Psallm’ e Asarit.
1 Sa i mirë është Perëndia ndë Israillë, ndë zëmrë-drejtët.
2 Po mua për pak m’u tuntnë këmbëtë; për pakëzë më shkanë çapetë.
3 Se pata zili të pa-udhëvet, duke parë paqtimn’ e fajtorëvet.
4 Se nuk’ është mundim ndë vdekëjet t’atyreve, po fuqia e atyreve ësht’ e fortë.
5 Nukë janë ndër mundime njierëzish, as frushkullonenë bashkë me njierës.
6 Përandaj i qarkon madhështia posi qafore, i mbulon pa-udhëria posi petkë.
7 U kanë kërcyerë sytë prej dhiamit, shkuanë dashurimet’ e zëmrësë.
8 Shkonjënë ndër mënt, e flasënë keq për pa-udhëri, flasënë me madhështi.
9 Vënë gojën’ e tyre ndë qiell, edhe gjuha e atyreve shkoi mbi dhet.
10 Përandaj do të kthenetë këtu llauzi i ati, edhe do të gjëndenë ndër ata shumë ujëra.
11 Edhe thonë: Qysh ngjeh Perëndia? Edhe ka mënt i Larti?
12 Shih këta fajtorëtë ndek shkonjënë mbarë përherë, u shtonetë gjëja.
13 Edhe thashë: Vallë kot qërova zëmrënë t’ime, edhe lava duart’ e mia pa faj?
14 Sepse u frushkulluashë gjithë ditënë, edhe mundimi im ishtej mëngjes për mëngjes.
15 Ndë thënça: Kam për të folë kështu, na ndek shanj bresn’ e bijet tu.
16 Edhe u menduashë të kupëtonj këtë, po m’u duk e rëndë ndër sy.
17 Gjer sa të hynj ndë shenjtëroren’ e Perëndisë, e të kupëtonj të prapësmet’ e atyreve.
18 Po për gënjeshtrat e atyreve ti i vure ndër të këqia, i hodhe ndë prishëje.
19 Qysh u bënë përnjëherë të shkretë! U shuanë, humpnë për pa-udhërin’ e tyre.
20 Posi ëndërrën’ e ati që cgjonetë, o Zot, kur të ngrihesh, ke për të prishurë shëmbëllën’ e atyreve.
21 Kështu digjej zëmëra ime, edhe mundoneshinë veshnjet’ e mia.
22 Edhe unë jeshe pa mënt, edhe nukë ngjohnje, jeshe bagëti përpara teje.
23 Po unë jam përherë bashkë me ty, ti më zure prej dorësë diathtë.
24 Me anë të këshillësë s’ate do të më heqsh udhënë, edhe pastaj do të më marrç ndë lavdi.
25 Kë kam ndë qiell? Edhe mbë dhet nukë dua tiatërë veç teje.
26 S’më mbeti mish e zëmërë, Perëndia është fuqia e zëmrësë s’ime, edhe piesa ime gjithë jetënë.
27 Sepse na ndek do të vdirenë ata që largonenë prej teje, ti rrëzove gjithë ata që dalënë jasht’ udhësë s’ate duke kurvëruarë.
28 Po për mua, të ngjituritë pas Perëndisë ësht’ e mira ime, vura shpëresënë t’ime mbë Zonë Perëndinë, për të më dëftyerë përherë punët’ e tua.
1 Psalm i Asafit.
Sa i mirë është Perëndia për Izraelin,
për ata që e kanë zemrën të pastër!
2 E mua gati m'u morën këmbët,
për pak m'u ngatërruan hapat.
3 Lakmi i pata për mburravecët,
kur pashë mirëqenien e të paudhëve.
4 Nuk kanë dhimbje deri në vdekje ,
barkun e kanë tërë dhjamë.
5 Nuk vuajnë si vdekatarët e tjerë,
nuk mundohen si njerëzit e tjerë.
6 Krenaria stolis qafat e tyre,
dhuna i mbulon si petk.
7 U pëlcasin sytë prej dhjamit,
prej zemrave u burojnë dëshirime.
8 Përqeshin e flasin me ligësi,
nga lart kërcënojnë me shtypje.
9 E hapin gojën edhe kundër qiellit,
gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj populli im kthehet drejt tyre
dhe pinë prej ujërave të tyre të shumtë.
11 «E si e ditka Perëndia», thonë,
«Nga e marrka vesh i Tejlarti?».
12 Ja, këta janë të paudhët!
Përherë të qetë, por grumbullojnë pasuri.
13 Më kot e kam mbajtur zemrën të pastër,
më kot i kam larë duart në pafajësi!
14 Tërë ditën kam pësuar fshikullima
e jam munduar deri në mëngjes.
15 Po të kisha thënë: «Do të flas si ata»,
do të kisha tradhtuar brezninë e bijve të tu.
16 U përpoqa ta kuptoj këtë,
por m'u errën sytë.
17 Vetëm kur hyra në shenjtëroren e Perëndisë,
vetëm atëherë e kuptova fundin e tyre.
18 Ja, i ke vendosur në vend të rrëshqitshëm,
i plandose në rrënim.
19 Si u shkatërruan kështu përnjëherë!
U sosën e morën fund me tmerr!
20 Si ëndrrën e atij që zgjohet, o Zot,
ashtu do ta përçmosh në agim pamjen e tyre.
21 Kur më hidhërohej zemra,
e veshkat më thernin,
22 isha i marrë e nuk kuptoja,
para teje isha si kafshë.
23 Por ja, unë jam gjithmonë me ty,
ti më mban dorën e djathtë.
24 Ti më udhëheq me këshillat e tua,
e pastaj do të më marrësh me lavdi.
25 Kë tjetër kam unë në qiell?
Veç teje, mbi tokë, s'dua tjetër.
26 Më janë ligështuar trupi e zemra,
por shkëmbi i zemrës sime dhe trashëgimia ime
është Perëndia në amshim.
27 Ja, ata që janë larg teje do të shfarosen,
ti i zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.
28 Por për mua është mirë të qëndroj pranë Perëndisë,
të kërkoj strehë te Zoti, Zoti im,
për t'i shpallur të gjitha veprat e tij.