Mbë të parinë kënkëtuar, Jedhuthunë. Psallm’ e Dhavidhit.
1 Thashë: Do të kem kujdes nd’udhët’ e mia, që të mos fëjenj me gjuhë t’ime, do t’i vë fre gojësë s’ime, kur të jetë fajtori përpara meje.
2 Ndenjta pa gojë e pa zë, u reshta edhe nga (të foluritë) mirë, edhe të dhëmburitë t’im u përtëri.
3 M’u nxe zëmëra përbrenda meje; kur e shkonje ndër mënt, u ndes ziar (përbrenda meje), fola me gjuhë t’ime.
4 Dëfte-më të prapësmenë t’ime, o Zot, edhe numërin’ e ditvet mia, cili është, që të ngjoh edhe sa do të rronj.
5 Na tek bëre ditt’ e mia sa një masë pëllëmbe, edhe koh’ e jetësë s’ime është posi asgjë përpara teje, po ç’do njieri që rron, është gjithë kotësi. Sellah.
6 Vërtet njieriu ecën ndë hije të kotë, po kot trumbullonetë; mbëleth thesorë, edhe nukë di për kë do t’i mbëledhë.
7 Edhe tani, o Zot, ç’ pres unë? Shpëresa ime është mbë ty.
8 Shpëto-më prej gjithë pa-udhërivet mia, mos më bën çpërnderimn’ e të marrit.
9 U shurdhuashë, edhe nukë hapa gojënë t’ime, se ti e bëre.
10 Mërgo prej meje frushkullat’ e tua, sepse u lodha prej fuqisë dorësë s’ate.
11 Kur mundon njierinë me çprovime për pa-udhërinë, prish bukurin’ e ati, si pëlhurë mirmange, po kot trumbullonetë ç’do njieri. Sellah.
12 Ndigjo të faluritë t’im, o Zot, edhe mba-i vesh lutëjesë s’ime, mos u hesht për lott e mi, se jam i huaj përanë teje, edhe i ikurë prej dheut, posi gjith’ atërit’ e mi.
13 Ler-më të mar fuqi, para se të ikënj së këtejmi, edhe të mos jem më.
1 Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit.
2 Thashë: «Do t'i ruaj udhët e mia,
që të mos mëkatoj me gjuhën time.
Gojës sime do t'i vë fre,
sa të jetë i paudhi para meje».
3 Heshta e nuk fola,
asnjë fjalë të mirë nuk thashë,
e dhimbja ime rëndohej.
4 Kur zemra m'u ndez përbrenda
e mendimet më përvëlonin,
atëherë m'u zgjidh gjuha e fola.
5 Ma bëj të njohur, o Zot, fundin tim,
numrin e ditëve të mia,
përkohësinë time.
6 Ja, ti i pakësove ditët e mia sa një pëllëmbë,
jetëgjatësia ime s'është asgjë para teje,
çdo njeri i gjallë s'është veçse kotësi. selah
7 Vërtet, njeriu kalon si hije,
të kota janë mundimet e tij,
grumbullon pasuri,
pa e ditur për kë i mbledh.
8 E tani, ç'mund të pres, o Zot?
Shpresën e kam te ti.
9 Çliromë prej të gjitha fajeve
e mos lejo të më tallë i marri.
10 Po hesht e gojën s'po e hap,
sepse këtë e ke bërë ti.
11 Largoje prej meje fshikullimin tënd,
po marr fund nën peshën e dorës sate.
12 Njeriun e qorton e ia ndëshkon paudhësinë,
si tenja ia bren çdo gjë që dëshiron.
Të gjithë njerëzit janë veç kotësi. selah
13 Dëgjoje lutjen time, o Zot,
e vëri vesh përgjërimit tim!
Mos hesht ndaj lotëve të mi,
se i huaj jam te ti,
shtegtar si të gjithë paraardhësit e mi.
14 Largoje vështrimin tënd prej meje,
që të mund të gëzoj sërish,
para se të shkoj e të mos jem më.