Mbë të parinë kënkëtuar. Psallm’ e Dhavidhit, kur erdhi profiti Nathan tek ay, si hyri te Vathshevaja.
1 Përdëlle-më, o Perëndi, pas të madhit përdëllimit tënt, edhe pas të shumëtit të dhëmburavet tua, shuaj pa-udhërit’ e mia.
2 Laj-më tepërë prej pa-udhërisë s’ime, edhe më qëro prej fajit t’im.
3 Se unë ngjoh pa-udhërinë time, edhe faji em është përpara meje kurdo.
4 Mbë ty vetëmë fëjeva, edhe bëra të keqenë përpara teje, që të dalç i drejtë ndë fjalët’ e tua, edhe të jesh i këthiellëtë ndë gjyqet’ e tu.
5 Sepse na ndek u zushë ndë pa-udhëri, edhe ëma ime më polli ndë faje.
6 Sepse na te deshe të vërtetënë ndë zëmërë, edhe do të më dëftenjç dituri ndë të thellat e zëmrësë.
7 Çpërkat-më me hyssop, edhe do të qëronem, laj-më, edhe do të bënem më i bardhë se dëbora.
8 Bën-më të ndigjonj gëzim e ngazëllim, (që të më) gëzonenë eshtërat’ e thyera.
9 Kthe mbë-nj’-anë faqenë tënde prej fajevet mi, edhe shuaj gjithë pa-udhërit’ e mia.
10 Krijo zëmërë të këthiellëtë tek unë, o Perëndi, edhe përtëri përbrenda meje frymë të drejtë.
11 Mos më hith tej prej faqesë s’ate, edhe mos merr prej meje frymënë tënde të shënjtëruarënë.
12 Ep-ma prapë gëzimn’ e shpëtimit t’ënt, edhe forco-më me frymë zotërishte.
13 Do të mësonj ata që dalënë jashtë udhësë s’ate, edhe të pa-besë të do të kthenenë mbë ty.
14 Shpëto-më prej gjakrash, o Perëndi, Perëndia i shpëtimit t’im, gjuha ime do të gëzonetë duke kënduarë për drejtërinë tënde.
15 Zot, çil buzët’ e mia, edhe goja ime do të dëftenjë lavdimnë tënt.
16 Se, të dashëkeshe kurban, do të të keshë prurë, po kurbane të djegurë gjithë nukë të pëlqenjënë.
17 Kurban’ i Perëndisë është frym’ e thyerë, zëmërën’ e thyerë edhe të përgjunjurënë nukë do t’e hethç tej, o Perëndi.
18 Bën mirë Sionësë me pëlqimnë tënt, edhe ndërto muret’ e Jerusallimësë.
19 Atëhere do të pëlqejsh kurban drejtërie, dhuratë, edhe kurbane të diegurë gjithë; atëhere do të bienë viçre mbi therorenë tënde.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. 2 Kur erdhi tek ai profeti Natan, pasi Davidi kishte shkuar me Batshebën.
3 Ki mëshirë për mua, o Perëndi,
në mirësinë tënde,
në dhembshurinë tënde të madhe,
fshiji paudhësitë e mia.
4 Lamë tërësisht prej fajit tim,
prej mëkatit tim pastromë.
5 I njoh paudhësitë e mia,
mëkatin tim e shoh përherë.
6 Ndaj teje, vetëm ndaj teje mëkatova,
bëra ligësi para syve të tu.
Prandaj, je i drejtë në vendimet e tua
dhe i paqortueshëm kur gjykon.
7 Ja, unë linda në paudhësi,
në mëkat më ngjizi ime më.
8 Ti e do të vërtetën në brendinë e qenies,
ndaj bëmë të njoh urtinë në thellësitë e mia.
9 Pastromë me hisop e do të bëhem i pastër,
lamë e do të jem më i bardhë se dëbora.
10 Bëmë të ndiej gëzim e ngazëllim
e do të gëzohen eshtrat që thërrmove.
11 Ktheje fytyrën tënde larg mëkateve të mia
e fshiji tërë fajet e mia.
12 Krijo tek unë një zemër të pastër, o Perëndi,
përtëri brenda meje një shpirt të palëkundur.
13 Mos më dëbo nga prania jote
e mos ma hiq shpirtin tënd të shenjtë.
14 Kthema gëzimin e shpëtimit tënd
dhe kalit në mua një shpirt vullnetmirë.
15 Do t'u mësoj ligjshkelësve udhët e tua
e mëkatarët do të kthehen te ti.
16 Shpëtomë nga gjakderdhja, o Perëndi,
Perëndia i shpëtimit tim,
gjuha ime do të brohorasë për drejtësinë tënde.
17 O Zot, hapi buzët e mia
e goja ime do të shpallë lavdinë tënde.
18 Po ta doje flinë do ta sillja,
por flija e shkrumbimit nuk të pëlqen.
19 Fli për Perëndinë është shpirti i penduar;
zemrën e thyer e të copëtuar,
o Perëndi, ti nuk e përbuz.
20 Bëji mirë Sionit në mirëdashjen tënde,
ndërtoji muret e Jerusalemit.
21 Atëherë do t'i pëlqesh flitë e drejtësisë,
fli shkrumbimi e fli të djegura tërësisht;
atëherë do të kushtojnë viça mbi altarin tënd.