Mashhill i Asafit.
1 Vër’i veshnë nomit tim, o llauzi im; ulni veshëtë tuaj mbë fjalët e gojësë s’ime.
2 Do të hap gojënë time ndë paravuli, do të flas fjalë t’errëta që krejt,
3 sa ndigjuam, e ngjohëm, e na treguanë atëritë tanë.
4 Nukë do t’i fshehmë nga diemt’ e atyreve ndë tiatërë bres, duke dëftyrerë lavdurimet’ e Zotit, edhe fuqin’ e ati, edhe punërat’ e ati të maniçimetë që bëri.
5 Edhe ngriti martyri ndë Jakovë, edhe vuri nom ndë Israillë, për sa urdhëroi atëritë tanë, që të bëninë të ngjohura ndë bijt’ e tyre,
6 që të ngjohë brezi tiatërë, bijtë që kanë për të lindurë, edhe do të rritenë, e do t’ua tregonjënë bijet tyre,
7 që të vënë shpëresën’ e tyre mbë Perëndinë, edhe të mos harronjënë punët’ e Perëndisë, edhe të ruanjënë porosit’ e ati,
8 që të mos bënenë posi atërit’ e atyreve, bres i shtrëmbërë edhe i pa-ndigjuarshim, bres që nukë ndreqi zëmërën’ e ti. Edhe frym’ e ati nuk’ i mbajti besënë Perëndisë.
9 Të bijt’ e Efraimit duke ngrehur’ e duke siellë me hargje, u kthyenë prapë ditën’ e luftësë.
10 Nukë ruajtinë dhiatën’ e Perëndisë, edhe nukë deshnë të ecëninë ndë nomt t’ati,
11 Edhe harruanë punët’ e ati të miratë, edhe ato punët’ e ati të maniçimetë, që u pat dëftyerë.
12 Ndër syt të atyrevet bëri punë të maniçime ndë dhet të Misirit ndë fushët të Tanësë.
13 Çau detnë, edhe e shtiu mb’-at’-anë, edhe vuri ujëratë si grumbullë,
14 edhe u hoqi udhënë ditënë ndë re, edhe gjithë natënë ndë dritë të ziarit.
15 Çau gurë ndë shkretëtirë, edhe u dha të pijnë, si prej avyssavet mëdha.
16 Edhe nxori ujë prej gurit, edhe zbriti ujëra posi lumenj.
17 Po ata githënjë fëjeninë më tepërë kundrë ati, duke hidhëruarë të Lartinë ndë vënt’ të thatë.
18 Edhe gëcitnë Perëndinë ndë zëmërët të tyre, duke luturë të ngrenë pas andësë tyre.
19 Edhe folnë kundrë Perëndisë, e thanë: Mos mundt të bënjë gati truvezë ndë shkretëtirë Perëndia?
20 Përandaj i ra gurit, edhe rrothnë ujëra, edhe vërshuanë përrenj. Mos munt të apë edhe bukë? A të bënjë gati mish për llausn’ e ti?
21 Për këtë ndigjoi Zoti, edhe u zëmërua, edhe u ndes ziar kundrë Jakovit, edhe hipi zëmërim kundrë Israillit,
22 se s’i besuanë Perëndisë, as shpëryenë mbë shpëtimt t’ati,
23 ndonëse urdhëroi retë së larti, edhe hapi dyert’ e qiellit,
24 edhe lëshoi shi mane ndë ata për të ngrënë, edhe u dha grurë qielli.
25 Njieriu hëngri bukë ëngjëjsh, u dërgoi ushqim gjersa u nginjnë.
26 Ngriti nga qielli erën’ e së lemesë, edhe pruri erë shiu me anë të fuqisë ti,
27 edhe lëshoi shi mishi mbi ata, posi pluhurë, edhe shpes fluturakë, posi rërën’ e detit;
28 edhe ranë ndë mes të fushatës’ atyreve, rreth tendavet atyreve,
29 edhe hëngrë e u nginjnë fort; edhe u bëri dëshërimn’ e atyreve.
30 Nuk’ u shternë prej dëshërimit tyre. Po edhe kur ishtej të ngrënët e atyre ndë gojët’ t’atyre,
31 zëmërim’ i Perëndisë erdhi mbi ata, edhe vrau më të mëdhenjtë prej atyre, edhe vuri poshtë të cgjedhurit’ e Israillit.
32 Me gjithë këto fëjyenë edhe më, edhe nuk’ u besuanë punëvet ati të maniçimet.
33 Përandaj prishi ditt’ e atyreve ndë të kotë, edhe viet’ e atyreve së shpejti.
34 Kur i vristej, atëhere e kërkoninë, edhe ktheneshin’ e pritinë Perëndinë që me natë,
35 edhe kujtoninë, se Perëndia është ndihmësi i atyreve, edhe i larti Perëndi është çpërblimtari i atyreve.
36 Edhe e dojnë me gojën’ e tyre, po e gjeninë me gjuhën’ e tyre.
37 Edhe zëmëra e atyreve nuk’ ishtej e drejtë ndë ay, as nukë qenë besëtarë ndë dhiatët t’ati.
38 Po ay ishtej i dhëmpshurë, edhe u fali fajetë, edhe nuk’ i vdori, edhe shumë herë ndali zëmërimnë e ti, edhe nukë lëshoi gjithë mërin’ e ti,
39 edhe i ra ndër mënt, se ishinë mish, erë që shkon, e s’kthenetë më.
40 Sa herë e hidhëruanë ndë shkretëtirë, e zëmëruanë ndë dhe të thatë.
41 Edhe u kthyenë, e gëcitnë Perëndinë, edhe nxehnë Shënjtin’ e Israillit!
42 Nukë menduanë dorën’ e ati, atë ditë që i shpëtoi prej arëmikut,
43 kush dëfteu shënjet’ e tia ndë Misirë, edhe punët’ e tia të frikëshimetë ndë fushë të Tanësë,
44 edhe ktheu lumënjt’ e atyreve mbë gjak, edhe rrëkerat’ e atyreve, që të mos pijnë.
45 U dërgoi mizë qeni, edhe i hëngri, edhe bretëkosa, edhe i vdori.
46 Edhe dha pemët’ e atyreve krimbit, edhe mundimet’ e atyreve karkalecit.
47 Vrau vëreshtat’ e atyreve me breshërë, edhe manet’ e atyreve me brymë,
48 edhe dha bagëtit’ e atyreve breshërit, edhe tufët’ e atyreve rrufevet.
49 Solli mbi ata të nxehëtit’ e zëmërimit ti, zëmërim e mëri, e shtrëngim, duke dërguarë (ato) me anë ëngjëjsh keq-bërës.
50 I hapi udhë zëmërimit ti, edhe s’kurseu shpirtin’ e atyreve prej vdekëjesë, edhe bagëtit’ e atyreve ndë vdekëje,
51 edhe goditi çdo paralindurë ndë Misirë, ballën’ e fuqisë atyreve ndë tendat të Hamit,
52 edhe ngriti (së andejmi) llausn’ e ti, posi dhëntë, edhe u hoqi udhënë ndë shkretëtirë posi tufeje,
53 edhe u hoqi udhënë mbë shpëresë, edhe nuk’ u frikësuanë, edhe deti mbuloi arëmiqt’ e atyreve.
54 Edhe i futi ndë sinuar të shënjtërisë ti, ndë këtë mal, që fitoi e diatht’e ati,
55 edhe përzuri kombetë prej sysh styreve, edhe ua ndau trashëgimnë me litar, edhe nguli farrat’ e Israillit ndë tendat të atyreve.
56 Po ata gëcitnë, edhe hidhëruanë Perëndin’ e lartë, edhe nukë ruajtinë martyrit’ e ati,
57 po u kthyenë, e duallë nga fjala, posi atërit’ e atyreve, u kthyenë posi hark’ i shtrëmbërë,
58 edhe e zëmëruanë me vëndet e tyre të lartë, edhe e futnë ndë cmir me të gdhëndurat e tyre.
59 Ndigjoi Perëndia, edhe u zëmërua tepërë, edhe mori mëri fort Israillë,
60 edhe hoqi dorë prej tendësë Shillomit, tendësë që pat ndënjurë ndër njierëzit,
61 edhe dha fuqin’ e atyre ndë skllavëri, edhe bukurin’ e atyre ndë dorë të arëmikut.
62 Edhe dha llausn’ e ti ndë gojë të shpatësë, edhe u zëmërua tepërë kundrë trashëgimit ti.
63 Ziari hëngri dialoshët’ e atyreve, edhe vërgjëreshat’ e atyreve nukë panë gëzim.
64 Priftrit’ e atyreve ranë ndë gojë të shpatësë, edhe të vat’ e atyreve nukë qjanë.
65 Atëhere Zoti u ngrit si nga gjumi, si një njieri i fortë, që bërtet nga vera,
66 edhe goditi arëmiqt’ e ti së prapësmi, u dha çpërnderim për gjithë jetënë.
67 Edhe hodhi tej tendën’ e Josifit, edhe nukë cgjodhi farën’ e Efraimit.
68 Po cgjodhi farën’ e Judhesë, malë e Sionësë, të cilin’ e deshi.
69 Edhe ndërtoi shënjtëroren’ e ti posi (pallat) të lartë, posi dhenë që themeloi për gjithë jetënë.
70 Edhe cgjoth Dhavidhë shërbëtorin’ e ti, edhe e hoqi prej tufavet dhënet,
71 prapa pëllorevet e pruri, për të kulloturë Jakovë llausn’ e ati, edhe Israillë trashëgimn’ e ati.
72 Edhe i kulloti pas zëmrësë ti pa të keqe, edhe u hoqi udhënë me të vëjyerat duart e tia.
1 Himn i Asafit.
Vër re, o populli im, ligjin tim,
mba vesh fjalët e gojës sime.
2 Gojën do të hap e do të flas me shëmbëlltyra,
do të tregoj të fshehta nga e shkuara.
3 I kemi dëgjuar e i kemi ditur,
etërit tanë na i kanë treguar.
4 Nuk do t'ua mbajmë të fshehta bijve të tyre,
brezit të ardhshëm do t'ua tregojmë,
veprat e lavdishme dhe fuqinë e Zotit,
mrekullitë që ai bëri.
5 Ai vendosi një dëshmi për Jakobin,
caktoi një ligj në Izrael.
Etërve tanë u urdhëroi,
që bijve të tyre t'ua shpallin,
6 që t'i njohë edhe breznia e ardhshme,
bashkë me fëmijët që do të lindin.
E kur të rriten edhe ata,
bijve të vet do t'ua tregojnë,
7 që shpresën ta vënë te Perëndia,
që veprat e Perëndisë mos t'i harrojnë
e urdhërimet e tij t'i mbajnë,
8 që të mos bëhen si etërit e tyre,
një brez kokëfortë e kryengritës,
një brez me zemër të luhatur
e me shpirt të pabesë ndaj Perëndisë.
9 Bijtë e Efraimit, harkëtarë të zotë,
ditën e betejës shpinën kthyen.
10 Nuk e mbajtën besëlidhjen e Perëndisë,
nuk deshën të ecnin sipas ligjit të tij.
11 I harruan veprat e tij
dhe mrekullitë që u kishte dëftyer.
12 Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli,
në tokën e Egjiptit, në fushën e Coanit.
13 E ndau detin e i kaloi përmes,
ujërat i ndali e i bëri pirg.
14 Ditën u printe me një re,
gjithë natën me dritë flakëruese.
15 Në shkretëtirë çau shkëmbinj,
u dha të pinë si nga burimet e thella.
16 Përrenj nxori prej shkëmbit,
ujërat i bëri të rrjedhin si lumenj.
17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij,
në vend të shkretë ngritën krye
kundër të Tejlartit.
18 Në zemrat e tyre e tunduan Perëndinë,
kërkuan ushqim siç ua kishte ënda.
19 Kundër Perëndisë folën e thanë:
«A mundet Perëndia të shtrojë tryezë
në mes të shkretëtirës?
20 Ja, ai goditi shkëmbin e ujërat gëluan
dhe si përrenj vërshuan.
Por, a mundet t'i japë edhe bukë
e mish t'i gatitë popullit të vet?».
21 I dëgjoi Zoti e fort u zemërua,
zjarri u ndez kundër Jakobit,
zemërimi vloi kundër Izraelit,
22 se nuk besuan në Perëndinë
e as shpresuan në shpëtimin e tij.
23 Por ai urdhëroi retë prej së larti,
dyert e qiellit i hapi.
24 Si shi ua dërgoi manën për ushqim
e grurë prej qiellit u dha.
25 Çdonjëri hëngri bukë engjëjsh,
u dha ushqim sa u ngopën.
26 Në qiell ngriti erën e lindjes,
me pushtetin e tij bëri të fryjë shiroku.
27 Bëri të bjerë mish mbi ta si pluhuri,
shpendët fluturues si rëra e detit.
28 I bëri të bien mes fushimit të tyre,
rreth e rrotull tendave të tyre.
29 Hëngrën e mirë u ngopën,
çka donin ua dha.
30 Ende nuk ishin ngopur mirë
e ushqimin e kishin në gojë,
31 kur zemërimi i Perëndisë u ndez kundër tyre.
Më të fortët prej tyre i vrau,
të rinjtë e Izraelit i plandosi.
32 E megjithatë mëkatuan sërish
dhe në mrekullitë e tij nuk besuan.
33 Ditët e tyre u përfunduan në kotësi,
vitet e tyre patën fund të tmerrshëm.
34 Kur i vriste, atëherë e kërkonin,
ktheheshin dhe Perëndinë dëshironin.
35 Kujtoheshin se Perëndia ishte shkëmbi i tyre,
Perëndia, i Tejlarti, shpenguesi i tyre.
36 Por, me gojë e mashtronin,
me gjuhën e tyre i thoshin rrena.
37 Zemra e tyre nuk ishte përherë me të,
besëlidhjes së tij nuk i qëndruan besnikë.
38 Por ai është i dhembshur e paudhësinë ua falte.
Nuk i shkatërronte, zemërimin shpesh e ndalte
dhe furinë e tij nuk e linte të flakëronte.
39 Kujtohej se ishin prej mishi,
si era që shkon e më nuk kthehet.
40 Sa herë iu ngritën kundër në shkretëtirë!
Sa herë e hidhëruan në vend të shkretë!
41 Ktheheshin dhe prapë e tundonin Perëndinë,
e trishtonin të shenjtin e Izraelit.
42 Nuk u kujtohej më dora e tij e fuqishme,
dita kur i çliroi prej armikut:
43 shenjat, që kishte bërë në Egjipt,
veprat e mrekullueshme në fushën e Coanit.
44 Lumenjtë e armikut i kishte kthyer në gjak,
edhe rrjedhat e ujit, që të mos pinin më.
45 U dërgoi mori grethash, që t'i thumbonin,
bretkosa, që t'i shkatërronin.
46 Të korrat e tyre ua dha krimbave,
karkalecave mundin e tyre.
47 Vreshtat ua rrënoi me breshër,
pemët e fikut me brymë.
48 Me breshër ua goditi edhe bagëtinë,
me rrufe, gjënë e gjallë.
49 Dërgoi mbi ta flakën e zemërimit të tij,
furinë, mërinë e fatkeqësinë;
u dërgoi engjëj të këqij.
50 I hapi udhë zemërimit të tij,
jetën prej vdekjes nuk ua kurseu,
por i la në dorë të murtajës.
51 Shfarosi çdo të parëlindur në Egjipt,
frytin e parë të fuqisë së tyre në tendat e Kamit.
52 Si dhentë e ngriti prej andej popullin e tij,
u priu në shkretëtirë porsi grigjës.
53 I udhëhoqi me kujdes e frikë nuk patën,
armiqtë e tyre i mbuloi deti.
54 I çoi në vendin e tij të shenjtë,
në malin, që kishte fituar e djathta e tij.
55 Dëboi kombe para tyre
e tokën ua ndau me short për trashëgim.
Fiset e Izraelit i vuri të banojnë
nëpër tendat e tyre.
56 Por ata e tunduan përsëri,
ngritën krye kundër Perëndisë, të Tejlartit,
e dëshmitë e tij nuk i mbajtën.
57 U shmangën e, si etërit e tyre, të pabesë u treguan,
si harku i shtrembër, ata dredhuan.
58 Me faltoret në vende të larta e bënë të zemërohet,
me idhujt e gdhendur ia ndezën furinë.
59 E dëgjoi Perëndia e flakë u ndez,
rëndë e përçmoi Izraelin.
60 E braktisi tendën e Shilohut,
banesën, që kishte ngritur mes njerëzve.
61 Forcën e tij e la të bjerë në robëri,
lavdinë e tij në duart e armikut.
62 Popullin e tij ia dorëzoi shpatës,
kundër trashëgimisë së vet flakë u ndez.
63 Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri,
vashave nuk u kënduan.
64 Priftërinjtë e tyre ranë prej shpatës,
vejushat nuk i vajtuan.
65 E u ngrit Zoti, si prej gjumit,
si luftëtari trim, kur e kap vera.
66 Pas shpine u ra armiqve,
me turp të përjetshëm i mbuloi.
67 Poshtë e hodhi tendën e Jozefit,
fisin e Efraimit nuk e zgjodhi.
68 Zgjodhi fisin e Judës,
malin e Sionit, që fort e deshi.
69 Të lartë shumë e ndërtoi shenjtëroren,
ashtu si tokën, e themeloi në amshim.
70 E zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij,
prej tufave të dhenve e mori.
71 E mori prej deleve që mëndnin,
për të kullotur Jakobin, popullin e tij,
dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
72 Me zemër të pastër i udhëhoqi,
me duar të afta u priu.