Mbë të parinë kënkëtuar, mbi All-tashhith, Miktam i Dhavidhit, kur dërgoj Saulli, e ruaninë shtëpin’ e ati që ta vrisinë.
1 Shpëto-më prej arëmiqet mi, o Perëndia im, mburo-më prej atyreve që janë ngriturë kundrë meje.
2 Ruaj-më prej atyreve që punonjënë pa udhë, edhe shpëtomë prej njierëzet gjakravet.
3 Sepse, na te gjuanjënë shpirtinë t’im; u hothnë mbi mua të fortë, as për pa-udhërinë t’ime, as për fajnë t’im, o Zot.
4 Pa (qënurë mbë mua) pa-udhëri, sulen’ e bënenë gati, çohu e më del’ përpara, edhe shih.
5 Ti pra, o Zot Perëndia i fuqivet, Perëndia i Israillit, çohu për të vënë re gjithë kombetë. Mos përdëllyejsh gjith’ ata që punonjënë pa udhë. Sellah.
6 Kthenenë mbrëmanet, edhe lehnjënë si qen, edhe qarkonjënë qytetnë.
7 Na ata te nxierrënë fjalë nga goj’ e tyre, edhe është shpatë ndë buzët t’atyreve, sepse (thonë): Kush ndigjon?
8 Po ti, o Zot, ke për të qeshurë me ata, do të përqeshç gjithë kombetë.
9 O fuqia ime, ty kam për të të priturë, se ti, o Perëndi, je ndihmësi im.
10 Perëndia i përdëllimit t’im do të më harrinjë, Perëndia do të më dëftenjë (prishëjen’) e arëmiqet mi.
11 Mos vrit ata, se mos harronjë ndonjë-herë llauzi im, përndaj ata me fuqit tënde, edhe shtier’-i poshtë, o Zot, mburonjësi ynë.
12 (Për) fajn’ e gojësë tyre, (për) fjalët e buzëvet tyre, u zënçinë ndë madhështit të tyre, edhe për mallëkimn’ e për gënjeshtrënë që flasënë.
13 Prish (ata) me zëmërim, prish (ata), sa të mos jenë, edhe le të ngjohënë, se Perëndia zotëron te Jakovi, edhe deri tek anët’ e dheut. Sellah.
14 Do të kthenenë mbrëmanet, edhe do të lehnjënë si qen, edhe do të qarkonjënë qytetnë.
15 Do të përndahenë për të ngrënë, edhe ndë mos u nginjçinë, do të hahenë.
16 Po unë do të këndonj për fuqinë tënde, edhe ndë mëngjes do të lavduronj me gëzim përdëllimnë tënt, se m’u bëre ndihmës, edhe pshtetëje ndë ditë të shtrëngimit t’im.
17 O fuqia ime, ty kam për të psallurë, se ti, o Perëndi, je ndihmësi im, Perëndia i përdëllimit t’im.
1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit. Kur Sauli dërgoi njerëz që t'i rrethonin shtëpinë e ta vrisnin.
2 Shpëtomë nga armiqtë e mi, o Perëndi,
prej kundërshtarëve të mi mbromë.
3 Shpëtomë nga ata që bëjnë paudhësi,
prej njerëzish gjakatarë çliromë.
4 Ja, kanë ngritur pritë për të më vrarë,
të fortët janë vërsulur kundër meje,
por unë nuk kam as faj e as mëkat, o Zot.
5 Edhe pse s'kam faj, ata janë bërë gati me nxitim.
Ngrihu, pra! Eja pranë meje dhe shiko!
6 Ngrihu, o Zot, Perëndi i ushtrive,
ndëshkoji të gjitha kombet ti, o Perëndi i Izraelit,
mos ki mëshirë për asnjë tradhtar të paudhë. selah
7 Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë
dhe sillen nëpër qytet.
8 Ja, shkumë u del nga goja,
nga buzët lëshojnë shpata:
«E pse», thonë, «Kush na dëgjon?».
9 Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta,
me të gjitha kombet do të tallesh.
10 O fuqia ime, ty po të pres,
se ti, o Perëndi, je streha ime.
11 Perëndia im do të vijë tek unë tërë mirësi.
Perëndia do të më dëftejë
shkatërrimin e armiqve të mi.
12 Mos i vrit, që të mos harrojë populli im,
por shpërndaji me fuqinë tënde,
rrëzoji përdhe, o Zot, mburoja jonë!
13 Mëkat është çdo fjalë që u del prej goje.
Rënçin në lakun e krenarisë së tyre,
për shkak të mallkimeve dhe gënjeshtrave që thonë.
14 Shkatërroji me zemërimin tënd,
shkatërroji që të mos jenë më!
Le ta dinë se Perëndia sundon mbi Jakobin
e deri në skajet e tokës. selah
15 Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë
dhe sillen nëpër qytet.
16 Hapërdahen për të gjetur ushqim
e, kur nuk ngopen, kuisin tërë natën.
17 Por unë do t'i këndoj fuqisë sate,
që në mëngjes do të brohoras për mirësinë tënde,
se në ditën e fatkeqësisë sime,
ti ke qenë streha e mburoja ime.
18 O fuqia ime, ty do të të thur himne,
se ti, o Perëndi, je mburoja ime,
je Perëndia im plot mirësi.