Krie e njëmbëdhjetëtë
1 Është adha besa një themeli e punëravet që shpërejmë; të dëftuarë të punëravet që nukë shihenë.
2 Sepse për këtë besë u nderuanë të lashtitë.
3 Me anë të besësë kupëtojmë qish janë bërë jetëtë me fjalë të Perndisë, kaqë që këto që dukenë nukë janë bërë nga ato që dukenë.
4 Me anë të besësë pru Aveli mbë Perndinë kurban më të mirë se Kaini. Për atë besë është mburrurë për i drejtë se i dheksi atij Perndia dhurëtinë. E për atë besë ndonëse vdiqi, edhe po mbahetë mënd.
5 Për besë Enohu u shpu ndë tjetër vënd, që të mos shihte vdekëjë; e nuk’ u gjënd, sepse e shpuri Perndia ndë tjetër vënd; sepse pa dhe të ndërruarë të vëndit së tij, qe mburrë si i cgjedhurë te Perndia.
6 Pa besë adha s’mund të pëlqejë njeri Perndisë, sepse ai që qasetë te Perndia duhetë që të besojë, se është Perndi, e poguan ata që kërkojënë.
7 Me besë ju çfaq nga Perndia Noesë për ato që edhe nukë dukishnë, me besë të trëmburë dërtoi Qivotonë për të shpëtuarë shtëpin’ e tij; për atë (Qivoto) katarisi jetënë, e u bë klironom të së drejtësë që vjen nga besa.
8 Me besë kur qe thirrë Avraami, digjoi të del mb’atë vënd, që duaj të mirr klironomi, e u nis pa dijturë ku kish për të vaturë.
9 Me besë ndënji i huaj ndë vënd që i qe taksurë, si mbë të botësë, tuke ndënjurë mbë tendëra me Isaaknë e Iakovnë klironomë bashkë së tilit vënd.
10 Sepse prit atë qutetn’ e themeliosurë mirë, që asaj arhitek që e themeliosi është Perndia.
11 Me besë edhe ajo Sarra shterpa mori fuqi të bënej me barrë, e polli ndonëse qe shkuarë koha, se e mori për të vërtetë atë që bëri të taksuritë.
12 Pra andaj edhe nga një vetëmë, edhe kij gati i vdekurë, leu një turmë (pjellësh) posi ujët’ e Qiellit, e posi rërë e detit e panëmëruara, që është mb’anë të detit.
13 Ndë besë vdiqnë këta të gjithë, pa marrë të taksuratë, po tuke parë ato për së largut, e tuke bindurë, i deshnë, e molloisnë që janë miq të huaj mbi dhe.
14 Sepse ata që kuvëndojënë kështu dëftojënë që kërkojënë patridhënë.
15 E të qe që të mbaijnë ndër mënd atë nga duallë, do të kishnë kohë të kthenishnë mbë të.
16 Ma ndashti dëshërojënë një më të mirë, domethënë të Qiellit; andaj nukë ka turp Perndia të quhetë Perndi e ature, sepse i kish bërë ature gati qutet.
17 Me besë Avraami u dhoqimas nga Perndia, e pruri kurban Isaaknë, e ther djalën’ e vetëmë, ai që mori të taksuratë.
18 Ai që i qe thënë: Mbë Isaaknë do të jetë fara jote.
19 Silloisi (Avraami) që e fortë është Perndia të ngjalljë Isaaknë nga të vdekuritë; andaj e mori pa atë posi ndë një Ikonë.
20 Me besë Isaaku dha bekimnë Iakovit edhe Isafit, tuke vështruarë punëratë që do të vijnë.
21 Me besë Iakovi mbë të vdekurë bekoi çdonjë nga djelmt’ e Iosifit; e u fal si akumbisi mb’anë të shkopit së tij.
22 Me besë Iosifi kur vdis kujtoi të dalët’ e bijet së Israilit (nga Egjiptoja), e porsiti për eshtëra të tij.
23 Me besë Moisiu poqë leu, u fsheh tre muaj prej përindet së tij, sepse panë që qe një djalë i bukurë, e nuk’ u trëmbnë porsin’ e mbretit.
24 Me besë Moisiu si u bë i madh, nukë deshi të quhej bir i vashëzësë Faraonit.
25 Sepse cgjodhi më tepërë të hiq të keq bashkë me llao të Perndisë, se të gëzonej për pak kohë ndë faje.
26 Me të madh hazine e silloisi dhunën’ e Krishtit nga hazinet’ e Egjiptosë; sepse vështron ndë të poguarë të pastajmë.
27 Me besë la Egjiptonë, pa pasurë frikë nga të zëmëruarit’ e mbretit; sepse u forcua si me të parë t’atij që nukë shihetë.
28 Me besë lutej Pashkënë, e bëri të derdhurit’ e gjakut që të mos i ngit Israilitë ëngjëlli që vrit djemtë e parë t’Egjiptiovet.
29 Me besë shkuanë ndëpër Det të Kuq, si ndëpër dhe të thatë; atë deshnë të dhoqimasnë Egjiptiotë, e u mbitnë.
30 Me besë u gremisnë muret’ e Ierihosë, kur i rrotulluanë Israilitë shtatë dit.
31 Me besë kurva Rahav nukë pësoi gjë me të pabesëtë bashkë, kur dheksi me paq Kataskopëtë.
32 Edhe ç’të thom unë? Sepse s’m’ arrin mua koha të rrëfej për Gjedheonë, Varaknë, edhe Sampsonë, edhe Iefthaenë, Dhavidhnë, edhe Samuilë, edhe Profitëtë.
33 Ata me besë mundnë mbretërira, bënë të drejtënë, muarrë të taksuratë, thurë gojët’ e leondarëvet.
34 Shuajtinë fuqin’ e zjarit, shpëtuanë nga të prerit’ e thikëvet, shëruanë nga sëmundëtë, u bënë të fortë ndë luftë, i bënë të ikëjnë asqeret’ e huaj.
35 Muarrë gratë të vdekurit’ e ture të ngjallturë, të tjerë pa me të rrahurë si duallë vdiqnë, e nukë deshnë shpëtimnë, që të gjejënë të ngjallturë më të mirë.
36 Të tjerë dhoqimasnë të shara edhe të rrahura, edhe më shumë të lidhura e të fillakosura.
37 U mbuluanë me gurë, u prenë me sharrë, u gucitnë, vdiqnë ndënë thikë, ecnë pështjellë me lëkurë të dhënet, të dhivet, tuke lipurë, tuke shtrënguarë, tuke gjëmuarë.
38 (Ata që për të tillëtë nukë qe jeta e zonja) u pllanepsnë nd’erimira, ndë male, ndë shpella, e ndë vëra të dheut.
39 E këta të gjithë ndonëse qenë mburrurë me martiri që u ipej për besë të ture, nukë muarë të taksuratë.
40 Sepse Perndia pat dhiorisurë një punë më të mirë për nevet, që të mos jenë teliosurë përveçe nesh.
Besimi
1 Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe njohja e gjërave që nuk shihen. 2 Nëpërmjet tij të parët tanë morën dëshminë e mirë.
3 Me anë të besimit, kuptojmë se gjithësia u krijua me fjalën e Perëndisë, në mënyrë të tillë që gjërat që shohim u bënë nga ato që nuk i shohim.
4 Me anë të besimit, Abeli i kushtoi Perëndisë flijim më të mirë se Kaini. Falë besimit, ai mori dëshminë se ishte i drejtë kur Perëndia pranoi dhuratat dhe ndonëse ka vdekur, ai vazhdon të na flasë.
5 Me anë të besimit, Enoku u mor lart nga Perëndia pa parë vdekje me sy dhe nuk u gjet më mbi tokë, sepse e kishte marrë lart Perëndia. Dëshmohet se, para se të merrej lart, ai i kishte pëlqyer Perëndisë. 6 Pa besim është e pamundur t'i pëlqejë njeri Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ka Perëndi dhe se Perëndia i shpërblen ata që e kërkojnë.
7 Me anë të besimit, Noeu, kur u njoftua nga Perëndia për ato gjëra që nuk shiheshin ende, u bind dhe ndërtoi arkën për të shpëtuar ata të shtëpisë së tij. Nëpërmjet besimit, Noeu gjykoi botën dhe për shkak të besimit Perëndia e bëri trashëgimtar të drejtësisë.
8 Me anë të besimit, Abrahami, kur e thirri Perëndia, u bind për të shkuar në vendin që do të merrte si trashëgim dhe u nis pa ditur ku po shkonte. 9 Me anë të besimit, ai banoi në tokën e premtuar si në dhe të huaj, duke jetuar në tenda bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim. 10 Sepse ai priste qytetin me themele të forta, arkitekt dhe ndërtues i të cilit do të ishte Perëndia.
11 Me anë të besimit të Abrahamit, edhe Sara shterpë arriti të mbesë shtatzënë, ndonëse i kishte kaluar mosha, sepse Abrahami e dinte se ai që i kishte premtuar ishte besnik. 12 Kështu, prej një njeriu të vetëm, edhe ky gati në të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe sa rëra e panumërueshme e bregut të detit.
13 Këta të gjithë vdiqën me besim, por pa i marrë premtimet e bëra. Ata vetëm i panë nga larg dhe i përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe kalimtarë mbi tokë. 14 Ata që i thonë këto gjëra, tregojnë se kërkojnë atdhe. 15 Po ta kishin mendjen tek atdheu që kishin lënë do të kishin gjetur kohë për t'u kthyer përsëri atje. 16 Por tani ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë një atdhe qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse u kishte bërë gati një qytet.
17 Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, kushtoi si flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, kushtoi birin e tij të vetëm, 18 ndonëse Perëndia i kishte thënë: nga Isaku do të rrjedhin pasardhësit e tu. 19 Abrahami mendonte se Perëndia mund ta ngjallte prej të vdekurve dhe e mori, në njëfarë mënyre , Isakun prej të vdekurve.
20 Me anë të besimit, Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun për gjërat e ardhshme. 21 Me anë të besimit, Jakobi, kur po vdiste, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi Perëndinë, duke u mbështetur te shkopi i tij. 22 Me anë të besimit, Jozefi, duke vdekur, përmendi daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti dhe i porositi për eshtrat e tij.
23 Me anë të besimit, prindërit e Moisiut e fshehën atë për tre muaj pas lindjes, sepse e panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit. 24 Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej bir i bijës së faraonit. 25 Ai zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht dëfrimet e mëkatit. 26 Ai e çmoi përçmimin e ngjashëm me përçmimin që do të pësonte Krishti, si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i kishte drejtuar sytë nga shpërblimi.
27 Me anë të besimit, Moisiu e la Egjiptin pa pasur frikë nga zemërimi i mbretit, sepse qëndroi i palëkundur duke parë të padukshmin. 28 Me anë të besimit, ai kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen me gjak, me qëllim që engjëlli shfarosës të mos i vriste fëmijët e parëlindur të Izraelit.
29 Me anë të besimit, izraelitët kaluan detin e Kuq si të ecnin në tokë të thatë, ndërsa kur e provuan egjiptianët, u mbytën.
30 Me anë të besimit, muret e Jerikosë ranë, pasi izraelitët u sollën rrotull tyre për shtatë ditë.
31 Me anë të besimit, lavirja Rahabë nuk vdiq bashkë me të pabindurit, pasi ajo i kishte pritur zbuluesit paqësisht.
32 Ç'të them më? Nuk do të më mjaftonte koha t'ju tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftahun, Davidin, Samuelin dhe profetët, 33 të cilët me anë të besimit mposhtën mbretër, vunë drejtësinë, fituan premtimet, ua zunë grykën luanëve, 34 shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fortë, u bënë të fuqishëm në luftë, thyen ushtritë e huaja.
35 Me anë të besimit disa gra morën përsëri të vdekurit e tyre përmes ngjalljes, ndërsa të tjerë nuk e pranuan lirimin, por vuajtën tortura, që të fitonin një ngjallje më të mirë. 36 Të tjerë hoqën poshtërime e fshikullima, madje edhe pranga e burgime. 37 U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u therën me tehun e shpatës dhe u endën veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, në hidhërime e në keqtrajtime. 38 Bota nuk ishte e denjë për ta, prandaj ata endeshin nëpër shkretëtira, nëpër male, nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.
39 Të gjithë këta, megjithëse e morën dëshminë e mirë me anë të besimit, nuk e fituan premtimin e Perëndisë. 40 Sepse Perëndia kishte parashikuar diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.