Mbë të parinë kënkëtuar, për ndihmë të mëngjesit. Psallm’ e Dhavidhit.
1 O Perëndi, Perëndia im, përse hoqe dorë prej meje? (Përse rri) lark prej shpëtimit t’im, (edhe prej) fjalëvet psherëtimavet mia?
2 Perëndia im, thërres ditënë, e nukë ndigjon, edhe natënë, e s’kam pushim.
3 Po ti rri ndë (vënt) të shënjtëruarë, lavdia e Israillit.
4 Atëritë t’anë shpëryenë mbë ty, shpëryenë, edhe i ruajte.
5 Klithnë mbë ty, edhe shpëtuanë; shpëryenë mbë ty, edhe s’u turpëruanë.
6 Po unë jam krimp, e jo njieri, çpërnderim njierëzish, edhe të përqeshurë llauzi.
7 Gjithë sa më shohënë, më përdredhënë buzëtë, flasënë me buzë, tuntnjënë kryetë,
8 (duke thënë): Shpëreu mbë Zonë, le ta ruanjë, le ta shpëtonjë, sepse e do.
9 Po ti je ai që më çqite nga barku, shpëresa ime që prej sisëvet ëmësë s’ime.
10 Mbë ty u hodha prej shtratit barkut: ti je Perëndia im që nga barku i ëmësë s’ime.
11 Mos u mërgo prej meje, se shtrëngimi është ngjat, se s’ka kush të më ndihnjë.
12 Shumë dema më qarkuanë, mëzetë të fortë prej Basanit më rrethuanë.
13 Hapnë gojën’ e tyre mbi mua, posi leoni kur rrëmben edhe ulurin.
14 U derdha posi ujë, edhe gjith’ eshtërat’ e mia u cbërthyenë, zëmra ime u bë posi qiri, treturë ndë mes të zorrëvet mia.
15 Fuqia ime u tha posi guacë, edhe gjuha ime u ngjit ndë gurmast t’im, edhe ti më cbrite ndë baltë vdekëje.
16 Sepse më qarkuanë shumë qen, përmbëledhëje të këqijsh më rrethuanë, çpuanë duart’ e mia edhe këmbët’ e mia.
17 Munt të numëronj gjith’ eshtërat’ e mia, edhe ata shtinë sytë e më panë.
18 Ndanë petkat’ e mia ndë vetëvetëhet, edhe shtynë shortë mbë petkunë t’im.
19 Po ti, o Zot, mos mërgo ndihmënë tënde prej meje, nxito të më ndihç.
20 Ruaj shpirtinë t’im prej shpate, dhe të vetëminë t’im prej dorësë qenit.
21 Shpëto-më prej gojësë leonit, edhe ndigjomë (të më shpëtojsh) prej brirësh bri-vetëmish.
22 Do të dëftenj emrinë tënt vëllazrëvet mi, në mes të përmbëledhëjesë do të të lavdonj.
23 Ju që kini frikë Zotit, lavduroni atë, gjithë fara e Jakovit, lavdoni atë, edhe kini frikë prej ati, gjithë fara e Israillit.
24 Se nukë hodhi poshtë, edhe nuk’ u rëndua nga lutëja e dorë-hollit, edhe nukë fshehu faqen’ e ti prej ati, po kur thërriti mb’atë, e ndigjoi.
25 Lavdimi im do të rrëfehetë prej teje ndë përmbëledhëje të madhe, do të ap uratat’ e mia përpara atyreve që kanë frikë ati.
26 Dorë-hollëtë do të hanë, edhe do të nginjenë; edhe do të lavduronjënë Zotnë ata që kërkonjënë atë, zëmra juaj do të rronjë gjithë jetën e jetësë.
27 Gjithë anët’ e dheut do të kujtonjënë, edhe do të kthenenë te Zoti, edhe gjithë farat’ e kombevet do të adhuronjënë përpara ati.
28 Se mbëretëria ësht’ e Zotit, edhe ay urdhëron kombetë.
29 Gjithë të majmit’ e dheut do të hanë, edhe do të adhuronjënë, gjith’ ata që cbresënë ndë baltë, do të bienë mbë gjunjë përpara ati, edhe nukë munt të rronjë shpirti ti.
30 Edhe fara do t’i shërbenjënë, do të numëronetë te Zoti për bres që vien pas.
31 Edhe do të dëftenjënë drejtërin’ e ati llauzit që do të lindetë, se këtë bëri Zoti.
1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Drenusha e agimit». Psalm i Davidit.
2 Perëndi, Perëndia im,
përse më braktise?
Pse rri larg pa më ndihmuar
e fjalët e rënkimit tim nuk i dëgjon?
3 O Perëndia im, të thërras ditën,
por nuk më përgjigjesh,
edhe natën e prehje nuk gjej.
4 Ti, pra, je i Shenjti,
ai që përlëvdon Izraeli.
5 Te ti shpresuan etërit tanë,
te ti shpresuan e i çlirove.
6 Ty të thirrën e shpëtuan,
te ti shpresuan e nuk u turpëruan.
7 Krimb e jo njeri jam unë,
turp për njerëzit, tallje për popullin.
8 Më shohin e tallen me mua,
shtrembërojnë buzët e kokat tundin.
9 «T'i drejtohet Zotit», thonë, «le ta çlirojë,
ta shpëtojë, meqë e dashka».
10 Ti më nxore nga barku amënor,
shpresa ime ti ishe
që në gji të nënës sime.
11 Ty t'u dorëzova sapo linda,
që në bark të nënës Perëndia im je ti.
12 Mos u largo prej meje! Po afron pikëllimi
e nuk ka kush të më ndihmojë.
13 Më kanë rrethuar dema të shumtë,
buajt e Bashanit më kanë vënë në mes.
14 Kanë hapur gojën kundër meje,
si luani që shqyen e ulërin.
15 Jam derdhur si uji,
eshtrat më janë shpërbërë krejt,
zemra më është shkrirë si dylli,
më është tretur brenda kraharorit.
16 Fuqia më është tharë si tjegulla
e gjuha më është ngjitur për qiellze,
më ke hedhur në pluhurin e vdekjes.
17 Më kanë rrethuar qentë
e lukuni keqbërësish më kanë vënë në mes,
duart e këmbët m'i kanë shpuar.
18 Të gjitha kockat më numërohen,
m'i kanë ngulur sytë e më vështrojnë.
19 I ndanë rrobat e mia mes tyre
e për petkun tim hodhën short.
20 Por ti, o Zot, mos më rri larg,
o fuqia ime, shpejto e më ndihmo.
21 Shpëtoma jetën prej shpatës,
prej putrave të qenit të vetmen jetë që kam.
22 Shpëtomë prej gojës së luanit,
prej brirëve të buajve të egër.
E, pra, ti më je përgjigjur!
23 Do t'ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi,
në mes të bashkësisë do të të përlëvdoj.
24 O ju që e druani Zotin, lavdërojeni,
të gjithë ju pasardhës të Jakobit nderojeni,
të gjithë ju pasardhës të Izraelit kini frikë prej tij.
25 Mjerimin e skamnorit nuk e përbuzi dhe nuk e shpërfilli,
fytyrën prej tij nuk e fshehu,
por kërkesën e tij për ndihmë e dëgjoi.
26 Prej teje vjen lavdi im në bashkësinë e madhe,
para atyre që të druajnë do t'i përmbush zotimet e mia.
27 Skamnorët do të hanë e do të ngihen,
ata që e kërkojnë Zotin do ta përlëvdojnë.
Zemra e tyre rroftë në amshim!
28 Do të kujtohen e te Zoti do të kthehen
mbarë skajet e tokës,
para tij do të përkulen
tërë familjet e popujve.
29 Se Zotit i përket mbretërimi,
ai është sundimtari i kombeve.
30 Para tij do të përkulen të gjithë fisnikët e dheut
e do të ngihen,
para tij do të bien në gjunjë të gjithë të dheshmit,
shpirti i të cilëve nuk do të jetojë.
31 Pasardhësit do t'i shërbejnë atij,
brezit të ardhshëm do t'i flitet për Zotin.
32 Do të vijnë e do t'i dëftojnë drejtësinë e tij
një populli që po lind, se kjo është vepra e tij.