1 O Perëndia i të marrit çpagime, o Zot Perëndia i të marrit çpagime, duku.
2 Lartohu, o gjykatës i dheut, ep çpagime madhështorëvet.
3 Gjer kur fajtorëtë, o Zot, gjer kur do të mburrenë fajtorëtë?
4 (Gjer kur) do të flasënë e do të ligjëronjënë të shtrëmbëra? Do të mburrenë gjithë ata që punonjënë pa-udhë?
5 Po shtrëngonjënë llausnë tënt, o Zot, edhe po i bënjënë keq trashëgimit tënt.
6 Vrasënë të venë e të huajnë, edhe vrasënë të varfëritë.
7 Edhe thonë: Nukë do të shohë Zoti, as do të kupëtonjë Perëndia i Jakovit.
8 Kupëtoni pra, ju të pa-mënçimit’ e llauzit. Edhe ju të marrëtë, kur do të urtësohi?
9 Ay që mbolli veshnë, nukë do të ndigjonjë, ay që krjoi synë, nukë do të shohë?
10 Ay që urtëson kombetë, nukë do të qërtonjë?
11 Ay që mëson njierëzitë mënt? Zoti ngjeh mendimet’ e njierëzet, se janë të kotë.
12 Lum ay njieri që e urtëson, o Zot, edhe e mëson me anët të nomit tënt.
13 Që t’e prënjç nga ditt’ e zeza, gjer sa të rrëmonetë gropë fajtorit.
14 Se Zoti nukë do të hedhë tej llausn’ e ti, edhe nukë do të heqë dorë prej trashëgimit ti.
15 Gjer sa të kthenetë gjyqi ndë drejtëri, edhe t’i venë pas gjithë ata që kanë zëmërë të drejtë.
16 Kush do të ngrihetë për mua kundrë të këqivet, kush do të dalë përpara për mua kundrë atyre që punonjënë pa udhë?
17 Se ndë mos më ndihtej Zoti, për pak shpirti im do të rrintej ndë vënt të pushimit.
18 Kur thoshnja: Shkau këmba ime, përdëllimi yt, o Zot, më ndihtej.
19 Ndë të shumëtit e të dhëmburavet zëmrësë s’ime, ngushëllimet’ e tu gëzuanë shpirtinë tim.
20 Mos ka shoqëri bashkë me ty fron’ i pa-udhërisë, që mendon shtrëmbëri ndë vënt të nomit?
21 Ata gjuanjënë shpirtin’ e të drejtit, edhe dëmëtonjënë gjak të pa-fajm.
22 Po Zoti më është mpshtetëje, edhe Perëndia im është ndihmësi i shpëresësë s’ime.
23 Edhe do t’ua apë pas pa-udhërisë atyre, edhe do t’i prishnjë pas së keqesë atyre. Zoti Perëndia ynë do t’i prishnjë.
1 O Zot, Perëndi shpagues,
o Perëndi shpagues, shkëlqe!
2 Ngrihu, o gjykatës i tokës,
jepu shpagimin krenarëve.
3 Deri kur të paudhët, o Zot,
deri kur do të ngadhënjejnë të paudhët?
4 Shpotitin e flasin me përbuzje,
mburren tërë ata që bëjnë paudhësi.
5 Popullin tënd po e shtypin, o Zot,
trashëgiminë tënde po e mundojnë.
6 Vrasin vejushën e të ardhurin,
jetimit i marrin jetën.
7 E thonë: «Nuk sheh Zoti,
Perëndia i Jakobit nuk kupton».
8 Merrni vesh, o tutkunët e popullit.
Ju, o të pamend, kur do të kuptoni?
9 Ai që përftoi veshin nuk dëgjuaka?
Ai që krijoi syrin nuk shikuaka?
10 Ai që qorton popujt nuk ndëshkuaka,
ai që dijen i mëson njeriut?
11 Zoti i njeh mendimet e njeriut,
të kota janë ato.
12 Lum njeriu që e qorton ti, o Zot,
e me ligjin tënd e mëson,
13 për t'i dhënë prehje në ditë fatkeqësie,
derisa të paudhit t'i jetë hapur gropa.
14 Se Zoti nuk e braktis popullin e vet,
trashëgiminë e vet nuk e hedh poshtë,
15 derisa gjykimi të shpallet sërish me drejtësi,
dhe tërë zemërdrejtët ta ndjekin.
16 Kush do të ngrihet për mua kundër të këqijve?
Kush do të dalë për mua kundër të paudhëve?
17 Po të mos më kishte ndihmuar Zoti,
për pak do të banoja në vendin e heshtjes.
18 Kur thashë: «Po më rrëshqet këmba!»,
më mbajti mirësia jote, o Zot.
19 Kur përbrenda më mbytin shqetësimet,
ma gëzojnë shpirtin ngushëllimet e tua.
20 A ka lidhje me ty froni i paudhësisë,
i cili sajon rregulla të marra me mashtrim?
21 Vërsulen kundër jetës së të drejtit
dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
22 Por Zoti u bë streha ime,
Perëndia im, shkëmbi ku gjej strehim.
23 Ai do t'i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre,
me vetë të keqen e tyre do t'i shfarosë,
Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë.