Krie e pesëtë
1 Ejani adha ndashti juvet të pasuritë të qai, ngrini zënë tuke thirrturë fort për të këqia që do të vijënë mbë juvet.
2 Gjëri juaj u kalp, edhe rrobatë tuaj ua hangri kopica.
3 Ari juaj edhe ergjëndi u skurjash, e skuri e ture do të jetë martiri kondrë juvet, e do të hajë kurmëratë tuaj posi zjar. Mbëjuadhtë gjë shumë për dit të pastajme.
4 Ja paga e ergatet që kuarrë aratë tuaj, që është vjedhurë prej jush, thërret. E të thirrturit’ e korrëzet arrijtinë ndë veshë të Zotit Savaothit.
5 Kini rruarë tuke ngrënë e tuke pirë mbi dhe, e ndë gostira kini ushqierë zëmëratë tuaj, si për ditë të therturit.
6 Kini dëmëtuarë e vrarë të drejtinë, e ai nuk’ u ndënji kondrë juvet.
7 Bëni durim adha, o vëllazër, ngjera mbë t’ardhurë të Zotit, vështroni si lloi bujku pret pemmën’ e nderçurë të dheut, tuke priturë me durim mbë të, ngjera sa të marrë shi e mëngjesit e mbrëmanesë.
8 Duroni edhe juvet, e stereosni zëmëratë tuaj, sepse t’ardhurit’ e Zotit u afërua.
9 Mos mçoni njeri-jatërinë, o vëllazër, që të mos dëmëtoni. Ja që gjukatësi rri përpara portësë.
10 Merri, o vëllazër, ksomblë të së hequrit keq e të durimit, Profitëtë, ata që folë mbë ëmër të Zotit.
11 Ja, që të lumurë quajmë ata që duruanë, kini digjuarë të priturit’ e Iovit, e kini parë të sosurin’ e Zotit, se është shum’ i ndëjesësë Zoti, e bën ndëjesë.
12 Mbë gjithë, o vëllazërit’ e mi, mos përgjëroni as për Qiell, as për dhe, as jetërë be mos bëni, po le të jetë fjala juaj: Kështu është, kështu është; nuk është kështu, nuk është kështu, që të mos biri ndë dëm.
13 Ka të keq ndonjë nga jush, le të lutetë; ka gëzim, le të psalljë.
14 Është ndonjë i sëmurë ndër ju, le të thërresë Priftërit’ e qishësë, e le të falenë mbi të, tuke lierë atë me vaj mbë ëmër të Zotit.
15 E të falët’ e besësë do të shpëtojë të sëmurinë, e do ta ngrërë atë Zoti. E nd’u gjëntë edhe me faje, do të ndëjenenë atij.
16 Ksemollojisni njeri-jatërit fajetë, e lutuni njeri për jatërinë, që të shëroni. Shumë fuqi ka të luturit’ e së drejtit kur punonetë.
17 Ilia qe njeri si dhe na i pësuarë, e u fal me të ngrohëtë që të mos bij shi mbë dhe, e nukë ra shi tri vjet e gjashtë muaj.
18 E përsëri u fal, e Qielli dha shi, e dheu dha pemmën’ e saj.
19 Vëllazër, ndë dalt ndonjë nga jush prej udhës’ e drejtë, e ta kthejë atë njeri (nga gënjeshtra).
20 Le të dijë se ai që kthen fajëtorë nga gënjeshtra e udhësë tij, do të shpëtojë Shpirt nga vdekëja, e do të mbulojë turmën’ e fajevet.
Qortime për të pasurit
1 Dhe tani, ju, o të pasur! Qani e vajtoni për mundimet që ju presin. 2 Pasuria juaj u kalb e rrobat tuaja i brejti tenja. 3 Ari e argjendi juaj u ndryshkën. Ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush e do të përpijë trupat tuaj si zjarri. Ju u pasuruat në ditët e fundit. 4 Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që korrën arat tuaja po këlthet e klithmat e korrësve arritën në vesh të Zotit të ushtrive qiellore.
5 Këtu në tokë jetuat në qejfe dhe bëtë shpenzime të kota. U majmët si kafshët për therje, 6 dënuat e vratë të drejtin dhe ai nuk ju kundërshtoi.
Durimi e lutja
7 Vëllezër, bëni durim derisa të vijë Zoti. Edhe bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të bien shirat e vjeshtës e të pranverës. 8 Kini edhe ju durim e forcojini zemrat, se dita e ardhjes së Zotit është afër. 9 Vëllezër, mos u ankoni për njëri-tjetrin, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi është te dera! 10 Shembull të vuajtjes e të durimit kini profetët që folën në emër të Zotit. 11 Ne i quajmë të lumë ata që duruan. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e patë çfarë fundi i ruajti Zoti, sepse Zoti është mëshirëplotë e i dhembshur.
12 Para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiellin, as për tokën e as ndonjë betim tjetër. Le të jetë «po-ja» juaj «po» dhe «jo-ja» juaj «jo», që të mos gjykoheni nga Perëndia.
13 A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme! 14 A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. 15 Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen.
16 Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe! 17 Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj. 18 Pastaj u lut përsëri dhe qielli dha shi e toka dha frytet e saj.
19 Vëllezërit e mi, nëse ndonjë prej jush largohet nga e vërteta dhe një tjetër e kthen përsëri në besim, 20 duhet ta dini se ai që kthen një mëkatar nga udha e mashtrimit, ia shpëton shpirtin nga vdekja dhe atij vetë do t'i falen shumë mëkate.