Mbë të parinë kënkëtuar, mbi Neginoth: Mashhill i Dhavidhit.
1 Mba vesh të falurit t’im, o Perëndi, edhe mos kthe sytë mbë-nj’-anë prej lutëjesë s’ime.
2 Ki-më kujdes, edhe ndigjo-më: hidhërohem ndë mendimt t’im, edhe dyndem,
3 prej zërit arëmikut, edhe prej shtrëngimit fajtorit, se hedhënë pa-udhëri mbi mua, edhe më marrënë mëri me zëmërim.
4 Më dridhetë zëmra përbrënda meje, edhe më mori frikë vdekëje.
5 Më erdhi frikë e të dredhurë, edhe më mbuloi tëmer.
6 Edhe thashë: Kush të më eptej fletë posi të pëllumbit! Do të fluturonje e të prëheshë.
7 Na te do të largoneshe duke ikurë, edhe do të shkonje kohënë ndë shkretëtirët. Sellah.
8 Do të ikënje me nxitim prej erësë fortë, e prej thëllimit.
9 Mbyt-i, o Zot, edhe ndai gjuhët’ e atyreve, se pashë shtrëngim e të briturë ndë qytetë.
10 Nat’ e ditë qerthëllonjënë muret’ e asaj; edhe pa-udhëri e të sharë është ndë mes t’asaj;
11 e keqe është në mes t’asaj, nukë shterenë prej rugavet asaj të sharë e gënjeshtrë.
12 Se të më patëkej sharë arëmiku, do t’e keshe duruarë, edhe të m’u mburrëkej ay që më mer mëri, do të jeshe fshehurë prej ati,
13 po jeshe ti, o njieri, që je posi unë, udhë-heqësi im, edhe i ngjohuri im,
14 që flishim bashkë ëmbëlë, vijëm bashkë me shoqëri ndë shtëpit të Perëndisë.
15 Arthtë vdekëje mbi ata, edhe cbriçinë të gjallë ndë varr, se janë të këqia ndër të ndënjurat t’atyreve, edhe ndë mes të atyreve.
16 Unë do të thërres Perëndisë, edhe Zoti do të më shpëtonjë.
17 Mbrëmë, e mëngjes, e mes-ditë do të lutem e të thërres, edhe do të më ndigjonjë zënë.
18 Do të më shpëtonjë shpirtinë ndë paqtim prej luftësë, që është kundrë meje, se shumë vetë ishinë bashkë me mua.
19 Perëndia do të ndigjonjë, edhe do të përgjunjnjë ata; ay që është para jetëvet, Sellah, se ata nukë ndërronenë, as kanë frikë nga Perëndia.
20 Ngjasënë duart’ e tyre kundrë atyreve që janë ndë paqtim me atë, ndynjënë dhiatën’ e tyre.
21 Fjalët’ e gojës’ ati janë më të buta se gjalpi, po ndë zëmërët t’ati është luftë; fjalët e ati janë më të buta se vaji, po janë thika të cveshëta.
22 Hidh barrënë tënde mbë Zonë, edhe ay do të të ruanjë, kurrë s’ka për të lënë të tundet’ i drejti.
23 Po ti, o Perëndi, ke për të cbriturë ata ndë pus të humbëjesë; njierëzit’ e gjakravet e të gënjeshtrësë nukë do të harrinjënë ndë gjymësë të ditëvet tyre, po unë do të shpërenj mbë ty.
1 Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Himn i Davidit.
2 Vëri vesh lutjes sime, o Perëndi,
përgjërimit tim mos iu fshih.
3 Dëgjomë e m'u përgjigj.
Përpëlitem i hidhëruar e gulçoj,
4 prej britmës së armikut,
prej shtypjes së të paudhit.
Kanë sjellë fatkeqësi mbi mua,
tërë zemërim më sulmojnë.
5 Zemra më dridhet përbrenda,
tmerret e vdekjes më kanë pushtuar.
6 Frika e tmerri më kanë kapur,
ngjethem i tëri.
7 E thashë: «Kush do të më japë krahë si të pëllumbit,
që të fluturoj larg e të gjej prehje?
8 Ja, larg do të degdisesha,
në shkretëtirë do të banoja. selah
9 Do të gjeja shpejt një vend strehimi,
nga era e furishme e nga stuhia».
10 Pështjelloji, o Zot, dhe përçaji gjuhët e tyre,
se shoh dhunë e grindje në qytet.
11 Ditë e natë qerthullojnë mbi muret e tij,
brenda tij ka paudhësi e mjerim.
12 E ka pushtuar dinakëria,
dhuna e mashtrimi nuk kanë të sosur udhëve të tij.
13 Po të më poshtëronte armiku,
do të duroja,
po të ngrihej kundër meje ai që më urren,
do t'i fshihesha.
14 Por je ti, njeriu i sërës sime,
miku e i njohuri im.
15 Bashkë kuvendonim ëmbël,
tok shkonim në tempullin e Perëndisë.
16 U rëntë papritur vdekja,
zbritshin të gjallë në skëterrë,
se mes tyre dhe në banesat e tyre,
ka bërë vend e keqja.
17 Por unë do t'i thërras Perëndisë
e Zoti do të më shpëtojë.
18 Në mbrëmje, në mëngjes e në mesditë do të ofshaj,
do të rënkoj e ai do të ma dëgjojë zërin.
19 Do të ma shpengojë shpirtin
e do të më japë prehje prej atyre që më sulmojnë,
se të shumtë janë kundërshtarët e mi.
20 Perëndia do të dëgjojë e do t'i poshtërojë,
ai që rri mbi fron qëmoti. selah
Se për ta nuk ka kthim,
Perëndinë nuk e druajnë.
21 Ngrenë dorë kundër miqve të vet,
besën e dhënë e shkelin.
22 Gojën e kishin më të butë se gjalpin,
por në zemër fshihnin luftë,
fjalët e tyre dukeshin më të lëmuara se vaji,
por vringëllonin si shpata.
23 Lërja barrën tënde Zotit
e ai do të të përkrahë,
se ai nuk do të lejojë asnjëherë,
që të tronditet i drejti.
24 Por ti, o Perëndi,
do t'i plandosësh në gropë të thellë.
Gjakatarë e mashtrues janë
e s'do të arrijnë as gjysmën e ditëve.
Ndërsa unë do të kem besim te ti.