Krie e tretë
1 Mos doi të bëneni shumë dhaskalë, o vëllazërit’ e mi, sepse e diji që do të marrëmë më t’ashprë gjuq mbë vetëhe.
2 Sepse shumë punëra fëjejëmë gjithë. Ai që nukë fëjen mbë fjalë, kij është njeri i sosurë, i zoti të vërë frë edhe gjithë kurmit.
3 Ja, tek vëmë frëne kuajet ndë gojë, që të na bindenë nevet, e u rrotullojmë gjithë kurminë.
4 Ja, edhe karavetë ndonëse janë kaqë të mëdhinj, e ndonëse shturenë nga erëra të forta, kthenenë nga një temon i vogëlë atje tek do ai që e qivernis.
5 Kështu edhe gjuha është një anë e vogëlë, e mburretë mbë shumë punëra. Ja, pakëzë zjar sa pill të madh djeg.
6 Edhe gjuha është një zjar, një jetë e së shtrëmbërësë, gjuha është vënë ndë mes të melevet sona, e moleps gjithë kurminë. E kur të jetë dhezurë nga pisa e kollasit, atëherë djeg trohon’ e të rruajturit sonë.
7 Sepse gjithë fisi i bishëvet, edhe i fluturakëvet, edhe i gjërpinjet, e i pishqet cbutenë, e janë cbuturë nga fuqi e njerëzet.
8 Ma gjuhënë ndonjë nga njerëzitë nukë mund ta cbutjë. E kaqë që s’mund t’i vihetë frë, plot me helm të mortit.
9 Me atë bekojëmë Perndinë e Babanë, e me atë mallëkojëmë njerëzitë që janë bërë me konismë të Perndisë.
10 Nga një gojë e tillë del bekimi edhe mallëkimi; nukë mundjënë të venë këto punëra kështu, o vëllazërit’ e mi.
11 Mund vallë kroi të burojë nga një i tili kanal ujë të ëmblë edhe të pikëtë?
12 Mund vallë, o vëllazërit’ e mi, fiku të bëjë ullinj, a dhria fiq? Kështu edhe kroi nukë mund të bëjë ujë të kripurë edhe të ëmblë.
13 Kush është sofo edhe i dijturë ndër ju? Le të dëftojë ai me anë të jetësë e mirë punërat’ e tij që janë bërë me të butë të së dijturit.
14 E ndë kini juvet zili të pikëtë e qartëra ndë zëmëra tuaj, mos mburri, e mos gënjeni kondrë së vërtetësë.
15 Nuk’ është këjo sofi e cbriturë lartazi, po e dheut, kafshërishte, e së paudhit.
16 Sepse tek është zili e filloniqi, atje është akatastasi, e çdo pun’ e ligë.
17 E sofia që është lartazi, protoparë ësht’ e qëruarë, e pastaje që bën paq, e butë, e bindurë, plot me ndëjesë e me pemmë të mira, e largë nga të ksetaksuritë, e pa ipokrisi.
18 E pemm’ e së drejtësë pa mbilletë ndë paq mb’ata që bëjënë paq.
Gjuha
1 Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë prej jush mësues, sepse e dini se do të gjykohemi më ashpër, 2 duke qenë se gabojmë në shumë gjëra. Nëse dikush nuk gabon me fjalë, atëherë ai është njeri i përsosur dhe i aftë për të sunduar gjithë trupin e tij.
3 Ja, kuajve ua vëmë frerët në gojë, që të na binden e t'u drejtojmë të gjithë trupin. 4 Shikoni edhe anijet! Megjithëse janë aq të mëdha e shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon i vogël atje ku dëshiron timonieri. 5 Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.
Ja ç'pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël! 6 Gjuha është zjarr e botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej Gehenës. 7 Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur. 8 Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës. 9 Me të bekojmë Zotin e Atin dhe po me të mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë. 10 Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu. 11 A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur? 12 O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël.
Urtia prej së larti
13 Cili nga ju është i urtë e i mençur? Ai le ta tregojë këtë me sjelljen e tij të mirë dhe me veprat e bëra me butësi e me urti. 14 Nëse keni në zemër smirë të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mburrni e mos gënjeni kundër së vërtetës. 15 Kjo lloj urtie nuk vjen nga lart, por është tokësore, shqisore e djallëzore. 16 Atje ku ka smirë e grindje, ka trazirë dhe gjithfarë gjërash të liga. 17 Ndërsa urtia që vjen nga lart, së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe me fryte të mira, e paanshme e jo hipokrite. 18 Fryti i drejtësisë mbillet paqësisht nga ata që bëjnë paqen.