Psallm’ e Dhavidhit.
1 O Zot, ndigjo të faluritë t’im, mba-i vesh të luturit t’im, përgjeq-m’u pas së vërtetësë s’ate, edhe pas drejtërisë s’ate.
2 Edhe mos ryrë ndë gjyq bashkë me shërbëtorinë tënt, se as një i gjallë nukë do të dalë i drejtë përpara teje.
3 se arëmiku ndoqi shpirtinë t’im, përgjunji jetënë t’ime për dhe, më vuri të rrije ndë vënde të errëtë, si të vdekuritë gjithë-një.
4 Përandaj m’u zu fryma përbrënda meje, zëmëra ime m’u përzie.
5 Kujtonj ditt’ e lashta, mendonj gjithë punët’ e tua, shkonj ndër mënt të punuarat’ e duaret tua.
6 Ndënj duart’ e mia ndek ti, shpirti im (ka et) për ty, posi dheu i thatë. Sellah.
7 Shpejt ndigjo-më, o Zot, më zihetë fryma, mos kthe mb’-nj’-anë faqenë tënde prej meje, që të mos u shëmbëllenj atyreve që cbresënë ndë gropë.
8 Bë-më të ndigjonj përdëllimnë tënt ndë mëngjest, se shpëreva mbë ty; bëmë të ngjoh udhënë, që është për të ecurë, se vara shpirtinë t’im ndë ti.
9 Shpëto-më prej arëmiqet mi, o Zot, ndek ti erdha të mpshtetem.
10 Mëso-më të bënj dashurimnë tënt, se ti je Perëndia im, fryma jote e mira le të më heqë udhënë ndë vënt të drejtë.
11 Për punë të emërit tënt, o Zot, ep-më frymë të gjallë, për drejtërinë tënde nxir shpirtinë t’im prej ngushtimit.
12 Edhe për përdëllimnë tënt prish arëmiqt’ e mi, edhe hump gjithë ata që shtrëngonjënë shpirtinë t’im, se unë jam shërbëtori yt.
1 Psalm i Davidit.
O Zot, dëgjoje lutjen time,
vëri vesh përgjërimit tim, ti që je besnik,
përgjigjmu, ti që je i drejtë.
2 Mos bëj gjyq me shërbëtorin tënd,
se asnjë i gjallë nuk del i drejtë para teje.
3 Po më ndjek pas armiku,
jetën ma ka hedhur përdhe.
Më ka dëbuar në skuta të errëta,
porsi të vdekurit e kahershëm.
4 Ndaj po më zihet fryma,
përbrenda po më dridhet zemra.
5 Më kujtohen ditët e qëmoçme,
mendoj për gjithë veprat e tua,
sjell ndër mend punët e duarve të tua.
6 I kam shtrirë duart drejt teje,
shpirti im ka etje për ty, si toka e thatë. selah
7 Përgjigjmu shpejt, o Zot,
se mbeta pa frymë.
Mos e fshih fytyrën prej meje,
që të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
8 Shpallmë mirësinë tënde që në mëngjes,
se te ti kam besim.
Tregomë udhën ku duhet të eci,
se drejt teje e lartësoj shpirtin tim.
9 Shpëtomë nga armiqtë e mi, o Zot,
se te ti kam kërkuar strehë.
10 Mësomë të bëj vullnetin tënd,
se ti je Perëndia im.
Shpirti yt i mirë do të më prijë në vend të sheshtë.
11 Jepmë sërish jetë, o Zot, për hir të emrit tënd,
nxirrmë nga hidhërimi, ti që je i drejtë.
12 Shfarosi armiqtë e mi, ti që je i mirë,
shkatërroji të gjithë kundërshtarët e mi,
se unë jam shërbëtori yt.