Krie e gjashtëtë
1 E mb’ato dit ahiere si u shtuanë mathitejtë, qërtoijnë Elinëtë me Çifut, se mbë punëra të çdo ditet nukë vijnë re grat’ e va të turetë.
2 E si thirrë të dimbëdhjetë turmën’ e mathitivet, u thanë: Nuk’ ësht’ e pëlqierë ndë nevet të lëmë dhidhahin’ e Perndisë e të punojëmë ndë mësallëra.
3 Zgjidhi adha, vëllazër, shtatë njerëz nga ju me ëmër të mirë, plot me dhurëti të Shënjtit Shpirt, e me sofi; ata do t’i vëmë mbë këtë punë.
4 E navet do të presëmë ndë të luturë e ndë punë të dhidhahisë.
5 E u duk këjo fjalë e pëlqierë përpara gjithë turmësë. E zgjodhë Stefanë, njeri plot nga besë, e nga Shënjti Shpirt, e Filipponë, e Prohoronë, e Nikanoranë, e Timonë, e Parmenanë, e Nikollënë Prosilitnë nga Antiohia.
6 Këta i prunë përpara apostojet; e si u lutnë, vunë duartë mbi ta.
7 E fjala e Perndisë rritej, e shtonej nëmuri i mathitivet ndë Ierusalim shumë. Edhe shumë turmë priftëret gjegjejnë besënë.
8 E Stefani plot me besë e me fuqi bën çudira e thavmëra të mëdha ndë llao.
9 Ma u ngrenë ca nga Sinagoji që thuhetë i Livertinëvet, edhe i Qirinevet, edhe i Aleksandhrinovet, edhe ca nga Qiliqia, e nga Asia, e bëijnë filloniqi me Stefanë.
10 E s’mundnë të qëndroijnë kondrë ndë sofi e ndë Shpirt që flit.
11 Ahiere vunë fshehura njerëz të thoshnë, se: Navet e digjuam atë që thosh fjalë të shara kondrë Moisiut, edhe kondrë Perndisë.
12 E nakatosnë llaonë, edhe pleqësinë, edhe grammatejtë. E erdhë e e rrëmbienë atë, e e shpunë ndë sinodh.
13 E nxuarë martirë të rrem, që thoshnë: Kij njeri nukë pushon tuke kuvënduarë të shara kondrë këtij vëndit së shënjtëruarë edhe kondrë nomit.
14 Sepse na digjuam këtë që thosh që: Kij Iisui Nazoreua, do të prishjë këtë vënd e do të ndërrojë adetetë që na dha navet Moisiu.
15 E si shtinë sitë mbë të gjith’ ata që rrijnë ndë sinodh, panë faqen’ e tij posi faqe Ëngjëllit.
Zgjedhja e shtatë dhjakëve
1 Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, greqishtfolësit u ankuan ndaj hebraishtfolësve, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit.
2 Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve e thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë. 3 Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirt e me urti, që t'i ngarkojmë me këtë detyrë. 4 Ne, nga ana jonë, do t'i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës». 5 Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin e Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve . 6 Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta.
7 Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin.
Padia kundër Stefanit
8 Stefani, njeri plot hir e fuqi, bënte mrekulli e shenja të mëdha në popull. 9 Atëherë, disa nga sinagoga e të ashtuquajturve libertinë, bashkë me disa kireneas, me disa aleksandrinë dhe me disa judenj nga Kilikia e Azia, filluan të rragateshin me Stefanin. 10 Por ata nuk mundën t'i bënin ballë urtisë dhe Shpirtit që i ndriçonte mendjen kur fliste. 11 Atëherë vunë disa njerëz të thoshin se e kishin dëgjuar duke thënë fjalë fyese kundër Moisiut e Perëndisë.
12 Kështu, ngritën në këmbë popullin, pleqtë e shkruesit dhe iu afruan Stefanit, e kapën dhe e çuan para sinedrit. 13 Aty sollën disa dëshmitarë të rremë që thanë: «Ky njeri nuk ka reshtur së foluri kundër këtij vendi të shenjtë e kundër Ligjit. 14 Ne e kemi dëgjuar të thotë se ky Jezui i Nazaretit do ta shkatërrojë këtë vend e do t'i ndryshojë doket që na ka lënë Moisiu». 15 Të gjithë ata që ishin ulur në sinedër e panë me vëmendje dhe panë se fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli.