Krie e pesëmbëdhjetëtë
1 Unë jam vështi i vërtetë, e jati im është bujku.
2 Çdo dhri që nukë bën tek u pemmë, e hedh posht’ atë. E çdo dhri që bën pemmë, e qëron atë, që të bëjë më shumë pemmë.
3 Ju ndashti jini të qëruarë me anë të fjalësë që u thaçë juvet.
4 Qëndroni mbë mua, edhe unë mbë ju. Sikundrë dhria nukë mund nga vetëheja të bëjë pemë ndë mos qëndroftë ndë vështë, kështu edhe juvet ndë mos qëndrofi tek u.
5 Unë jam vështi e juvet dhritë. Ai që qëndron mbë mua e mb’atë që qëndroj unë, kij bën shumë pemmë, sepse pa mua nukë mundni të bëni fare gjë.
6 Ai që të mos qëndrojë tek unë, do të hidhetë poshtë posi dhria e do të thahetë, e i mbëjedhënë ato e i vënë mbë zjar e digjenë.
7 Ndë qëndrofçi mbë mua, e fjalët’ e mia të qëndrojënë me juvet, çdofarë punë të doi e të kërkoni, do t’u bënetë juvet.
8 Mbë këtë u lëvdua babai im, që të bëni shumë pemmë, e të bëneni mathiti të mitë.
9 Sikundrë më deshi mua babai, ashtu edhe unë u desha juvet, qëndroni ndë dashuri time.
10 E ndë ruajtishi porsit’ e mia, do të qëndroni ndë dashuri time, sikundrë ruaj unë porsit’ e babait sim, e qëndroj ndë dashuri të tij.
11 Këto u thaçë juvet, që të gëzoni ju gëzimnë tim, e gëzimi juaj të jetë i plotë.
12 Këjo është porsia ime, që të doi njeri-jatërinë, sikundrë u desha juvet.
13 Ndonjë nukë ka më të madhe dashuri se këjo, që të lërë njeri kokënë për miq të tij.
14 Juvet miq të mitë jini ndë bëfçi ato që porsit unë juvet.
15 Nuk’ u thërres më juvet shërbëtorë, se shërbëtori nukë di se ç’bën zoti i tij, po unë u thaçë juvet miq, sepse gjith’ ato që digjova nga babai im, u dëftova juvet.
16 Juvet nukë më zgjuadhtë mua, po un’ u kam zgjedhurë juvet, e u vura juvet që të viji e të bëni pemmë, e pemma juaj të jet’ e duruaçme; e andaj çdo gjë që të kërkoni nga babai mbë ëmër tim, do t’ua apë juvet.
17 Këto u porsit juvet, që të doi njeri-jatërinë.
18 Ndë u urren juvet bota, e diji që përpara nga juvet më urreu mua.
19 Të jeshëtë prej botet, bota duaj të duan punën’ e saj; po sepse s’jini prej botësë, po un’ u kam zgjedhurë nga mesi botësë, andaj u urren juvet bota.
20 Mbani mënd fjalënë që u thaçë unë juvet: s’është kopil m’i madh se zoti i tij. Ndë ndoqnë mua, do të ndjekënë edhe juvet. Ndë ruajtinë fjalënë time, do të ruajnë edhe tuajnë.
21 Po gjithë këto do t’ua bëjënë juvet për sebep të ëmërit sim, sepse nuk’ e dinë atë që më dërgoi mua.
22 Të mos keshë ardhurë e të mos u keshë thën’ ature, do të mos kishnë faj; ma ndashti profas nukë kanë për faj të ture.
23 Ai që urren mua, edhe babanë tim urren.
24 Të mos keshë pasurë bërë mb’ata punëra të tila që kurrë njeri s’i bëri, do të mos kishnë faj, ma ndashti edhe i panë, edhe më urrenë edhe mua edhe babanë tim.
25 Po duhetë të dalë e vërtetë ajo fjalë që është shkruarë ndë nom të ture: Më urrenë pa tutje pa tëhu.
26 Ma kur të vijë Paraklitoi, që do t’u dërgoj unë juvet nga babai (Shpirti i së vërtetësë që ekporepsetë nga babai), ai do të a pë martiri për mua.
27 Edhe ju ipni martiri, sepse jini me mua që mbë të nisurë.
Hardhia e vërtetë
1 «Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. 2 Çdo shermend që është në mua e që nuk jep fryt, ai e këput, ndërsa çdo shermend që jep fryt ai e krasit dhe e pastron, që të japë më shumë fryt. 3 Fjala që unë ju kam folur, ju ka pastruar tashmë.
4 Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt vetvetiu, pa qëndruar në hardhinë, kështu as ju nuk do të mund të jepni fryt nëse nuk qëndroni në mua. 5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. 6 Nëse dikush nuk qëndron në mua, do të hidhet jashtë si shermendi e do të thahet. Këta shermende do t'i mbledhin, do t'i hedhin në zjarr e do të digjen.
7 Po të qëndroni në mua dhe fjalët e mia të qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni e do t'ju jepet. 8 Në këtë përlëvdohet Ati im: që të jepni shumë fryt e të bëheni dishepujt e mi. 9 Unë ju kam dashur, ashtu siç më ka dashur Ati mua. Qëndroni në dashurinë time!
10 Po të zbatoni urdhërimet e mia do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë kam zbatuar urdhërimet e Atit tim e qëndroj në dashurinë e tij.
11 Këto jua thashë që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. 12 Ky është urdhërimi im: duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë ju. 13 Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë. 14 Ju jeni miqtë e mi nëse bëni ato që ju urdhëroj. 15 Nuk ju quaj më shërbëtorë, se shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti. Por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njohur gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
16 Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha ju. Ju caktova të shkoni e të jepni fryt, që fryti juaj të mbetet dhe që Ati t'ju japë çfarëdo që t'i kërkoni në emrin tim. 17 Këtë po ju urdhëroj: duajeni njëri-tjetrin».
Do t'ju urrejnë
18 «Nëse bota ju urren, dijeni se më ka urryer mua para jush. 19 Po të ishit prej kësaj bote, atëherë bota do t'ju donte si të vetët. Por, ngaqë ju kam zgjedhur nga bota e nuk jeni prej kësaj bote, prandaj dhe ju urren. 20 Kujtoni fjalët që ju thashë: shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua do t'ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.
21 Por të gjitha këto do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi. 22 Po të mos kisha ardhur e të mos u kisha folur, nuk do të kishin mëkat, por tani nuk kanë shfajësim për mëkatin e tyre.
23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. 24 Po të mos kisha bërë mes tyre veprat që askush tjetër nuk i ka bërë, nuk do të kishin mëkat, por tani kanë parë dhe më kanë urryer edhe mua, edhe Atin tim. 25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: më urryen pa asnjë shkak.
26 Kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t'ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, i cili del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua. 27 Edhe ju do të dëshmoni, sepse keni qenë me mua që nga fillimi».