Krie e tretë
1 Andaj si nukë mundjëm të durojëm, u silloism që është më mirë të mbetemi vetëmë nd’Athinë.
2 E dërguam Timotheonë, vëllanë tënë e punëtuarin’ e Perndisë, e shoknë tënë me ne bashkë mb’Ungjill të Krishtit, që t’u stereosjë juvet, e t’u apë juvet nasihat ndë besë tuaj.
3 Që të mos trubullonetë njeri ndë këto shtrëngime, sepse edhe ju vetë e diji, që për këto jemi dhiorisurë.
4 Sepse edhe kur jeshëm ati ndër ju, ua thoshëm juvet më përpara që duamë të kemi shtrëngime, sikundr’ edhe u bë, edhe e diji.
5 Pra andaj edhe unë si s’munda më të durojë, dërgova të njoh besënë tuaj, se mos u guciti juvet ai që gucit, e bënetë mundimi inë mbë të mbrazëtë.
6 Ndashti pa si u kthie Timotheoi nga juvet ndër nesh, e na pru habere të mira nevet për besë e për dashuri tuaj, e që kujtoni nevet kurdo për të mirë, e dëshëroni të na shihni nevet, sikundrë kemi edhe na dëshërim që t’u shohmë juvet.
7 Andaj jemi parigorisurë shumë, vëllazër, mbë juvet, ndë mes të gjithë helmevet e të shtrëngimevet sona, për besë tuaj.
8 Sepse nevet ndashti rrojmë, ndë qëndrofi juvet pa luajturë mbë Zonë.
9 Sepse çfarë efharistia mundjëmë nevet t’apëmë te Perndia për juvet, për gjithë gëzim që kemi për juvet përpara Perndisë sonë?
10 Nat’ e ditë i lutemi Perndisë më tepërë, që të shohmë faqenë tuaj, e të paguajmë atë që lipsetë ndë besë tuaj.
11 Vetë Perndia, adha, e Babai inë, edhe Zoti inë Iisu Hristoi të na ndreqjë udhënë tënë të vijmë ndër juvet.
12 E bëftë Zoti që të shtoni juvet, e të tepëroni ndë dashuri njeri me jatërinë, edhe mbë të gjithë, si edhe na mbë juvet.
13 Që të stereosenë zëmëratë tuaj pa faj ndë Shënjtëri, përpara Perndisë e babait sonë, mbë t’ardhurë të Zotit sonë Iisu Hristoit, bashkë me gjithë Shënjtorë të tij.
1 Ne nuk po duronim dot më, prandaj vendosëm të qëndronim vetë në Athinë 2 dhe te ju të dërgonim Timoteun, vëllanë tonë, që i shërben Perëndisë bashkë me ne për predikimin e ungjillit të Krishtit, që t'ju forcojë dhe t'ju këshillojë për besimin tuaj, 3 që asnjëri të mos lëkundet nga vuajtjet që po kaloni. Ju vetë e dini se këto gjëra na presin. 4 Kur ishim me ju, ne ju paralajmëruam se do të përndiqeshim, dhe siç e dini kjo ndodhi. 5 Prandaj edhe unë nuk durova dot më dhe e dërgova Timoteun, që të marr vesh për besimin tuaj, se mos tunduesi ju kishte tunduar dhe mundi ynë kishte shkuar dëm.
6 Por Timoteu është kthyer tashmë prej jush dhe ka sjellë lajme të mira për besimin dhe për dashurinë tuaj, dhe se ju ruani kujtime të mira për ne dhe keni mall të na shihni, sikurse kemi edhe ne mall t'ju shohim.
7 Prandaj, o vëllezër, mes gjithë mundimeve e vuajtjeve që po kalojmë, gjetëm ngushëllim falë besimit tuaj. 8 Sepse tani që morëm vesh se ju qëndroni të fortë në Zotin, ne jetojmë me të vërtetë. 9 Me çfarë fjalësh mund ta falënderojmë Perëndinë pas gjithë atij gëzimi që na dhatë para tij? 10 Ne i lutemi me gjithë zemër Perëndisë, natë e ditë, që t'ju shohim nga afër dhe të plotësojmë ato që ende i mungojnë besimit tuaj.
11 Vetë Perëndia, Ati ynë dhe Zoti ynë Jezu na drejtofshin udhën për te ju! 12 Zoti e shtoftë dhe bëftë që të teprojë dashuria juaj për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, ashtu siç është edhe dashuria jonë për ju! 13 Ai i forcoftë zemrat tuaja, që ju të jeni të shenjtë dhe të paqortueshëm para Perëndisë dhe Atit tonë kur Zoti ynë Jezu të vijë bashkë me të gjithë të shenjtët e tij! Amen!