Krie e parë
1 Pavllua Apostolli i Iisu Hristoit me thelimë të Perndisë edhe Timotheoi vëllai.
2 Mb’ata që janë mbë Kolloso Shënjtorë e vëllazër të besësë mbë Krishtinë. Dhurëti mbë juvet e paq nga Perndia Babai inë, edhe nga Zoti Iisu Hristoi.
3 Lëvdojmë Perndinë e baban’ e Zotit sonë Iisu Hristoit, kur lutemi gjithënjë për juvet.
4 Sepse digjuam besënë tuaj që kini mbë Krishtinë Iisunë, edhe dashurinë që kini mbë gjithë Shënjtorë.
5 Për shpëresë që ruhetë për juvet ndër Qiell, atë që e mpsuatë më përpara me anë të fjalësë të vërtetësë Ungjillit.
6 Atij që erdhi ndër juvet, sikundr’ erdhi ndë gjithë botë, e bën pemmë e rritetë, si edhe ndër juvet, që mb’atë ditë që digjuatë, e njohtë dhurëtin’ e Perndisë me të vërtetë.
7 Sikundrë kini mpsuarë nga i dashuri Epafrai, ropi me mua bashkë, ai është shërbëtuar i besësë mbë Krishtinë për juvet.
8 Ai që edhe na dëftoj nevet dashurinë tuaj (që kini) me anë të Shpirtit.
9 Andaj edhe nevet, që atë ditë që digjuam, nukë pushojëmë tuke falurë për juvet, e tuke kërkuarë që të mbushi nga të njohuritë e thelimësë tij, me çdofarë sofie e urtëci të Shpirtit.
10 Që të ecëni juvet sikundrë ka hie mbë Zonë, tuke pëlqierë atij mbë çdo punë të mirë, tuke prurë pemmë, e tuke rriturë ndë të njohurë të Perndisë.
11 Tuke marrë fuqi me çdofarë fuqie për fuqi të nderçurë të tijnë ndë durim të sosurë, e ndë zëmërë të madhe me gëzim.
12 Lëvdojmë babanë që na bëri të zotë të jemi pjesëtarë nevet ndë pjesë të shënjtorëvet mbë dritë.
13 Ai që na shpëtoj nevet nga urdhëri i errëcirësë e na ka shpurë ndë mbretëri të birit së dashurisë tij.
14 Mb’atë kemi të shpërblieritë me anë të gjakut së tij, të ndëjierit’ e fajevet.
15 Ai është Ikonë e Perndisë që nukë duketë, i pari mbë të lerë nga gjithë jeta.
16 Sepse me anë t’atij janë bërë gjithë punëtë, ato që janë ndë Qiell, edhe ato që janë ndë Dhe, ato që dukenë, edhe ato që nukë dukenë; kaqë Fronetë, kaqë Zotëritë, kaqë Arhitë, kaqë Eksusitë, të gjitha me anë t’atij, e me kshill të tij janë bërë.
17 E ai është më përpara nga gjithë, e gjithë punëtë me anë t’atij qëndrojënë.
18 E ai është kreu i kurmit së qishësë, ai është të nisuritë e i parë mbë të ngjallturitë nga vdekëja, andaj ai është i parë mbë të gjitha.
19 Sepse këjo i pëlqeu (Babait) të jetë tek ai gjithë mbushëja.
20 E me anë t’atij të paqconejnë të gjitha mbë vetëhe të tij, tuke bërë paq dheut, edhe punët’ e qiellit me anë të gjakut të Kruqit së tij.
21 E juvet që jeshëtë njëherë të larguarë e armiq ndë Shpirt për punëra të liga, ndashti u paqcoi.
22 Ndë kurm të trupit së tij, me vdekëjë të tij, që t’u nxjerrë juvet përpara atij Shënjtorë, e të pasharë, e të pakatigori.
23 Ndë qëndrofçi themelosurë mirë e pa tundurë ndë besë, e të paluajturë ndë shpëresë t’Ungjillit që digjuatë, e që u dhidhaks mbë gjithë botë që është ndënë Qiell, atij Ungjillit unë Pavllua jam bërë shërbëtuar.
24 Unë ndashti gëzoj mb’ato që besoj për juvet, e paguaj ndë kurm tim përsëri ato që lipsenë nga mundimet’ e Krishtit për trup të tij, që ai trup është Qisha.
25 Që asaj qishe u bëçë unë shërbëtuar, sikundrë qe konomia e Perndisë, që m’u dha mua mbë juvet, të mbush fjalën’ e Perndisë.
26 Mistirionë e fshehurë nga jetëtë e nga filitë, po ndashti çfaqurë ndë Shënjtorë të tij.
27 Mb’atë deshi Perndia të bën të njihnë çfarë gjëri qe të pasurit’ e nderit të këtij mistirioit ndë fili të tjera, që ai është Krishti ndër juvet, shpëresë e nderit.
28 Atë Krishtinë që dhidhaksjëmë nevet tuke mpsuarë çdo njeri me çdofarë sofie, që të biemë përpara Krishtit Iisuit çdo njeri telio.
29 Për atë punë mundonem edhe unë, e lëftoj sikundr’ është pun’ e tij që punon mbë mua me shumë fuqi.
Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu nga vullneti i Perëndisë, dhe vëlla Timoteu, 2 po ju shkruajmë të shenjtëve e vëllezërve që besojnë në Krishtin dhe që janë në Kolos: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë !
Falënderimi për kolosianët
3 E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, sa herë lutemi për ju, 4 sepse kemi dëgjuar për besimin tuaj në Krishtin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët. 5 Këtë besim e këtë dashuri e keni për shkak të shpresës që ju pret në qiej, për të cilën keni dëgjuar më parë në predikimin e të vërtetës së ungjillit.
6 Ky ungjill mbërriti te ju e po jep fryt e po përparon në mbarë botën, sikurse ndër ju, që nga dita kur e dëgjuat dhe njohët me të vërtetë hirin e Perëndisë. 7 Këtë ungjill jua mësoi Epafrai, bashkëpunëtori ynë i dashur, që është shërbëtor besnik i Krishtit për ju. 8 Ai na foli për dashurinë që ju ka dhënë Shpirti.
Krishti dhe vepra e tij
9 Prandaj edhe ne, që nga dita kur e morëm vesh këtë gjë, nuk reshtim së luturi për ju dhe i kërkojmë Perëndisë t'ju japë urtinë e mençurinë shpirtërore që ta njihni plotësisht vullnetin e tij. 10 Kështu do të mund të bëni një jetë të denjë për Zotin dhe, ashtu si i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke shtuar njohuritë për Perëndinë. 11 Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim e që me gëzim 12 të falënderoni Atin që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e të shenjtëve në dritë. 13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës e na futi në mbretërinë e Birit të tij të dashur, 14 në të cilin kemi shpengimin , faljen e mëkateve.
15 Biri është shëmbëllimi
i Perëndisë së padukshëm,
i lindur përpara çdo krijese.
16 Sepse nga ai u krijua gjithçka
në qiej
e në tokë,
të dukshmet
e të padukshmet,
fronet,
zotërimet,
sunduesit
e pushtetet.
Gjithçka u krijua përmes tij e për të.
17 Ai është përpara çdo gjëje,
gjithçka e krijuar qëndron në të.
18 Ai është kreu i trupit,
domethënë i kishës,
fillimi i jetës së re,
i pari që u ngjall
prej të vdekurve ,
që të jetë i pari në gjithçka.
19 Sepse Perëndisë i pëlqeu
që në Birin të banojë
e gjithë plotësia e vetë Perëndisë
20 e të pajtojë me veten e tij,
nëpërmjet Birit,
gjithçka mbi tokë
a në qiej,
duke vendosur paqen
me anë të gjakut
që Biri derdhi në kryq.
21 Edhe ju dikur ishit të huaj për Perëndinë dhe armiq të tij për shkak të mendimeve e veprave tuaja të liga. 22 Por tani Biri ju pajtoi me Perëndinë me anë të vdekjes në trupin e tij njerëzor, që t'ju paraqesë para tij të shenjtë, të patëmetë e të paqortueshëm. 23 Por duhet të qëndroni të fortë në besim, të qëndrueshëm e të palëkundur në shpresën që jep ungjilli që dëgjuat. Ky ungjill i është predikuar gjithë krijesës nën qiell dhe unë, Pali, jam bërë shërbëtor i tij.
Pali i shërben kishës
24 Tani, gëzohem që vuaj për ju dhe që po plotësoj në trupin tim njerëzor atë që u mungon vuajtjeve të Krishtit për trupin e tij, domethënë për kishën. 25 Kësaj kishe i shërbej edhe unë sipas detyrës që më ngarkoi Perëndia për ju, që t'ju predikoj të plotë fjalën e tij. 26 Kjo fjalë është shestimi i Perëndisë, që ka qenë i fshehur gjatë shekujve për të gjitha breznitë, por që tani iu shfaq të shenjtëve. 27 Perëndia donte t'u bënte të njohur atyre pasurinë e lavdisë së këtij shestimi të fshehtë për të gjitha kombet. Ky plan i fshehtë është Krishti në ju, i cili është shpresa juaj për lavdinë që do të vijë.
28 Këtë Krisht predikojmë edhe ne, duke këshilluar e duke mësuar çdo njeri me gjithë urtinë që kemi, me qëllim që të gjithë njerëzit t'i paraqesim të përsosur përmes Krishtit para Perëndisë. 29 Prandaj unë mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit që vepron fuqishëm brenda meje.