Krie e tretë
1 Ndashti këtë të diç, se ndë dit të pastajme do të vijënë kohëra të këqia.
2 Sepse do të bënenë njerëzitë miqt’ e vetiut, Lakëmeës, Qenodhoksë, Perifanë, Mallëkeës, të pabindurë ndë përind, të panjohurë të mirëtë, të paudhë.
3 Të padhëmburë, të papaq, kallëzeës, të pambajturë, t’egrë, të padashurë të mirënë.
4 Prodhotë, arsëzë, të frijturë, e të duanë të pëlqieratë më shumë se Perndinë.
5 E që kanë të dukurit’ e evsevisë, ma fuqin’ e saj e kanë arnisurë. Edhe nga këta mërgou.
6 Sepse nga këta janë ata që hijënë ndëpër shtëpira, e skllavosjënë grazatë që janë ngarkuarë me faje, e hiqenë ndë çdolloi dëshërime.
7 Ato gjithënjë mpsojënë, ma kurrë nukë mundjënë të vijënë ndë të njohurë të së vërtetësë.
8 Ma sikundrë i qëndruanë karshi Moisiut Ianniu edhe Iamvriu, kështu edhe këta qëndrojënë karshi ndë të vërtetë, njerëz me mënd të prishura, të padhoqimi ndë besë.
9 Ma nukë do të prokopsjënë më tepërë, sepse marrëzia e ture do të çfaqetë ndë gjithë botë, sikundr’ u çfaq edhe e aturevet.
10 Po ti ke ardhurë pas dhidhaskalisë sime, pas jetësë sime, pas kshillit sim, pas besësë sime, pas zëmërësë madhe sime, pas dashurisë sime, pas durimit sim.
11 Të ndjekurat’ e mia, të pësuaratë që më gjajtinë mua nd’Antiohi, nd’Ikoni, ndë Listrë, çfarë lloi të ndjekura pësova, e nga të gjitha më shpëtoi mua Zoti.
12 Po gjith’ ata që duanë të rrojënë si të kështërë mbë Krishtinë Iisunë, do të ndiqenë.
13 Ma njerëzit’ e këqinj e gënjeshtjarëtë do të venë nga e keqa ndë të më të keqe, tuke gënjierë botënë e tuke gënjierë ata nga bota.
14 Po ti të qëndroç mb’ato që mpsove, mb’ato që të janë dhënë, sepse e di nga kush i mpsove.
15 E sepse që nga foshnjëria ote ke mpsuarë grammatit’ e Shënjtëruara, ato që mundjënë të të mpsojënë për shpëtim, me anë të besësë që është mbë Hristonë Iisunë.
16 Gjithë karta e folë si do Perndia, ësht’ e vëjierë për të dhidhaksurë, për të qërtuarë, për të dhiorthosurë, për të dërtuarë ndë të munduarë mbë të drejtë.
17 Që të jetë i tërë njeriu i Perndisë gati mbë çdofarë punë të mirë.
Njerëzit në ditët e fundit
1 Duhet ta dish se në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira. 2 Njerëzit do të jenë vetëdashës, lakmitarë parash, mburravecë e mendjemëdhenj. Ata do të fyejnë Perëndinë dhe nuk do t'u binden prindërve. Do të jenë mosmirënjohës, të pafe, 3 pa dashuri njerëzore, zemërakë, shpifës, të papërmbajtur, shtazarakë, që nuk e duan mirësinë, 4 tradhtarë, kokëkrisur dhe fodullë. Ata do të jepen më shumë pas kënaqësive, sesa do të duan Perëndinë; 5 do të jenë të përkushtuar ndaj tij në dukje, por në të vërtetë do ta kenë mohuar fuqinë e besimit. Largohu edhe nga këta.
6 Sepse disa prej këtyre përvidhen në shtëpitë e grave mendjelehta e mëkatare dhe i bëjnë për vete. Këto gra sundohen nga dëshira të ndryshme 7 dhe megjithëse përpiqen gjithnjë të mësojnë, nuk arrijnë asnjëherë të njohin plotësisht të vërtetën. 8 Ashtu si Janesi e Jambresi kundërshtuan Moisiun, po kështu edhe këta njerëz i kundërvihen të vërtetës, sepse janë mendjeprishur e mospërfillës ndaj besimit. 9 Këta nuk do të shkojnë shumë larg, sepse marrëzia e tyre do të duket sheshit para të gjithëve, ashtu sikurse ndodhi edhe me Janesin e Jambresin.
Porosi për Timoteun
10 Përkundrazi, ti Timote ke ndjekur nga afër mësimin tim, sjelljen, qëllimin, besimin, durimin, dashurinë, qëndresën, 11 përndjekjet e vuajtjet që pësova në Antioki, në Ikon e në Listër. Durova shumë përndjekje, por Zoti më shpëtoi nga të gjitha. 12 Në të vërtetë, të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë të përkushtuar ndaj Krishtit Jezu, do të përndiqen. 13 Ndërsa njerëzit e ligj e mashtrues do të bëhen edhe më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar.
14 Por ti vazhdo të qëndrosh në ato që mësove e për të cilat u binde plotësisht, se ti e di prej kujt i mësove. 15 Që nga fëmijëria ti i ke njohur Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të japin urtinë që të çon drejt shpëtimit përmes besimit në Krishtin Jezu. 16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje e për edukim në drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përgatitur plotësisht dhe i aftë për çdo vepër të mirë.