Psallm’ e Dhavidhit.
1 Mos u zëmëro për punë të këqijvet, as mos ki zili atyreve që punonjënë pa udhë.
2 Se do të thahenë shpejt posi bari, edhe posi barisht’ e ngjomë do të fyshkenë shpejt.
3 Shpëre mbë Zotnë, edhe bën mirë, edhe rri ndë dhet, edhe kullot ndë të vërtetë.
4 Prehu mbë Zotnë, edhe do t’apë dhanë ç’kërkon zëmra jote.
5 Lerë mbë Zotnë udhënë tënde, edhe shpëre mb’atë, edhe ay do ta bënjë.
6 Edhe do të nxierë drejtërinë tënde posi dritë, edhe gjyqnë tënt posi mes dite.
7 Prehu mbë Zonë, edhe prit-e me durim; mos u zëmëro për atë që vete mbarë nd’udhë të ti, për njieri që punon pa udhë.
8 Pusho zëmërimnë, edhe lëre mërinë; mos u zëmëro, që të bëjsh keq.
9 Se të këqijtë do të vdirenë, po ata që presënë Zotnë, këta do të trashëgonjënë dhenë.
10 Sepse edhe pakëzë, edhe fajtori nukë do të jetë më, edhe do të kërkonjç vëndin’ e ati, edhe nukë do t’e gjejsh.
11 Po të butëtë do të trashëgonjënë dhenë, edhe do të prehenë ndë shumë paqtim.
12 Fajtori çpik ndër mënt punë kundrë të drejtit, edhe kërcëllin dhëmbët’ e ti kundrë ati.
13 Po Zoti do të qeshnjë me atë, sepse sheh se po vien dit’ e ati.
14 Fajtorëtë hoqnë shpatënë, edhe ngrehnë harkun’ e tyre, për të vënë poshtë dorë-hollinë edhe të nevojëshiminë, për të therrë udhë-drejtëtë.
15 Shpat’ e atyreve do të hynjë ndë zëmërë t’atyreve, edhe hargjet’ e atyreve do të thyhenë.
16 Më të mirë është të pakët’ e të drejtit, se të pasurit’ e shumë të fajtorëvet.
17 Se krahët’ e fajtorëvet do të thyhenë, po të drejtët i forcon Zoti.
18 Zoti ngjeh ditt’ e faqe-bardhëvet, edhe trashëgim’ i atyreve do të jetë për gjithë jetënë.
19 Nukë do të turpëronenë ndë kohë të keqe, edhe ndë ditt urie do të nginjenë.
20 Se fajtorëtë do të vdirenë, edhe arëmiqt’ e Zotit do të tretenë posi dhiamët’ e qëngjevet, edhe do të përndahenë posi tym.
21 Fajtori huetë e nuk’ ep prapë, po i drejti përdëllyen edhe ep.
22 Se të bekuarët’ e ati do të trashëgonjënë dhenë, edhe të mallëkuarët’ e ati do të prishenë.
23 Kur ndreqenë çapet’ e njieriut prej Zotit, ay pëlqen fort udhën’ e ati.
24 Kur të bierë, nukë do të dërrmonetë, se Zoti e mba për dore.
25 Qeshë i ri, edhe tani u mblakçë, edhe s’pashë ndonjë të drejtë hequrë dorë prej ati, as farën’ e ati të lypënjë bukë.
26 I drejti gjithë ditënë përdëllyen edhe huan, edhe far’ e ati është ndë bekim.
27 Mërgohu prej së keqesë, edhe bën mirë, edhe do të mbetesh ndë jetë të jetësë.
28 Se Zoti do gjyq, edhe s’heq dorë prej të drejtëvet ti; për gjithë jetënë do të ruhenë, po të pa-udhëtë do të dëbonenë, edhe far’ e të pa-besëvet do të vdiretë.
29 Po të drejtëtë do të trashëgonjënë dhenë, edhe do të rrinë nd’atë për gjithë jetënë.
30 Goj’ e të drejtit ligjëron dituri, edhe gjuh’ e ati flet gjyq.
31 Nom’ i Perëndisë ati është ndë zëmërë t’ati, edhe çapet’ e ati nukë do të shkasënë.
32 Fajtori përgjon të drejtinë, edhe kërkon ta vrasë.
33 Po Zoti nukë do t’e lërë ndë dorët t’ati, as nukë do t’e dëmëtonjë, kur ta gjykonjë.
34 Prit Zotnë, edhe ruaj udhën’ e ati, edhe do të të lartonjë, që të trashëgojsh dhenë; kur të vdirenë fajtorëtë, do të shohç.
35 Pashë të pa-besinë lartuarë tepërë, edhe shtriturë posi dafin’ e ngjomë,
36 po shkoi, edhe na te nuk’ është më, edhe e kërkova, po nuk’u gjënt vënd’ i ati.
37 Ruaj të pakeqenë, edhe shih të drejtënë, se njieriu i paqtuarshim është lënë.
38 Po të pa-udhëtë do të vdirenë fare, të lënat’ e të pa-besëvet do të vdirenë.
39 Po shpëtim’ i të drejtëvet është prej Zotit, edhe ay është mburonjës’ i atyreve ndë kohë të shtrëngimit.
40 Edhe Zoti do t’u ndihnjë, edhe do t’i ruanjë, edhe do t’i dëlirë prej fajtorëvet, edhe do t’i shpëtonjë, se shpëryenë mb’atë.
1 Psalm i Davidit.
Alef
Mos u zemëro nga keqbërësit,
ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo.
2 Se ata do të thahen shpejt si bari,
do të vyshken si barishtja e njomë.
Bet
3 Beso në Zotin e bëj të mirën,
bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij.
4 Gjeje kënaqësinë te Zoti
e ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Gimel
5 Lëre udhën tënde në duart e Zotit,
ki besim tek ai e ai do të veprojë.
6 Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita,
të drejtën tënde porsi mesdita.
Dalet
7 Hesht para Zotit e prite me durim,
mos u zemëro me atë që i shkon mbarë,
me njeriun që thur dredhi.
He
8 Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit,
mos u zemëro, që të mos bësh të keqen.
9 Se keqbërësit do të shfarosen,
por ata që shpresojnë në Zotin do të trashëgojnë tokën.
Vau
10 Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më.
Do të shohësh për nga vendi i tij
e nuk do të jetë më atje.
11 Skamnorët do të trashëgojnë tokën
e do të kënaqen me paqe të begatë.
Zain
12 I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit
e kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13 Por Zoti do të qeshë me të,
se e sheh që po i vjen dita.
Het
14 Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin,
për të plandosur të mjerin e nevojtarin,
për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë.
15 Shpata do t'u hyjë në zemrën e vet,
harqet e tyre do të thyhen.
Tet
16 Më mirë ajo pak që ka i drejti,
sesa pasuria e shumë të paudhëve.
17 Krahët e të paudhëve do të thyhen,
ndërsa të drejtët i përkrah Zoti.
Jod
18 Zoti i njeh mirë ditët e të ndershmëve,
trashëgimia e tyre do të mbetet përherë.
19 Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie,
të nginjur do të jenë edhe në ditë urie.
Kaf
20 Por të paudhët do të marrin fund,
armiqtë e Zotit do të vyshken si bukuria e lëndinës,
si tymi do të fashiten.
Lamed
21 I paudhi merr hua e nuk e kthen,
ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep.
22 Të bekuarit do të trashëgojnë tokën,
të mallkuarit do të shfarosen.
Mem
23 Se Zoti i forcon hapat e njeriut,
kur i pëlqen udha e tij.
24 Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet,
se Zoti e mban për dore.
Nun
25 Kam qenë i ri e tashmë jam plakur
dhe s'e kam parë të drejtin të braktisur,
as pasardhësit e tij të lypin për bukë.
26 Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua,
pasardhësit e tij do të jenë të bekuar.
Samek
27 Kthehu prej së keqes, bëj të mirën
dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
Ain
28 Se Zoti e do drejtësinë
dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë,
ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen.
29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën
e në të do të banojnë përherë.
Pe
30 Goja e të drejtit ligjëron urti,
gjuha e tij shpall gjykim të drejtë.
31 Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër,
hapat e tij nuk do të lëkunden.
Cade
32 I paudhi e përgjon të drejtin
dhe kërkon ta vrasë.
33 Por Zoti nuk do ta lërë në duart e tij
dhe, nëse e gjykojnë, s'do të lejojë ta dënojnë.
Kof
34 Prite Zotin e mbaj udhën e tij.
Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën,
dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve.
Resh
35 E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm,
tek harlisej si pema tërë gjethe.
36 Por ja që u shua e më nuk është,
e kam kërkuar, por s'e kam gjetur dot.
Sin
37 Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin,
njeriut të paqes i përket e ardhmja.
38 Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen,
të paudhët nuk do të kenë të ardhme.
Tau
39 Shpëtimi i të drejtit vjen prej Zotit,
ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie.
40 Zoti i ndihmon e i çliron,
ai i çliron nga të paudhët e i shpëton,
se tek ai gjetën strehë.