Krie e nëntëtë
1 E Savllua edhe tuke çfriturë kanosira e vreila kundrë mathitivet së Zotit, ju qas të parit së priftëret.
2 E kërkoi prej si kartëra për Dhamasko ndëpër Sinagogjira, që ndë gjetë ndoca të jenë nga udha, burra e gra, t’i bjerë lidhurë ndë Ierusalim.
3 E tek vij, gjau që kur u afërua ai ndë Dhamasko, e aksafna e llampsi atë një dritë Qiellet.
4 E si ra mbë dhe, digjoi një zë q’ i thosh atij: Saull, Saull, pse më ndjek mua?
5 E ai u përgjegj: Cili je ti, Zot? E Zoti i tha atij: Unë jam Iisui, ai që ndjek ti. Pun’ e ligë është për ti të shkelmoç drizatë.
6 E ai tuke dredhurë e tuke çuditurë, tha: O Zot, ç’do ti që të bëj unë? Edhe Zoti i thot’ atij: Ngreu mbë këmbë e hirë ndë qutet, e do të të thuhetë ti ç’duhetë të bëç.
7 E njerëzitë që i vijnë pas atij, mbenë të vuvosurë, se zënë e digjuanë, po ndonjë nukë shihnë.
8 E Savllua u ngre nga dheu e nukë shih ndonjë, ndonëse i kish sitë hapëtë; po tuk’ e hequrë atë për doret, e prunë ndë Dhamasko.
9 E ndënji tri dit që nukë shih; as hangri, as piu.
10 E ishte ndë Dhamasko një mathiti që quhej Anania, e i thot’ atij Zoti ndë ëndërë: Anania. Edhe ai tha: Ja tek jam, Zot.
11 Edhe Zoti i thot’ atij: Ngreu, e hajde mb’udhë që quhetë e Drejtë, e kërko ndë shtëpi të Iudhësë një Tarsiot që quhetë Savllo; se ja tek faletë.
12 E pa ndë ëndërë një njeri që quhej Anania të vij e të vin sipër mbë të duartë, për të pohtisurë pagjene dritënë.
13 E Anania u përgjegj: O Zot, digjova nga shumë botë për këtë njeri, sa të këqia ka bërë Shënjtorëvet së tu ndë Ierusalim.
14 Edhe këtu ka urdhër nga të parët’ e priftëret, të lidhjë gjith’ ata që zënë ngoje ëmërinë tënd.
15 Ma Zoti i tha atij: Hajde, sepse kij është tek u enë e zgjedhurë, për të mbajturë ëmërinë tim përpara të pabesëvet, e mbretëret, e të bijet s’Israilit.
16 Sepse u do t’i dëftoj atij, sa do të pësojë ai për ëmër tim.
17 E vate Anania, e hiri ndë shtëpi; e si vuri duartë mbi të, i tha: Saull vëlla, Zoti më dërgoi mua (Iisui që t’u dëftua tij mb’udhë tek vije) që të shohç, edhe të mbusheç prej Shënjtit Shpirt.
18 E menjëherë i ranë nga sit’ e tij posi hala, e pa atë çast; e si u ngre, u pagëzua.
19 E si hangri, u forcua. E ndënji Savllua ca dit bashkë me mathiti që qenë ndë Dhamasko.
20 E pa mënuarë dhidhaks ndë Sinagoje Krishtinë, që kij është i biri i Perndisë.
21 E çuditishnë gjith’ ata që digjoijnë, e thoshnë: Nuk’ është kij që i përhap ndë Ierusalim gjith’ ata që zijnë ngoje këtë ëmër? Edhe këtu për këtë punë erdhi që t’i bij lidhurë ndë të parët’ e priftëret?
22 Ma Savllua sa vij forconej, e i bën të pagojë çifutë që rrijnë ndë Dhamasko, tuke dëftuarë që ai është Krishti.
23 E si shkuanë shumë dit bënë mushavere çifutë ta vrisnë atë.
24 E Savllua e njohu nijet’ e ture. E ata ruaijnë diertë nat’ e ditë, që ta vritnë atë.
25 Ma mathititë e muarrë atë natënë, e e zbritnë nga muri tuk’ e lëshuarë me ç(p)ortë.
26 E vate Savllua ndë Ierusalim, e kërkon të përzihej me mathitej, po gjithë trëmbishnë nga ai, sepse nuk’ e besoijnë që qe mathiti.
27 Ma Varnava, si e mori me vetëhe, e pru nd’apostoj e u rrëfeu ature qish pat parë Zotnë mb’udhë, e qish i pat folë atij, e qish dhidhaksi faqeza ndë Dhamasko mbë ëmërë të Iisuit.
28 E vij e rrijte bashkë me ta nd’Ierusalim e dhidhaks faqeza ndë ëmër të Zotit Iisuit.
29 E kuvëndonte e filloniqis me Çifutë që flisnë Elinika, e ata kërkoijnë ta vrisn’ atë.
30 Po si e digjuanë vëllazëritë, e shpunë atë ndë Qesari, e e dërguanë atë ndë Tarso.
31 Qishëtë dha ndëpër gjithë Iudheë, e Galileë, e Samari, kishnë paq, e stisëijnë, e ecëijnë ndë frikë të Zotit, e shtonejnë me parigorí të Shënjtit Shpirt.
32 E gjau tek shkon Petrua ndëpër gjith’ ato vënde, e të zbrit ngjera mbë Shënjtorë që rrijnë ndë Lidhë.
33 E atje gjeti një njeri që quhej Enea, që ish i mbajturë e dergjej ndë shtrat tetë vjet.
34 E i tha atij Petrua: O Enea, të shëron ti Iisu Hristoi. Ngreu, e shtro sht(r)atnë tënd. E atë çast u ngre.
35 E e panë atë gjith’ ata që rrijnë ndë Lidhë e ndë Saronë, e u kthienë mbë Zonë.
36 E ndë Iop qe një mathitrië që quhej Tavitha, që domethënë Zorkadhe. Ajo ish plot nga punëra të mira e nga eleimosine që bën.
37 E gjau të sëmurej mb’ato dit e të vdis ajo; e si e lajtinë atë, e vunë ndë çardhak.
38 E si është Lidha afër Iopit e digjuanë mathitejtë që Petrua ësht’ atje, dërguanë nde ai di njerëz, e i lutishnë të mos përtojë të vijë ngjera mbë ta.
39 Edhe Petrua u ngre, e vate me ta bashkë. E si vate, e hipnë ndë çardhak. E duallë përpara gjithë grat’ e va, tuke qarë e tuke dëftuarë këmishëra e rroba që kish bërë ngjera sa ish me ato bashkë Zorkadhea.
40 E si i kreu Petrua gjithë jashtë, e unji gjunjëtë mbë dhe e u fal; u kthie prej kurmit, e tha: O Tavitha, ngreu. E ajo hapi sit’ e saj, e si pa Petronë u ngre të rrij.
41 E si i dha asaj dorënë, e ngrijti atë; e thirri Shënjtorëtë edhe të vatë, e ua nxori atë përpara të gjallë.
42 E u digjua këjo ndë gjithë Iop, e shumë besuanë mbë Zotnë.
43 E gjau të rrij ai shumë dit ndë Iop, ndë shtëpi të njëjt Simon Tabakut.
Sauli bëhet i krishterë
(Vp 22.6-16Vp 26.12-18)1 Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti 2 dhe i kërkoi që ky t'i shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem.
3 Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit. 4 Ai u rrëzua e dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?». 5 Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?». Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui që ti po përndjek . 6 Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh».
7 Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. 8 Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. 9 Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri, as nuk piu për tri ditë.
10 Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hananiah. Zoti i tha atij në një vegim: «Hananiah!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot». 11 Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet “e Drejtë” dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet 12 dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hananiah duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që t'i kthehet shikimi». 13 Por Hananiahu u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë të shenjtëve të tu në Jerusalem ky njeri. 14 Ndërsa këtu ka ardhur i ngarkuar nga kryepriftërinjtë për t'u vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty». 15 Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. 16 Unë do t'i tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim».
17 Atëherë Hananiahu shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin e i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që t'u shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e shenjtë».
18 Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua 19 dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia.
Sauli predikon në Damask
Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask 20 e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë. 21 Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për t'u vënë prangat e për t'i çuar te kryepriftërinjtë?».
22 Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti.
Sauli u ikën Judenjve
23 Pasi kaluan disa ditë, judenjtë i ngritën kurth për ta vrarë, 24 por Sauli e mori vesh kurthin e tyre. Natë e ditë ata i ruanin portat e qytetit që ta vrisnin Saulin. 25 Atëherë dishepujt e tij e morën natën, e nxorën nga e çara e një muri dhe e zbritën me një kosh.
Sauli në Jerusalem
26 Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, se nuk besonin që ai ishte dishepull. 27 Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit.
28 Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit. 29 Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin. 30 Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars.
31 Ndërkohë, në të gjithë Judenë, Galilenë e Samarinë, kisha kishte paqe dhe përparonte duke jetuar me druajtjen e Zotit e rritej me ngushëllimin e Shpirtit të shenjtë.
Shërimi i Eneas
32 Ndërsa Pjetri po përshkonte gjithë krahinat përreth, shkoi edhe te të shenjtët që jetonin në Lidë. 33 Atje gjeti një njeri me emrin Enea, i cili kishte tetë vjet që dergjej në shtrat, i paralizuar. 34 Atëherë Pjetri i tha: «Enea, Jezu Krishti po të shëron. Ngrihu e rregulloje shtratin!». Ai u ngrit menjëherë. 35 Të gjithë banorët e Lidës e të Sharonit e panë këtë e u kthyen te Zoti.
Pjetri në Lidë e në Jopë
36 Në Jopë jetonte një dishepulle me emrin Tabita, që e përkthyer do të thotë Gazelë. Ajo bënte shumë vepra të mira e jepte shumë lëmoshë. 37 Ato ditë ajo u sëmur e vdiq. Pasi e lanë me ujë, e vendosën në dhomën e sipërme. 38 Lida ishte afër Jopës dhe dishepujt, kur dëgjuan se Pjetri ishte aty, dërguan tek ai dy burra me këtë lutje: «Eja te ne pa vonesë». 39 Atëherë Pjetri u ngrit e shkoi me ta.
Kur arriti, e çuan te dhoma e sipërme. Të gjitha vejushat iu afruan duke qarë e duke i treguar tunikat e rrobat e tjera që kishte bërë Gazela kur kishte qenë gjallë. 40 Pjetri i nxori të gjithë përjashta dhe ra në gjunjë e u lut. Pastaj iu drejtua të vdekurës e tha: «Tabita, ngrihu!». Atëherë ajo hapi sytë, pa Pjetrin dhe u ngrit ndenjur. 41 Pjetri i dha dorën dhe e ngriti në këmbë.
Pastaj thirri të shenjtët dhe vejushat dhe ua tregoi Tabitën gjallë. 42 E gjithë Jopa e mori vesh këtë gjë e shumë veta besuan në Zotin. 43 Ndërkohë Pjetri qëndroi në Jopë për pak kohë me njëfarë Simoni që ishte lëkurëpunues.