Psallm’ e Dhavidhit.
1 Zoti është drita ime edhe shpëtimtari im: kujt do t’i trembem? Zoti është mburonjës i jetësë s’ime: prej kujt do të frikësonem?
2 Kur m’u afruanë të këqijtë, shtrëngimtarët’ edhe arëmiqt’ e mi, për të ngrënë mishnë t’im, vetë ata shkanë edhe ranë.
3 Edhe ndë daltë fushatë kundrë meje, zëmra ime nukë do të frikësonetë; ndë u ngrittë luftë mbi mua, atëhere do të shpërenj.
4 Një gjë lypa prej Zotit, këtë do të lypënj: që të rri ndë shtëpi të Zotit gjithë ditt’ e jetësë s’ime, të shikonj bukurin’ e Zotit, edhe të vështronj kishën’ e ati të shënjtëruarë.
5 Se ndë ditë të këqiavet mia do të më mpshehë ndë tendë të ti, do të më mbulonjë ndë (vënt) të mpshehëtë të tendësë ti, do të më ngrerë lart ndë shkëmp.
6 Edhe tani kryetë t’im do të lartonetë përmbi arëmiqt’ e mi që më qarkonjënë, edhe do të bënj kurban lavdie edhe brohorie ndë tendë t’ati; do t’i këndonj, edhe do t’i psall Zotit.
7 Ndigjo zënë t’im, o Zot, kur thërres, përdëllye-më, edhe ndigjo-më.
8 Zëmra ime tha prej anësë s’ate: Kërkoni faqenë t’ime. Do të kërkonj faqenë tënde, o Zot.
9 Mos kthejsh mbë-nj’-anë faqenë tënde prej meje, mos hethç ndë zëmërim shërbëtornë tënt; bënu ndihmësi im: mos më lësh, edhe mos heqç dorë prej meje, o Perëndi shpëtimtari im.
10 Edhe ndë heqçinë dorë prej meje im atë edhe ëma ime, po Zoti do të më presë.
11 Mëso-më nd’udhët tënde, o Zot, edhe hiq-më ndë rugë të drejtë për punë t’arëmiqet mi.
12 Mos më ep ndë dëshërime t’arëmiqvet mi, se u ngritnë kundrë meje martyrë të rrem, edhe (asish që) çfryenjënë pa-udhëri.
13 (Oj,) ndë mos patëkeshe besuarë të shohnjë të mirat’ e Zotit ndë dhe të gjallëvet!
14 Prit Zotnë: bënu burrë, edhe le të forconetë zëmra jote, edhe prit Zotnë.
1 Psalm i Davidit.
Zoti është drita dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është streha e jetës sime,
nga kush do të trembem?
2 Kur m'u vërsulën keqbërësit
për të më ngrënë të gjallë,
armiqtë dhe kundërshtarët e mi,
ata vetë u penguan e ranë.
3 Edhe një ushtri po të ngrihet kundër meje,
nuk trembet zemra ime,
edhe lufta po të plasë kundër meje,
prapë do të kem shpresë.
4 Veç një gjë i kam kërkuar Zotit
e për këtë i lutem:
të banoj në shtëpinë e Zotit
gjithë ditët e jetës sime,
të sodit bukurinë e Zotit
e tempullin e tij të kundroj.
5 Në ditë të ligë në strehën e tij më fsheh,
në fshehtësinë e tendës së tij më struk.
Më ngre lart mbi një shkëmb,
6 e tani, koka ime lartësohet
mbi armiqtë që më rrethojnë.
Tërë brohori në tendën e tij fli do të kushtoj,
do të këndoj e himne Zotit do t'i thur.
7 O Zot, dëgjomë kur të thërras,
ki mëshirë për mua e m'u përgjigj.
8 Për ty foli zemra ime e tha: «Kërkoni fytyrën time».
Fytyrën tënde, o Zot, kërkoj.
9 Mos e fshih fytyrën tënde prej meje,
mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd,
ti që ke qenë ndihma ime.
Mos më lër e mos më braktis,
o Perëndi i shpëtimit tim.
10 Im atë e nëna ime më braktisën,
por Zoti më pranoi.
11 Mësomë, o Zot, udhën tënde,
në shteg të drejtë më udhëhiq,
për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më lër në mëshirë të armiqve të mi,
se më kanë dalë kundër dëshmitarë të rremë,
njerëz që shfryjnë dhunë.
13 Jam i bindur se do ta shoh mirësinë e Zotit
në tokën e të gjallëve.
14 Shpreso në Zotin.
Bëhu i fortë e merr zemër.
Zotin prit.