Krie e pesëtë
1 Qëndroni adha pa luajturë ndë lefteri që na lefterosi nevet Krishti, e mos mbleksi pa ndë zgjedhë të skllavisë.
2 Ja, unë Pavllua u thom juvet, se ndë qoftë të bëni peritomi, Krishti do të mos u vëjejë juvet fare gjë.
3 Sepse unë e bëj ta diji përsëri, çdo njeri që pritetë, që ai është ndënë barrë të bëjë gjithë nomnë.
4 Juvet që bëneni të drejtë nde nomi, s’jini gjë mbë Krishtinë. Ratë nga dhurëtia.
5 Sepse navet nga Shpirti me anë të besësë presëmë shpëresën’ e së drejtësë.
6 Sepse mbë Krishtinë Iisunë s’vëjen gjë të jetë njeriu i prerë, po besa që punon me anë të dashurimit.
7 Mirë ecjëtë. Cili u mbodhisi juvet që të mos bindishitë ndë të vërtetë?
8 Këta të bindurë nuk’ është nga ai që u thërret.
9 Pak brumë, mbrun gjithë të mbrujturitë.
10 Unë për juvet shpërej mbë Zotnë, që do të mos kini tjatër mënd, ma ai që u trubullon juvet do të ketë dëm, cilido që është.
11 Sa për mua, o vëllazër, ndë dhidhaks edhe sot di peritominë, pse gjithënjë ndiqem? U ngre adha skandalia e Kruqit.
12 Makar të pritishnë copë-copë ata që u nakatosjënë juvet.
13 Sepse juvet, o vëllazër, jini thirrturë nd’elefteri, po vështroni mirë të mos bëni elefterinë aformi të kurmit, po punoni njeri-jatërinë me dashuri.
14 Sepse gjithë nomi ndë një fjalë mbilletë: Të duaç gjitonë tënd si edhe vetëhenë tënde.
15 Ma ndë ndukni, e të hai njeri-jatërinë, vështroni mos u hahi njeri nga jatëri.
16 Unë ndashti u thom: Ecëni sikundrë do Shpirti, e mos bëni ato që dëshëron kurmi.
17 Sepse kurmi dëshëron kondrë Shpirtit, e Shpirti kondrë kurmit, sepse këto punëra janë kondrë njera me jatërënë, që të mos mundni juvet të bëni gjith’ ato që doi.
18 E nd’ecëni pas Shpirtit nukë jini ndënë nom.
19 Të çfaqura dha janë punët’ e kurmit, ato janë mihira, kurvërira, molia, aseljia.
20 Idhollollatria, magjia, armiqëria, qartëratë, filloniqitë, të zilepsuritë, të zëmëruaritë, të përqeshuritë, të përçquaritë, eresitë.
21 Zilia, vreilatë, të dejturatë, harokopitë, e të tilatë te këto, mbi këto u thom, sikundr’ u paçë thënë më përpara, se ata që bëjënë të tilatë, nukë do të trashëgojënë mbretërin’ e Perndisë.
22 E pemma e Shpirtit pa është dashuria e gëzimi, paqeja, zëmër’ e madhe, të butëtë, të mirëtë, besa, t’ëmblëtë, durimi.
23 Kondrë këture punëravet nuk’ është nom.
24 Ndashti ata që janë të Krishtit, kanë mbërthierë kurminë bashkë me xanxëra të ture e me dëshërime.
25 Ndë rrojmë me Shpirt, me Shpirt edhe le të ecëjmë.
26 Le të mos kërkojmë nder të mbrazëtë, tuke paraqinisurë njeri-jatërinë, e tuke zilepsurë njeri-jatërinë.
Liria e krishterë
1 Krishti na çliroi që të jemi të lirë, prandaj qëndroni fort e mos bini sërish nën zgjedhën e skllavërisë.
2 Ja, unë Pali po ju them se nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju vlejë aspak. 3 Kujtdo që rrethpritet, po ia bëj të ditur se është i detyruar të zbatojë tërë ligjin. 4 Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë. 5 Sepse në Shpirtin, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë. 6 Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë.
7 Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës? 8 Ato që ju kanë thënë për t'ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri. 9 Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi. 10 Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin.
11 Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më pengesë. 12 U gjymtofshin ata që po ju trazojnë.
13 Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të mishit, por t'i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri. 14 Sepse i gjithë ligji është përmbledhur në këtë urdhër të vetëm: duaje të afërtin si veten. 15 Por nëse kafshoni e përpini njëri-tjetrin, ruajuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.
Fryti dhe veprat
16 Prandaj ju them: jetoni në Shpirt e kështu nuk do të plotësoni dëshirat e mishit. 17 Sepse dëshirat e mishit janë kundër Shpirtit e Shpirti është kundër dëshirave të mishit. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin e kështu ju nuk bëni atë që dëshironi. 18 Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit, nuk jeni nën ligjin.
19 Veprat e dëshirave të mishit janë të dukshme: kurvëria, ndyrësia, fëlligështia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet, 21 zilitë , dehjet, darkat e shfrenuara e të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
22 Por fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, 23 zemërbutësia e vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. 24 Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar dobësinë njerëzore bashkë me pasionet dhe dëshirat. 25 Nëse jetojmë në Shpirt, atëherë edhe të udhëhiqemi prej tij. 26 Të mos krekosemi duke ngucur e duke lakmuar njëri-tjetrin.