Mbë të parinë kënkëtuar, mbi Gittith. Psallmë për të bijt e Koreut.
1 Sa të dashura janë tendat’ e tua, o Zot i fuqivet.
2 Shpirti im mallnjen, e fiketë fort për hoboret’ e Zotit, zëmëra ime edhe mishi im gëzonetë për Perëndin’ e gjallë.
3 Sepse zogu gjeti të ndenjturë, edhe turtulli fole për vete, ku të vërë zoqt’ e ti, theroret’ e tua, o Zot i fuqivet, Mbëreti im, edhe Perëndia im.
4 Lum ata qi rrinë ndë shtëpit tënde, ndë jetë të jetësë të kanë për të lavduruarë. Sellah.
5 Lum ay njieri që ka ndihmë prej teje, udhët (e tua) janë ndë zëmërët t’atyreve,
6 (të cilëtë) duke shkuarë ndëpër gropësirët të qjarit, e bënjënë krua, po edhe shiu mbush gropatë.
7 Venë prej fuqie mbë fuqi, (si cili prej atyreve) duketë përpara Perëndisë ndë Sionë.
8 O Zot Perëndia i fuqivet, ndigjo të faluritë t’im, mba vesh, o Perëndia i Jakovit. Sellah.
9 Shih, o Perëndi, mburonjësi ynë, edhe shtierë sytë mbë faqet të lyerit tënt.
10 Se më mirë është një ditë ndë hoboret të tu, se mijëra gjetëk; do të cgjedhe më tepërë, të rrijë ndë derët të shtëpisë Perëndisë tim, se të rrije ndë tendat të fajtorëvet.
11 Se diellë edhe mburonjë është Zoti Perëndia; do të apë hir e lavdi Zoti, nuk do t’u ndalë të miratë atyre që ecënjënë ndë të pakeqenë.
12 O Zot i fuqivet, lum ay njieri që shpëren mbë ty.
1 Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i bijve të Korahut.
2 Sa të dashura janë banesat e tua,
o Zot i ushtrive!
3 Përmallohet e këputet shpirti im
për oborret e Perëndisë,
ngazëllen zemra ime e trupi im
për Perëndinë e gjallë.
4 Edhe trumcaku e gjen strehën e vet,
dallëndyshja folenë, për të vënë zogjtë,
tek altarët e tu, o Zot i ushtrive,
o mbreti im dhe Perëndia im.
5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde
e të lavdërojnë përgjithmonë. selah
6 Lum ata, që e gjejnë forcën te ti
dhe kanë për zemër shtegtimin.
7 Teksa kalojnë nëpër luginën e Bakasë,
e shndërrojnë në vend burimesh
dhe shiu i parë e mbulon me bekime.
8 Ecin e bëhen gjithnjë e më të fortë
dhe dalin para Perëndisë në Sion.
9 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjoje lutjen time,
mba vesh, o Perëndi i Jakobit. selah
10 Shiko, o Perëndi, mburoja jonë ,
vështroje fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Një ditë në oborret e tua
është më mirë se një mijë ditë gjetiu.
Më mirë në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim,
sesa në tendat e të paudhëve.
12 Se diell e shqyt është Zoti Perëndi,
Zoti është dhuruesi i hirit e lavdisë.
Ai nuk ua mohon të mirat
atyre që jetojnë me ndershmëri.
13 O Zot i ushtrive,
lum njeriu që te ti beson.