Mashhill i Asafit.
1 Përse, o Perëndi, (na) hodhe tej për kurdo? (Përse) nxier tym zëmërimi yt kundrë dhenet kullotësë s’ate?
2 Kujto përmbëledhëjenë tënde, të cilën’ e fitove që ndë krye të herësë, shkopn’ e trashëgimit tënt, që çpërbleve, këtë mal’ e Sionësë, që rri mbi atë.
3 Ngre duart’ e tua përherë mbi madhështit t’atyreve, për sa të këqia bëri arëmiku ndë të shënjtëruarinë (vëndinë) tënt.
4 Arëmiqt’ e tu ulurinjënë në mes të përmbëledhëjesë s’ate, vunë shënjet’ e tyre për shënje.
5 Ngjihetë, posi ndonjë që ngre sëpatënë mbi drurë të dëndurë.
6 Kështu tani ata dërrmuanë të gdhënduratë punët’ e ati përnjëherë me sëpata e me vare.
7 Doqnë me ziar shënjtërorenë tënde, ndynë për dhe vëndin’ e emërit tënt.
8 Thanë me zëmërët të tyre: Le t’i rrëzojmë bashkë; doqnë gjithë përmbëledhëjet’ e Perëndisë ndë dhet.
9 Nukë shohmë shënjetë t’ona, s’ka më profit, as ndonjë ndër ne të ngjohnjë se gjer kur.
10 Gjer kur, o Perëndi, do të çpërnderonjë arëmiku? Do të nëmonjë arëmiku emrinë tënt kurdo?
11 Përse kthen dorënë tënde, edhe të diathtënë tënde? Nxir-e prej mesit gjirit tënt së fundi.
12 Po Perëndia është që ndë krye të herësë mbëreti im, që punon shpëtim ndë mes të dheut.
13 Ti ndave detnë me anë të fuqisë s’ate, ti theve krerët’ e drangonjet ndë ujët.
14 Ti theve krerët’ e Leviathanit, ia dhe për të ngrënë llauzit që rri ndër shkretëtira.
15 Ti bëre të rriedhënë burime e përrenj, ti thave lumënj të mëdhenj.
16 Dita është joteja, edhe nata është joteja, ti bëre gati dritën’ edhe diellënë.
17 Ti vure gjithë sinoret’ e dheut, ti bëre verën’ edhe dimrinë.
18 Kujto këtë, (se) arëmiku çpërnderoi Zonë, edhe llauzi i marrë nëmoj emrinë tënt.
19 Mos u ep egërsiravet shpirtin’ e turtullit tënt, mos harrojsh kurrë mbëledhëjen’ e dorë-hollëvet tu.
20 Shtierë sytë mbi dhiatënë tënde, se u mbushnë vëndet’ e errëtë të dheut me shtëpia pa-udhëriash.
21 I mjeri mos u ktheftë prapazi i turpëruarë, dorë-holli edhe i nevojëshimi le të lavduronjënë emrinë tënt.
22 Ngreu, o Perëndi, gjyko gjyqnë tënt, kujto çpërnderimnë, që të bëri i marri gjithë ditënë.
23 Mos harrojsh zën’ e arëmiqet tu, të briturit’ e atyreve që janë ngriturë kundrë teje, po hipën gjithë-një.
1 Himn i Asafit.
Përse na hodhe poshtë përgjithnjë, o Perëndi?
Përse vlon zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate?
2 Kujto bashkësinë tënde që nga kohët e lashta fitove,
fisin, që shpëtove dhe trashëgiminë tënde e bëre,
malin e Sionit, ku banesën vure.
3 Drejtoji hapat e tu drejt këtyre rrënojave të përhershme,
armiku shkatërroi gjithçka në shenjtërore.
4 Armiqtë e tu ulërijnë në vendin tënd të shenjtë,
kanë ngritur emblemat e tyre.
5 Na u dukën si ata që vërvitin sëpatat
brenda në pyllin e dendur.
6 E tani me sëpata e me sakica
po ia thyejnë të gjitha gdhendjet.
7 I vunë zjarrin shenjtërores sate,
e rrafshuan, e përdhosën banesën e emrit tënd.
8 E thanë me vete: «T'i shfarosim të gjithë!».
I dogjën të gjitha vendet e shenjta të Perëndisë në këtë tokë.
9 Nuk i shohim më emblemat tona,
as profet nuk ka më,
e askush nga ne nuk e di
edhe sa kohë do të zgjatë.
10 Deri kur, o Perëndi, do të të poshtërojë armiku?
Përgjithmonë do ta përbuzë kundërshtari emrin tënd?
11 Përse e ke tërhequr dorën tënde?
Të djathtën tënde përse e mban në gji?
12 O Perëndi, ti je mbreti im që në lashtësi,
ai që sjell shpëtimin mbi tokë.
13 Me fuqinë tënde e ndave detin,
përbindëshave të ujit u thërrmove kokën.
14 Ti ia shtype kokën Leviatanit,
ia dhe për ushqim popullit të shkretëtirës.
15 Ti bëre të gëlojnë burime e përrenj,
ti thave lumenj të pashtershëm.
16 Jotja është dita, jotja edhe nata,
ti e krijove ndriçuesin dhe diellin.
17 Ti i caktove tërë kufijtë tokës,
ti e përftove verën edhe dimrin.
18 Kujtohu, o Zot, se armiku të ka poshtëruar,
se një popull i marrë ka përbuzur emrin tënd.
19 Mos ua jep bishave shpirtin e turtulleshës sate,
mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu.
20 Përfille besëlidhjen tënde,
se vendet e errëta të tokës
janë mbushur me strofka dhune.
21 I shtypuri mos u ktheftë i poshtëruar,
skamnori e nevojtari përlëvdofshin emrin tënd.
22 Ngrihu, o Perëndi, mbroje çështjen tënde,
kujto poshtërimet që të bën i marri tërë ditën!
23 Mos e harro britmën e armiqve të tu,
ulërimën e kundërshtarëve të tu,
që ngjitet lart pa pushim.