Krie e katërmbëdhjetëtë
1 E kur arrijtinë ndë Konië, ashtu van’ ata ndë sinaguaj të çifutet, e bënë të tillë dhidhahi sa që besoi një turm’ e madhe prej çifutet edhe Elinëvet.
2 Ma Çifutë që nukë kishnë besuarë, u ngrenë mbë këmbë e egërcuanë shpirtërat’ e Ethnikovet kondrë vëllazëret.
3 Po qëndruanë atje shumë kohë e dhidhaksnë faqeza kumbisurë te Zoti që u veveos fjalën’ e dhurëtisë tij, e u ip të bënishnë nishane e çudira me anë të duarvet së ture.
4 E u shqie turm’ e qutetit, e ca ishnë me anë të Çifutet, e ca me anë t’Apostojet.
5 Ma kur u ngrenë Ethnikotë edhe Çifutë me të parët’ e ture t’i ksenderoijnë e t’i vrisnë ata me gurë.
6 Si e panë, iknë e vanë ndëpër qutete të Likaonisë, ndë Listrë, edhe ndë Dhervë, edhe ndëpër gjithë fshatëra rrotullë.
7 E rrijnë atje, e dhidhaksnë Ungjillë.
8 E ndë Listrë gjëndej një njeri i smundurë nga këmbëtë, që ish i çalë nga barku i s’ëmmësë tij; ai nukë pat ecurë kurrë.
9 Kij rrij e digjon dhidhahin’ e Pavllosë, e Pavllua si e vështroi atë mirë, e si pa që kish besë për të sosurë.
10 I thotë me zë të madh: Ngreu mbë këmbë të tua shtruara. E këceu, e ecën.
11 E turmëtë si panë këtë që bëri Pavllua, ngrijtinë zën’ e ture, me gjuhë të Likaonëvet, e thanë: Pernditë u bënë mbë të gjarë si njerëz, e zbritnë mbë ne.
12 E Varnavënë e thërrisnë Dhia, e Pavllonë Ermi, sepse ai ish i pari i fjalësë.
13 E prifti i Dhiësë, që kish naonë përpara qutetit së ture, pru dema me kurorëra përpara portëravet bashkë me turmëtë, e duan të bën kurban.
14 E si digjuanë këtë Apostojtë Varnava edhe Pavllua, xuarrë rrobat’ e ture, e hinë brënda ndë turmë, tuke thirrturë.
15 E thoshnë: Njerëz, ç’janë këto që bëni? Edhe navet njerëz jemi që vdesëmë me juvet bashkë, po u dhidhaksjëmë juvet të hiqi nga këto gënjeshtra, e të ktheneni ndë Perndin’ e gjallë, që ka bërë Qiellnë edhe dhenë, edhe Detnë, edhe gjithë sa janë brënda nd’ato.
16 Ai që ndë breza që shkuanë pat lënë gjithë Filitë të ecëijnë nd’urdhëra të ture.
17 Ndonëse nuk’ e la vetëhenë pa çfaqurë, tuke bërë nevet të mira, e tuke dhënë nga Qielltë shira, e kohëtë plot me pemmë, e tuke dhënë pa kurcim t’ushqieritë e gëzimnë ndë zëmëra tona.
18 E si thanë këto, mezi u mbushnë kokënë turmavet që të mos therë kurban ature.
19 Ma arrijtinë nga Antiohia e nga Konja Çifutër, e bindnë turmëtë, e i ranë Pavllosë me gurë e e nxuarë jashtë nga quteti, sepse pandehnë se ish vdekurë.
20 Ma si e pushtruanë atë rrotullë mathitejtë, u ngre e hiri ndë qutet. E nesëret dolli bashkë me Varnavënë për ndë Dhervë.
21 E si rrëfienë Ungjillë mb’atë qutet, e si bënë shumë mathitej, u kthienë ndë Listrë, e ndë Konjë, e nd’Antiohi.
22 E stereosnë shpirtërat’ e mathitivet, tuke paraqinisurë të qëndroijnë pa luajturë ndë besë, edhe se ndë mbretëri të Perndisë duhetë të hijëmë na me shumë shtrëngime.
23 E si u hirotonisnë ature priftëre mbë çdo qishë, pas të falit e pas agjërimit, i akumbisnë ata mb’anë të Zot që panë besuarë.
24 E si shkuanë ndëpër Pisidhi, erdhë ndë Pamfili.
25 E si dhidhaksnë fjalën’ e Perndisë ndë Pergë, zbritnë ndë Atalë.
26 E ateje bënë plëhurë për Antiohi, atje tek panë qenë dhënë ndë hir të Perndisë për punë që sosnë.
27 E me të ardhurë të ture mbëjodhnë qishënë, e u rrëfeijnë sa pat bërë Perndia me anë të ture, e që hapi derën’ e besësë edhe ndë filira të tjera.
28 E qëndruanë atje jo pak kohë bashkë me mathitej.
Pali e Barnaba në Ikon
1 Në Ikon, Pali e Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në një mënyrë të tillë saqë një numër i madh judenjsh e helenësh besuan në Jezuin. 2 Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve. 3 Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin shenja e mrekulli, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.
4 Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë, disa me apostujt. 5 Kur kombet dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, shestuan që t'i keqtrajtonin e t'i vrisnin me gurë, 6 apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth. 7 Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.
Pali e Barnaba në Listër
8 Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë. 9 Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej, 10 i tha me zë të lartë: «Ngrihu më këmbë!». Atëherë ai u ngrit më këmbë e filloi të ecte.
11 Kur panë se ç'bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në trajtë njeriu!». 12 Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.
13 Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t'u kushtonin flijime. 14 Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur: 15 «O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to. 16 Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre. 17 Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja».
18 Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime.
19 Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur. 20 Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.
Kthimi në Antiokinë e Sirisë
21 Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki. 22 Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve e u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë». 23 Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar.
24 Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili. 25 Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë e shkuan në Atali. 26 Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar.
27 Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve. 28 Pali e Barnaba ndenjën atje me dishepujt për shumë kohë.