Krie e dhjetëtë
1 Vërtet, vërtet u thom juvet: Ai që s’hin nga dera nd’avlli të dhëndet, po hipën nga tjatër anë, ai është kusar e hajdut.
2 Ma ai që hin nga dera, është dëlmuari i dhëndet.
3 Këtij i hap portari, edhe dhëntë digjojënë zën’ e tij, edhe dhënt’ e tij i thërret mbë ëmër, e i nxjer ato jashtë.
4 E kur i nxjer jashtë dhënt’ e tij, shkon përpara ture; e dhëntë i venë pas atij, se i njohënë zën’ e tij.
5 Ma nukë do të venë pas së huajit, po do të ikëjënë prej si, sepse zën’ e së huajet nuk’ e njohënë.
6 Këtë parimi u tha ature Iisui, po ata nukë kupëtuanë se ç’qenë ato që u thosh ature.
7 U thotë dha ature përsëri Iisui: Vërtet, vërtet u thom juvet, që unë jam dera e dhëndet.
8 Gjithë sa kanë ardhurë përpara meje, janë kusarë edhe hajdut, po s’u digjuanë ature dhëntë.
9 Unë jam dera, kush të shkojë ndëpër mua, do të shpëtojë e do të hijë brënda, e do të dalë, e do të gjejë të kulloturë.
10 Kusari nukë vjen, po për të vjedhurë, e të therjë, e të humbasë. Unë arçë që të kenë jetë e të jenë ndë të shtuarë.
11 Unë jam dëlmuari i mirë. Dëlmuari i mirë vë Shpirtin’ e tij për dhënt’ e tij.
12 Ma rojëtari e ai që s’është dëlmier, ai që s’janë të tijtë dhëntë, sheh që vjen ulku e lë dhëntë e ikën, e ulku rrëmben ato, e përhap dhëntë.
13 E rojëtari ikën, sepse është rojëtar, e s’ka silloi për dhënt.
14 Unë jam dëlmuari i mirë e njoh të miatë, e të miatë më njohënë mua.
15 Sikundrë më njeh mua babai, edhe unë njoh babanë e vë Shpirtinë tim për dhënt të mia.
16 E kam edhe të tjera dhënd, që ato s’janë nga kij griq; po edhe këto duhetë që t’i mbëjedh unë, e do të më digjojënë zënë tim, e do të bënetë një griq vetëmë e një dëlmier.
17 Pra andaj më do mua babai, sepse unë vë Shpirtinë tim, që ta marr pagjene atë.
18 Ndonjë s’ma mer mua atë, po un’ e lë atë nga vetiu. Është nd’urdhër tim ta lë atë, e nd’urdhër tim ta marr atë pagjene. Këjo është porsia që kam marrë nga babai im.
19 Të shqierë pa u bë ndë çifut për këto kuvënde.
20 Sepse thoshnë shumë nga ata: Ai ësht’ i xhindosurë, e ka humburë mënt’ e tij. Ç’rriji e i digjoni atij?
21 Të tjerë pa thoshnë: Këto kuvënde nukë janë të së xhindosurit. Mos mund i paudhi të hapjë sit’ e së verbëret?
22 E bënishnë nd’Ierusalim të krëmptet’ e engjenivet, e qe dimër.
23 E Iisui ecën ndëpër Iero, ndë kube të Sollomoit.
24 E pushtruanë dha atë çifutë rrotullë, e i thoshn’ atij: Ngjera kur mban Shpirtinë tonë varturë? Ndë je ti Krishti, thuajna nevet faqeza.
25 U përgjegj ature Iisui: U thaçë juvet e nukë besoni. Punëtë që bëj unë mbë ëmër të babait sim, ato flasënë për mua.
26 Po juvet nukë besoni, sepse s’jini nga dhënt’ e mia, sikundrë u thaçë juvet.
27 Dhënt’ e mia, digjojënë zënë tim, edhe unë i njoh ato, e ato vijënë pas meje.
28 Edhe unë u ap ature jetë të pasosurë, e do të mos humbasënë jetë pas jetet, e do të mos i rrëmbejë ato ndonjë nga dora ime.
29 Babai im që m’i dha mua, është m’i madh se gjithë, e ndonjë s’mund t’i rrëmbejë nga dor’ e babait sim.
30 Unë edhe babai një punë jemi.
31 Andaj pa muarrë gurë çifutë të goditnë mbë të.
32 U përgjegj ature Iisui: Shumë punëra të mira u dëftova juvet nga babai im. Për cilënë nga këto punëra më goditni mua me gurë?
33 Ju përgjegjnë atij çifutë e i thanë: Për punë të mirë s’të biemë me gurë tij, po për vllasfimi edhe sepse tij, ndonëse je njeri, bën vetëhenë tënde Perndi.
34 U përgjegj ature Iisui: Nuk’ është shkruarë ndë nom tuaj: Unë thaçë që ju jini Perndira?
35 Nd’është që tha Perndira ata, që kuvëndoi Perndia me ta, e nukë mund të thotë ndrishe karta.
36 Atë që shënjtëroi babai, e e dërgoi ndë botë, juvet thoi që vllasfimis, sepse u thaçë, që biri i Perndisë jam?
37 Ndë mos bëj punët’ e babait sim, mos më besoni.
38 Ma nd’është që i bëj, ç’doi të besoni mua? Besoni ndë punëra të mia, që të njihni e të besoni që babai është tek u, e u te babai.
39 E kërkoijnë pa përsëri ta zijnë atë, po dolli nga dor’ e ture.
40 E vate pagjene përtej Iordhanit, nd’atë vënd që qe përpara Ioanni, e pagëzon, e mbeti atje.
41 E vanë shumë tek ai, e thoshnë, se Ioanni nukë bëri ndonjë thavmë; ma sa tha për këtë Ioanni, ishnë të vërteta.
42 E besuanë shumë atje tek ai.
Bariu i mirë
1 «Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. 2 Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. 3 Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. 4 Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. 5 Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». 6 Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli.
7 Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. 8 Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. 9 Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. 10 Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë.
11 Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. 12 Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, 13 sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet.
14 Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15 ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. 16 Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari.
17 Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».
19 Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. 20 Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». 21 Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».
Judenjtë nuk e pranojnë Jezuin
22 Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. 23 Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. 24 Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». 25 Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, 26 por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. 27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. 28 Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. 29 Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. 30 Unë dhe Ati jemi një».
31 Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë. 32 Jezui u tha: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?». 33 Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, por për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi». 34 Jezui u tha: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj: unë thashë: jeni perëndi. 35 Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi nuk mund të hidhet poshtë. 36 Atëherë, si mund t'i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë “fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë “jam Biri i Perëndisë”? 37 Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, 38 por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni e të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin».
39 Përsëri donin ta kapnin, por Jezui u iku nga duart. 40 Ai shkoi sërish në bregun tjetër të Jordanit, në vendin ku më parë pagëzonte Gjoni dhe qëndroi atje. 41 Shumë njerëz shkuan tek ai e thoshin: «Gjoni nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka tha për të është e vërtetë». 42 Dhe atje besuan në të shumë njerëz.