Mbë të parinë kënkëtuar, mbi Nehilloth. Psallm’ e Dhavidhit.
1 Vër’u vesh fjalëvet mia, o Zot, kupëto klithmënë t’ime.
2 Mba-i vesh zërit lutëjesë s’ime, o Mbëreti em, edhe Perëndia im, se ty do të falem.
3 Zot, ndë mëngjes do të ndigjojsh zënë t’im, ndë mëngjes do të rri përpara teje, edhe do të shikonj.
4 Se ti nukë je Perëndi që do pa-udhëri, i keqi nukë do të rrijë përanë teje.
5 As të pa-udhëtë nukë do të qëndronjënë përpara syvet tu; ti merr mëri gjithë ata që punonjënë pa udhë.
6 Do të vdierrç gjithë ata që flasënë gënjeshtrënë, Zotit i vien të ndohëtë nga njieriu gjakëtuar edhe nga gënjeshtari.
7 Po unë, me anë të shumëtit përdëllimit tënt, do të hynj ndë shtëpit tënde, do të adhuronj ndë kishën e shënjtëruarë tënde me frikë tënde.
8 Zot, më hiq udhënë ndë drejtërit tënde, për punët të arëmiqet mi, drejto udhënë tënde përpara meje.
9 Se nuk’ ësht’ e vërtetë ndë gojë t’atyre, zëmra e atyre ësht’ e keqe, gurmaz’ i atyre është varr i hapëtë, me gjuhërat’ e tyre gënjenjënë.
10 Gjyko ata, o Perëndi, mos qëllofshinë ndë këshillat të tyre; nxir jashtë ata për të shumëtit e pa-besërivet atyre, se ngritnë krye kundrë teje.
11 Edhe u gëzofshinë gjith’ ata që shpërenjënë mbë ty; le të gëzonenë përherë, sepse ti mbulon ata qark; edhe le të mburrenë mbë ty ata që duanë emrinë tënt.
12 Se ti, o Zot, do të bekonjç të drejtinë, do t’ e rrethonjç me pëlqim, posi me armë.
1 Mjeshtrit të korit. Për fyell. Psalm i Davidit.
2 Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia,
përfille rënkimin tim.
3 Thirrjes sime për ndihmë vëri vesh,
o mbreti im e Perëndia im,
se ty ta drejtoj lutjen time.
4 Në mëngjes, o Zot, ti e dëgjon zërin tim,
në mëngjes, kur përgatitem për ty e pres.
5 Ti nuk je Perëndi që i pëlqen e keqja,
pranë teje nuk ka vend ligësia,
6 as krenarët nuk të dalin dot para.
Ti i urren të gjithë ata që bëjnë paudhësi,
7 ata që thonë gënjeshtra i shkatërron
dhe gjakatarët e mashtruesit të neveriten.
8 Por unë do të hyj në shtëpinë tënde
falë mirësisë sate të madhe
e do të përkulem me nderim
në tempullin tënd të shenjtë.
9 Udhëhiqmë, o Zot, me drejtësinë tënde,
meqë kam armiq,
rrafshoje para meje udhën tënde.
10 Në gojën e tyre nuk ka asgjë të vërtetë,
përbrenda janë të rrënuar,
grykën e kanë si varr të hapur,
e me gjuhë thurin lajka.
11 Ndëshkoji, o Perëndi,
nga qëllimet e tyre u shkatërrofshin,
dëboji për paudhësitë e tyre të shumta,
se kanë ngritur krye kundër teje.
12 Por, ata që kërkojnë strehë te ti le të gëzojnë
e përherë të brohorasin.
Paçin mbrojtjen tënde
e u ngazëllefshin për ty ata që duan emrin tënd.
13 Se ti, o Zot, e bekon të drejtin
dhe e mbështjell me mirëdashjen tënde si me mburojë.