Krie e katërtë
1 Ma Shpirti thotë faqeza, se ndë kohëra të pastajme do të mërgonenë dica nga besa, të mbajënë vesh ndë shpirtëra të gënjeshtrësë, e ndë dhidhaskalira të së paudhëvet.
2 Tuke thënë me ipokris(i) gënjeshtrënë, njerëz që kanë fiqir’ e ture të djegurë.
3 Që mbodhisjënë të martonenë, e të ruhenë nga të ngrënatë, që bëri Perndia për të ngrënë me efharisti ata që besojënë, edhe ata që njohënë Perndinë.
4 Sepse çdo punë që bëri Perndia ësht’ e mirë, e s’është ndonjë e shtirë poshtë, kur mirretë me efharisti.
5 Sepse shënjtëronetë me anë të fjalësë Perndisë, e me anë të së luturit.
6 Nd’u thafç të tila fjalë vëllazëret, do të jeç shërbëtuar i mirë i Iisu Hristoit, i ushqierë me fjalë të besësë e të dhidhaskalisë mirë, e asaja që je mbë të mpsuarë.
7 Ma prallat’ e pëgëra e të plakavet lei, e mpso vetëhenë mbë evsevi.
8 Sepse të punuarit’ e kurmit pak vëjen, ma evsevia e besa ësht’ e vëjierë mbë të gjitha, e ka të taksura të kësaj jetet e t’asaj që vjen.
9 Këjo fjalë ësht’ e besuarë, e shumë e dheksurë.
10 Sepse për këtë mundonemi, e jemi të sharë, sepse shpërejmë mbë Perndin’ e gjallë, që ai shpëton gjithë njerëzitë, e më shumë ata që besojënë.
11 Porsit këto, e dhidhaksi.
12 Ndonjë le të mos të shajë të ritë tat, po bënu ksomblë nd’ata që besojënë, mbë të folë, mbë të pjekurë, mbë dashuri, mbë Shpirt, mbë besë, mbë të qëruarë.
13 Ngjera sa të vij unë, qëndro ndë të dhiavasurë, ndë të parigorisurë, e ndë të dhidhaksurë.
14 Mos harxhoç dhurëtinë që është tek ti, që t’u dha me anë të profitisë, me të vënë duartë mbi krie të priftërisë.
15 Këto kij ndër mënd, mbë këto punëra qëndro pa luajturë, që të duketë mbë gjithë të prokopsuritë tat.
16 Vështro mbë vetëhe tënde, e mb’ato që mpsove, e qëndro mbë to, sepse ndë bëfç kështu, edhe vetëhenë tënde do të shpëtoç, edhe ata që të digjojënë tij.
Mohimi i besimit
1 Shpirti e thotë qartë se në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke dëgjuar shpirtrat e rreme dhe mësimet e djajve. 2 Ata do të mashtrohen nga njerëz hipokritë e gënjeshtarë, ndërgjegjja e të cilëve është damkosur. 3 Ata ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hani nga ushqimet që Perëndia i krijoi. Ai i krijoi këto ushqime që, ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën, t'i hanë duke e falënderuar. 4 Çdo gjë që Perëndia krijoi është e mirë dhe asgjë nuk është për t'u hedhur nëse merret duke e falënderuar atë, 5 sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.
Shërbëtori i mirë i Krishtit
6 Nëse ua mëson këto gjëra vëllezërve, do të jesh një shërbëtor i mirë i Krishtit Jezu, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë që ke ndjekur. 7 Shmangu, pra, nga përrallat e marra dhe profane të plakave dhe ushtroje veten në përkushtimin ndaj Perëndisë,
8 sepse ushtrimi i trupit
është pak i dobishëm,
por përkushtimi ndaj Perëndisë
është i dobishëm për gjithçka.
Ky përkushtim mbart premtimin
e jetës së tashme dhe asaj të ardhshme.
9 Kjo fjalë është e besueshme
dhe e denjë të pranohet plotësisht.
10 Për këtë, pra, po mundohemi e po luftojmë, sepse kemi shpresë në Perëndinë e gjallë që është shpëtimtari i të gjithë njerëzve, sidomos i besimtarëve.
11 Këto gjëra t'ua urdhërosh e t'ua mësosh të tjerëve. 12 Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët me fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim e në dëlirësi. 13 Kushtoju leximit të fjalës para bashkësisë, këshillimit dhe mësimdhënies derisa të vij unë. 14 Mos e lër pas dore dhuntinë që ke, e cila t'u dha përmes profecisë dhe vënies së duarve nga pleqtë e kishës. 15 Mbaji mend këto gjëra e kushtoju atyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. 16 Kujdesu për veten dhe për mësimin, këmbëngul në këto gjëra, pasi duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.