhaskal, e dimë që je dërguarë nga Perndia për të dhidhaksurë, sepse ndonjë s’mund të bëjë këto thavmëra që bën ti, ndë mos paftë Perndinë me vetëhe.
3 E ju përgjegj Iisui, e i thot’ atij: Vërtet, vërtet të thom tij, ndë mos leftë njeri sipërit, nukë mund të shohë mbretërin’ e Perndisë.
4 I thot’ atij Nikodhimoi: Qish mund kurrë një njeri të lejë për së ditit kur është plak? Mos mund ai të hijë për së ditit ndë bark të mëmësë tij e të lejë përsëri?
5 Ju përgjegj Iisui: Vërtet, vërtet të thom tij, kush nukë len për së ditit prej ujit e prej Shpirtit Shënjtit, nukë mund të hijë ndë mbretëri të Perndisë.
6 Çdo që është lerë prej kurmit, kurm është, e çdo që është lerë prej Shpirtit, Shpirt është.
7 Mos u çudit ndë të thaçë tij, që duhetë të leheni juvet sipërit.
8 Era tek do frin, edhe zën’ e saj ja digjon, po nukë di nga vjen, edhe ku vete. Kështu është edhe cilido që është lerë prej Shpirtit.
9 Ju përgjegj Nikodhimoi, e i thot’ atij: Qish mundjënë të bënenë këto?
10 Ju përgjegj Iisui, e i thot’ atij: Ti je dhaskali i Israilit, e nukë kupëton këto?
11 Vërtet, vërtet të thom tij, se navet ato që dimë kuvëndojëmë, e ato që kemi parë martirisjëmë, e ju nuk’ ipni besë ndë martiri tonë.
12 E nd’është që u thaçë juvet për punëra të dheut, e nukë më besuatë, nd’u thafça juvet punërat’ e Qiellit do të besoni?
13 E ndonjë nukë hipi ndër Qiell, përveçme atij që zbriti nga Qielli, i biri njeriut, që është ndër Qiell.
14 E sikundrë ngrijti Moisiu gjarpërinë nd’erimi, kështu duhetë të ngrihetë edhe i biri njeriut.
15 Që të mos humbasë cilido që të besojë tek ai, po të ketë jetën’ e pasosurë.
16 Sepse Perndia kaqë e deshi botënë, saqë dha të bir’ e tij të vetëminë, që cilido që të besojë nde ai të mos humbasë, po të ketë jetën’ e pasosurë.
17 Sepse nukë dërgoi Perndia të bir’ e tij ndë botë, që të dëmëtojë botënë, po që të sosetë bota me anë të tij.
18 Ai që beson tek ai, nuk’ është dëmëtuarë; e ai që nukë beson, që ndashti është dëmëtuarë, sepse nukë besoi mbë ëmër të birit së Perndisë së vetëmit.
19 E të dëmëtuaritë është ndë këtë, se drita erdhi ndë botë, e njerëzitë deshnë më shumë erësirënë se dritënë, sepse qenë të këqia punërat’ e ture.
20 Sepse cilido që punon punëra të liga, nukë do dritënë, e nukë vjen afër dritësë, që të mos çfaqenë punërat’ e tij.
21 E ai që punon sikundrë ësht’ e vërteta, vjen afër dritësë, që të dukenë punërat’ e tij, që janë bërë si do Perndia.
22 Pasandaj vate Iisui edhe mathitit’ e tij ndë Iudheë, e atje ndënji bashkë me ta, e pagëzon.
23 Ishte edhe Ioanni që pagëzon mbë Enon, afër Salimit, sepse atje qenë ujëra shumë, e vijnë e pagëzonishnë.
24 Sepse nuk’ ish vënë edhe ndë hapsanë Ioanni.
25 E u bë qartë për të larë ndë mes të mathitivet së Ioannit edhe çifutet.
26 E vanë nde Ioanni, e i than’ atij: Dhaskal, ai që qe bashkë me ti përtej Iordhanit, që për atë dhe martiri ti, ja, kij pagëzon, e gjithë bota venë tek ai.
27 E u përgjegj Ioanni, e tha: Nukë mund të marrë njeriu ndonjë punë, ndë mos i është dhënë atij nga Qielli.
28 Juvet vetë më jini martirë, që thaçë, se: Nukë jam unë Krishti, po jam i dërguarë të shkoj përpara tij.
29 Ai që ka nusenë, dhëndër është; ma miku i dhëndërit që rri mbë këmbë për të digjuarë atij, mbushetë me gëzim për zë të dhëndërit. Kij adha gëzimi im ësht’ i sosurë.
30 Ai duhetë të rritetë, e unë të unjem.
31 Ai që vjen lartazit, është sipër mbi gjithë të tjerëtë. E ai që vjen nga dheu, ësht’ i dheut, e nga të dheut kuvëndon. Ai që vjen nga Qielli, është sipër mbi gjithë të tjerëtë.
32 E atë që ka parë e ka digjuarë, atë martiris; e ndonjë nukë ep besë ndë martiri të tij.
33 Ai që beson martirin’ e tij, dëfton që Perndia ësht’ e vërtetë.
34 Sepse ai që u dërgua nga Perndia, fjalët’ e Perndisë thotë; sepse Perndia nukë ja ep Shpirtinë me merë.
35 Babai e do të birë, e ja dha gjithë punëratë ndë dorë të tij.
36 Ai që beson nde i biri ka jetë të pasosurë, ma kush nukë ep besë mbë të birë, do të mos shohë jetë, po urgji e Perndisë mbetetë mbi të.
Jezui dhe Nikodemi
1 Mes farisenjve ishte një njeri që quhej Nikodem. Ky ishte njëri nga krerët e judenjve. 2 Ai shkoi natën te Jezui e i tha: «Mësues, e dimë se vjen nga Perëndia, se askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të». 3 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lindet përsëri , nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë». 4 Nikodemi i tha: «Si mund të lindet përsëri një njeri kur është i thyer në moshë? A mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës e të lindet përsëri?». 5 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji e nga Shpirti, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6 Çfarë lind nga njeriu është njerëzore, çfarë lind nga Shpirti është shpirtërore. 7 Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri”. 8 Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti». 9 Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?».
10 Jezui u përgjigj: «Ti je mësues i Izraelit e nuk i kupton këto gjëra? 11 Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë e dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. 12 Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t'ju flas për gjërat qiellore? 13 Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit . 14 Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut, 15 që kushdo që beson në të , të ketë jetën e amshuar. 16 Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. 17 Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij. 18 Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
19 Gjykimi është ky: drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, se veprat e tyre ishin të liga. 20 Kush bën gjëra të këqija e urren dritën e nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij. 21 Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë».
Jezui dhe Gjon Pagëzori
22 Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në krahinën e Judesë. Atje qëndroi për pak kohë me ta e pagëzonte. 23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, se atje kishte shumë ujë e njerëzit shkonin tek ai e pagëzoheshin. 24 Në atë kohë Gjoni nuk ishte burgosur ende.
25 Dishepujt e Gjonit filluan të diskutonin me një jude rreth ritit të pastrimit. 26 Ata shkuan te Gjoni e i thanë: «Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja, po pagëzon e të gjithë po shkojnë tek ai». 27 Gjoni u përgjigj: «Askush nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë prej qiellit. 28 Vetë ju keni qenë dëshmitarë kur thashë: “Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij”.
29 Ai që ka nusen është dhëndri, ndërsa miku i dhëndrit, që rri dhe e dëgjon, ngazëllehet nga zëri i dhëndrit. Ky pra është gëzimi im e tani është bërë i plotë. 30 Krishti duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem».
Ai që vjen nga lart
31 «Ai që vjen nga lart është mbi të gjithë, ndërsa ai që vjen nga toka është prej tokës e flet për gjërat e saj. Ai që vjen nga qielli është mbi të gjithë 32 dhe dëshmon për atë që ka parë e ka dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij. 33 Kush pranon dëshminë e tij, pohon se Perëndia është i vërtetë. 34 Ai që ka dërguar Perëndia, flet fjalët e Perëndisë, se Perëndia ia jep Shpirtin pa masë.
35 Ati e do Birin e i ka lënë gjithçka në dorë. 36 Kush beson në Birin, ka jetën e amshuar, ndërsa kush nuk i bindet Birit, nuk do ta shohë jetën, por mbetet nën zemërimin e Perëndisë».