Mbë të parinë kënkëtuar. Psallm’ e Dhavidhit.
1 Qiejtë tregonjënë lavdin’ e Perëndisë, edhe qëndresa dëften punën’ e duaret ati.
2 Dita i flet fjalë ditësë, edhe nata i dëften mënt natësë.
3 Nukë janë ligjërata, as fjalë, që të mos u ndigjonetë zëri.
4 Mbë gjithë dhenë doli zër’ i atyreve, edhe fjalët’ e atyreve (vanë) gjer mbë anë të botësë. Ndër ata vuri tendë për diellinë.
5 Edhe ky del posi dhëndërë prej dhomësë dhëndërisë, gëzonetë posi burr’ i fortë, kur sulet udhësë;
6 prej anësë qiellit është të dalët’ e ati; edhe të qarkuarët’ e ati (mbaronetë) gjer mb’anë të qiellit, edhe s’është (gjë) që fshihetë prej të nxehëtit ati.
7 Nom’ i Zotit ësht’ i këthiellëtë, që kthen shpirte; martyria e Zotit ësht’ e besuarë, që bën të mënçurë të mituritë;
8 urdhërimet’ e Zotit janë të drejtë, që gëzonjënë zëmrënë; porosia e Zotit ësht’ e ndriçime, që ndrit sytë,
9 frik’ e Zotit ësht’ e këthiellëtë, që mbetetë ndë jetë të jetësë, gjyqet’ e Zotit janë të vërtetë, (edhe) të drejtë fare;
10 janë më të dëshëruarshim se ari, po edhe më tepërë se ar’ i kulluarë, edhe më t’ëmbëlë se mialta, edhe pikat’ e hojit.
11 Shërbëtori yt fort tepërë këshillonetë me anë t’atyreve; ndë të ruajturit t’atyreve është shumë çpagim.
12 Kush kupëton fajetë? Qëro-më prej së mpshehëtavet punëra,
13 edhe ruaj shërbëtorinë tënt prej madhështish, le të mos zotëronjënë mbi mua, atëhere do të dal faqe-bardhë, edhe do të qëronem prej fajit math.
14 Le të jenë të pëlqyera fjalët’ e gojësë s’ime, edhe mendim’ i zëmrësë s’ime përpara teje kurdo, o Zot, ndihmësi im, edhe shpërblimtari im.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë,
kubeja qiellore kumton veprën e duarve të tij.
3 Dita i çon fjalë ditës,
nata i bën me dije natës.
4 Nuk bëzajnë, nuk nxjerrin fjalë,
as që u dëgjohet zëri.
5 Por, jehona e tyre përhapet në tërë dheun
dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës.
Atje i ka bërë një tendë diellit,
6 ai është si dhëndri kur del prej dhomës,
si trimi që ngazëllon kur merr hov.
7 Lind në njërin skaj të qiellit
e deri në tjetrin rrotullohet,
nxehtësisë së tij s'i fshihet askush.
8 I përsosur është ligji i Zotit,
shpirtin përtërin,
e vërtetë dëshmia e Zotit,
të thjeshtit i jep urti.
9 Porositë e Zotit janë të drejta,
zemrën e gëzojnë,
urdhërimet e Zotit janë të pastra,
syve u japin dritë.
10 E pastër është droja e Zotit,
mbetet në amshim,
të vërteta janë gjykimet e Zotit,
të gjitha të drejta.
11 Më të dëshirueshme janë se ari,
se ari i kulluar mirë,
më të ëmbla se mjalti,
se mjalti që rrjedh nga hojet.
12 Prej tyre mëson edhe shërbëtori yt,
kush i zbaton merr shpërblim të madh.
13 Kush mund t'i kuptojë fajet?
Prej fajeve të fshehta pastromë.
14 Ruaje shërbëtorin tënd edhe nga mëkatet me dashje,
që të mos sundojnë mbi mua.
Atëherë do të jem i patëmetë,
i pastruar krejt prej mëkatit të rëndë.
15 Të pëlqefshin fjalët e gojës sime
dhe përsiatjet e zemrës sime,
o Zot, shkëmbi e shpëtimtari im.