Mbë të parinë kënkëtuar. Psallm’ e Dhavidhit.
1 Duke priturë prita Zotnë, edhe më mbajti vesh, edhe ndigjoi lutëjenë t’ime.
2 Edhe me nxori prej gropësë mundimit, edhe prej baltësë ndyrë, edhe qëndroi këmbët’ e mia mbi gur, ndreqi çapet’ e mi.
3 Edhe vuri ndë gojët t’ime kënkë të re, lavdi për Perëndinë t’ënë; shumë do të shohënë, edhe do të frikësonenë, edhe do të shpërenjënë mbë Zonë.
4 Lum ay njieri, të cilit emëri i Zotit është shpëres’ e ti, edhe nukë vështron madhështorëtë, edhe ata që përvarenë ndë të rremë.
5 Shumë të maniçime janë punët’ e tua, që bëre ti, o Zot Perëndia im, edhe s’munt ndonjë të vërë një mbë një mendimet’ e tu për ne; të doje t’i rrëfenje, e të flasë për ato, kapërcenjënë çdo numërë.
6 Kurban e dhuratë nukë deshe, më nxore veshëtë, kurban gjithë-diegurë edhe dhuratë për faj s’kërkove.
7 Atëhere thashë: na ndek po vinj, ndë ballë të vivlisë është shkruarë për mua:
8 më k’anda të bënj dashurimnë tënt, o Perëndia im,
9 edhe nomi yt është ndë mes të zëmrësë s’ime.
10 Leçita drejtëri ndë përmbëledhëje të madhe, na te nukë ndala buzët’ e mia, o Zot, ti e di. Nukë fsheha drejtërinë tënde ndë zëmërët t’ime, rrëfeva të vërtetënë tënde edhe shpëtimnë tënt, nukë mpsheha përdëlliminë tënt edhe të vërtetënë tënde prej përmëledhëjesë madhe.
11 Po ti, o Zot, mos mërgo përdëllimet’ e tu prej meje, përdëllini yt edhe e vërteta jote më ndihçinë kurdo,
12 Se më qarkuanë të këqia që nukë kanë numërë, më harritnë pa-udhërit’ e mia, edhe nukë munt t’i shoh, u shumuanë më tepërë se qimet e kreit t’im, edhe zëmëra po më lë.
13 Pëlqe, o Zot, të më shpëtojsh; o Zot, nxito të më ndihç.
14 U turpërofshinë e u marrofshinë bashkë ata që kërkonjënë shpirtinë t’im të ma marrënë; u kthefshinë për së prapi, e u turpërofshinë ata që duanë të keqenë t’ime.
15 Marçinë turp për çpagim, ata që më thonë: Të lumtë, të lumtë!
16 U gëzofshinë e u ngazëllofshinë për ty; gjith’ ata që të kërkonjënë, ata që duanë shpëtimnë tënt, le të thonë kurdo: U madhëroftë Zoti.
17 Po unë jam dorë-hollë edhe i nevojëshim, Zoti më ka kujdes, ndihmësi im edhe mburonjësi im ti je, o Perëndia im, mos u mëno.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Me durim e prita Zotin,
ai u përkul drejt meje
e përgjërimin ma dëgjoi.
3 Prej gropës së mundimit më nxori,
prej batakut të baltës,
këmbët m'i vuri mbi shkëmb
e hapat m'i forcoi.
4 Një këngë të re më vuri në gojë,
një himn për Perëndinë tonë.
Shumë do ta shohin e do të dridhen
dhe në Zotin do të besojnë.
5 Lum njeriu që ka besim te Zoti,
që nuk kthehet drejt atyre që mburren
e drejt atyre që jepen pas gënjeshtrës.
6 Të shumta janë veprat e tua të mrekullueshme,
o Zot, Perëndia im,
të shumta shestimet e tua për ne.
Nuk ka të ngjashëm me ty!
Do t'i shpallja e do t'i tregoja,
por janë të panumërueshme.
7 Ti nuk dëshiron fli e kushtime,
për këtë m'i ke hapur mirë veshët,
nuk kërkove as fli shkrumbimi a mëkati.
8 Atëherë thashë: «Ja tek kam ardhur.
Në rrotullën e librit është shkruar për mua.
9 Të kryej vullnetin tënd, o Perëndia im, dëshiroj,
ligji yt është brenda qenies sime».
10 Drejtësinë tënde shpalla në kuvendin e madh,
ja, buzët nuk i mbylla
dhe ti, o Zot, e di.
11 Drejtësinë tënde nuk e fsheha brenda zemrës sime,
për besnikërinë e për shpëtimin tënd fola,
mirësinë tënde nuk e mbajta fshehur,
e as besnikërinë tënde në kuvendin e madh.
12 E ti, o Zot, mos m'i moho përdëllimet e tua,
mirësia dhe besnikëria jote më mbrojtshin përherë.
13 Të këqija të panumërta më kanë rrethuar,
paudhësitë më kanë vënë poshtë
e nuk më lënë të shoh.
Janë bërë më të shumta se flokët e kokës
e zemra po më lëshon.
14 Denjo, o Zot, të më shpëtosh!
Shpejto, o Zot, të më ndihmosh!
15 U turpërofshin e u çnderofshin
të gjithë ata që jetën duan të ma marrin,
u zmbrapsshin e u poshtërofshin
ata që më duan të keqen.
16 U tmerrofshin të turpëruar
ata që për mua thonë: «Mirë t'i bëhet!».
17 Të gjithë ata që të kërkojnë
gëzofshin e ngazëllefshin me ty,
ata që duan shpëtimin prej teje
thënçin përherë: «I madh është Zoti!».
18 Unë jam i mjerë e nevojtar,
por për mua kujdeset Zoti.
Ti je ndihma dhe shpëtimtari im,
o Perëndia im, mos vono.