Psallm’ e Dhavidhit: për kujtim.
1 Zot, mos më qërto ndë zëmërimt tënt, as mos më mundo ndë mërit tënde.
2 Se shigjetat’ e tua m’u ngulnë, edhe dora jote po më shtrëngon.
3 S’ka shëndet ndë misht t’im, për punë të zëmërimit tënt, s’ka paqtim nd’eshtërat e mia, për punë të fajevet mi.
4 Se pa-udhëriat’ e mia kapërcyenë kryetë t’im, posi barr’ e rëndë u rënduanë mbi mua.
5 Plagët’ e mia u qelpnë e u kalpnë, për punë të marrëzisë s’ime.
6 U bësh i ngratë, edhe u kërrusa fare, gjithë ditënë ecënj i vrërëtë.
7 Se zorrët’ e mia u mbushnë me të nxehëtë, edhe s’ka shëndet ndë misht t’im.
8 U sëmura edhe u këputa fort, ulurinj prej shtrëngimit zëmrësë s’ime.
9 Zot, gjithë dëshërimi im është përpara teje, edhe psherëtima ime s’fshihetë prej teje.
10 Zëmra ime përzihetë, fuqia ime po më lë, edhe drit’ e syvet mi, edhe ajo s’është bashkë me mua.
11 Miqt’ e mi edhe të afërmit’ e mi rrinë përpara plagësë s’ime, edhe më të afërmit’ e mi rrinë për së largu.
12 Edhe ata që kërkonjënë shpirtinë t’im ngrehnjënë kurth, edhe ata që kërkonjënë të keqenë t’ime, flasënë kotësi, edhe shkonjënë ndër mënt gënjeshtra gjithë ditënë.
13 Po unë nukë ndigjonje posi shurth, edhe posi i pagojë, që nukë hap gojën e ti.
14 Edhe jeshe posi një njieri që nukë ndigjon, edhe që nukë ka dredhëje në gojët të ti.
15 Se shpëreva mbë ty, o Zot, ti do të ndigjonjç, o Zot Perëndia im.
16 Se thashë: Mos u gëzofshin’ arëmiqt’ e mi për mua; edhe kur të tundenë këmbët e mia, ata mbahenë mbë të math kundrë meje.
17 Se unë jam gati për të rënë, edhe të dhëmburitë t’im është përpara meje përherë.
18 Se unë do të rrëfenj pa-udhërinë t’ime, edhe do të më vinjë rëndë për fajnë t’im.
19 Po arëmiqt’ e mi rronjënë, edhe janë më të fortë se unë, edhe u shumuanë ata që më kanë mëri pa udhë.
20 Edhe ata që më bënjënë keq ndë vënt të së mirësë, jan’ arëmiqt’ e mi, sepse ndiek të mirënë.
21 Mos hiq dorë prej meje, o Zot, Perëndia im, mos u mërgo prej meje.
22 Nxito të më ndihç, o Zot i shpëtimit tim.
1 Psalm i Davidit. Si kujtesë.
2 Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd,
mos më ndëshko me mërinë tënde.
3 Më janë ngulur shigjetat e tua,
dora jote më ka goditur.
4 Nuk ka më shëndet në trupin tim,
për shkak të zemërimit tënd,
nuk gjejnë më prehje kockat e mia,
për shkak të mëkatit tim.
5 Paudhësitë m'i kanë mbuluar kryet,
si barrë e rëndë peshojnë mbi mua.
6 Qelben e kalben plagët e mia,
për shkak të marrëzisë sime.
7 Jam kërrusur e gërmuqur krejt,
gjithë ditën endem e vajtoj.
8 Ijët më therin nga dhimbja,
nuk ka më shëndet në trupin tim.
9 Jam mekur e këputur krejt,
ulërij me zemër të pikëlluar.
10 O Zot, gjithë dëshirat e mia janë para teje
e nuk ta kam fshehur rënkimin tim.
11 Zemra më rreh fort, fuqia po më lë,
edhe drita e syve po më shuhet.
12 Miq e shokë stepen para krusmës sime,
të afërmit më qëndrojnë larg.
13 Ata që kërkojnë të ma marrin jetën
më kanë ngritur kurth,
ata që ma duan të keqen flasin për shfarosje,
gjithë ditën bluajnë dredhi.
14 E unë, si të isha shurdh, nuk dëgjoj,
si të isha memec, gojë nuk hap.
15 Jam bërë si i shurdhër,
që nuk nxjerr asnjë përgjigje nga goja.
16 Te ti kam shpresë, o Zot,
ti do të më përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
17 E thashë: «Mos i lër të dëfrejnë me mua
e as të krenohen kundër meje, kur të më rrëshqasë këmba».
18 Gati u rrëzova,
e dhimbja s'më hiqet sysh.
19 E rrëfej paudhësinë time
dhe brengosem për mëkatin tim.
20 Por armiqtë e mi rrojnë e janë të fortë,
ata që më urrejnë pa shkak janë shumuar.
21 Ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqe
ngrihen kundër meje, se unë ndjek të mirën.
22 Mos më braktis, o Zot, Perëndia im,
mos më rri larg.
23 Nxito të më ndihmosh, o Zot, shpëtimtari im.