Krie e njëmbëdhjetëtë
1 E digjuanë Apostojtë edhe vëllazëritë, që ishnë ndë Iudheë, se edhe të pabesëtë e dheksnë fjalën’ e Perndisë.
2 E kur vate Petrua nd’Ierusalim, qërtoijnë me atë ata që kishnë Peritomi.
3 E i thoshnë: Pse vajte ndë njerëz që s’janë peritemnurë, e hangre me ta?
4 E si nisi Petrua, u dëfton ature një nga një, e u thosh.
5 Unë jeshë ndë qutet ndë Iop e faleshë, e paçë ndë një ekstas këtë të parë, njëfarë enë posi çarçaf i madh varturë nga të katër anëtë, e zbriti nga Qielltë e erdhi ngjera tek u.
6 E tuke vështruarë mb’atë, kupëtova. E paçë bagëti katërkëmbëja të dheut, edhe bishëtë, edhe gjërpinjtë, edhe zogjt’ e Qiellit.
7 E digjova një zë që më thosh: Ngreu, Petro, e pre, e ha.
8 E unë thaçë: Mos qoftë, o Zot, se ndonjë e ndierë a e pëgërë nukë hiri kurrë ndë gojë time.
9 E m’u përgjegj për së ditit zëri nga Qielli: Ato që ka Perndia të qëruara, ti mos i kij për të pëgëra.
10 E këjo u bë ngjera mbë të tretënë herë. E përsëri u hoqnë të gjitha ndër Qiell.
11 E ja, atëherë arrijtinë tre njerëz mbë shtëpi tek jeshë konepsurë, të dërguarë nga Qesaria tek u.
12 E Shpirti më tha mua të bashkonem me ta, pa ndonjë të ruajturë. E erdhë bashkë me mua edhe këta të gjashtë vëllazër, e hijtim ndë shtëpi t’atij njeriut.
13 E ai na rrëfeu nevet qish pa Ëngjëllinë që i dolli përpara ndë shtëpi të tij, e i tha atij: Dërgo njerëz ndë Iop, e thirrë Simonë që quhetë Petro.
14 E ai do të të thotë ti fjalë, e me ato fjalë do të shpëtoç ti edhe gjithë shtëpia ote.
15 E poqë nisa unë të kuvëndojë, zbriti Shënjti Shpirt mbi ta, si edhe mbi nevet herën e parë.
16 E më erdhi ndë fiqir fjala e Zotit, kur thosh, që: Ioanni pagëzoi me ujë, ma juvet do të pagëzoneni me Shpirt Shënjt.
17 Nd’është dha që të tillënë dhurëti dha Perndia mb’ata që besuanë mbë Zotnë Iisunë Hristonë, posi edhe ndë nevet, ç’jam unë i zoti që të mbodhis Perndinë?
18 E si digjuanë këto fjalë pushuanë, e lëvdoijnë Perndinë, e thoshnë: Adha edhe ndë të pabesë paska dhënë Perndia metani për jetë.
19 Ata dha që qenë përhapurë nga helmi që u bë për Stefanë, vanë ngjera mbë Finiq, edhe ndë Qipro, edhe nd’Antiohi, pa folë njeriut fjalënë, përveçme Çifutet.
20 E ca prej suresh ishnë nga Qiprua edhe nga Qirini. Këta, si hinë nd’Antiohi, flisnë mbë Elinë e u vangjelisnë Zotnë Iisunë.
21 E dor’ e Zotit ish me ta bashkë, e shumë nëmurë njerëzet si besuanë, u kthienë mbë Zotnë.
22 E u digjua këjo fjalë ndë veshë të Qishësë që qe nd’Ierusalim për këta. E dërguanë Varnavënë të vij ngjera nd’Antiohi.
23 E ai si vate e pa dhurëtin’ e Perndisë, u gëzua, e i porsiti të gjithë të rrijnë me zëmërë të drejtë mbanë Zotit.
24 Sepse ish njeri i mirë e plot prej Shënjtit Shpirt e prej beset. E u shtua shumë turmë njerëzet mbë Zonë.
25 E Varnava u nis për Tarso të kërkon Savllonë, e si e gjeti atë, e pru atë nd’Antiohi.
26 E qëndruanë një motëmot të tërë mbë Qishë, e dhidhaksnë shumë botë, kaqë që nd’Antiohi protoparë u quajtinë mathitejtë Hristianë.
27 E mb’ato dit zbritnë nga Ierusalimi nd’Antiohi profitër.
28 E si u ngre një prej suresh që quhej Agavo, shënoi me anë të Shënjtit Shpirt një uje të madhe që do të bënej ndëpër gjithë dhe. E ajo uje u bë ndë kohë të Qesar Kllavdhiut.
29 E nga mathitejtë sikundrë kish gjithëkush, apofasisnë cilido t’u dërgoijnë ndihmë vëllazëret që rrijnë ndë Iudheë.
30 (Si)kundrë edhe e bënë, e u dërguanë pleqet me dorë të Varnavësë edhe të Savllosë.
Pjetri para kishës në Jerusalem
1 Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. 2 Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, besimtarët e rrethprerë e sulmuan me fjalë 3 e i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta».
4 Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur: 5 «Isha në qytetin e Jopës e po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë. 6 Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësha të tokës, egërsira, rrëshqanorë e shpendë të qiellit. 7 Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha”. 8 Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, se nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra”.
9 Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”. 10 Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell. 11 Menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezareja, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne. 12 Shpirti më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu. 13 Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër. 14 Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen”.
15 Kur fillova të flisja, Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim. 16 Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë”. 17 Nëse Perëndia u dha kombeve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?».
18 Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe kombeve pendimin që udhëheq drejt jetës».
Kisha në Antioki
19 Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve e askujt tjetër. 20 Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës. 21 Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti. 22 Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki.
23 Kur ai arriti atje dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua e i porositi të gjithë që t'i qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër. 24 Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin.
25 Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin. 26 Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë.
27 Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi. 28 Njëri prej tyre, që quhej Hagab, tregoi me anë të Shpirtit se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi. 29 Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit që ishin në Jude. 30 Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën e Saulin.