Mbë të parinë kënkëtuar. Psallm’ e Dhavidhit, shërbëtorit Zotit, i cili foli te Zoti fjalët’ e kësaj kënke, mb’atë ditë që e ruajti Zoti prej duarsh gjith arëmiqet ati, edhe prej dorësë Saullit, edhe tha:
1 Do të të dua, o Zot, fuqia ime.
2 Zoti është qëndrimi im, edhe mpshteteja ime, edhe shpëtimtari im; Perëndia im, ndihmësi im; mb’atë shpërenj; mburonjësi im, edhe briri shpëtimit t’im, edhe ndihmëtari im.
3 Duke lavdëruarë do t’i thërres Zotit, edhe do të shpëtonj prej arëmiqet mi.
4 Të dhëmbura vdekëje më qerthulluanë, edhe përronj pa-udhërie më trëmpnë.
5 Të dhëmbura varri më qerthulluanë, kurthe vdekëje më harrinë.
6 Edhe ndë shtrëngim t’im thirra Zotit, edhe klitha mbë Perëndinë t’im; më ndigjoi zënë prej kishësë ti të shënjtëruarësë, edhe klithma ime harriu përpara ndë veshët të ati.
7 Atëhere u tunt edhe u droth dheu, edhe themelet’ e malevet u tuntnë e luajtnë vëndit, se u zëmërua mb’ata Perëndia.
8 Hipi tym prej fyejevet hundësë ati, edhe ziar që diek prej gojës’ ati, thëngjij u ndesnë prej ati.
9 Edhe uli qiejtë, edhe cbriti, edhe ishtej errëcirë ndënë këmbët të ati.
10 Edhe hipi mbi Qeruvim, edhe fluturoj, fluturoj mbi fletët’ e erëravet.
11 Vuri errëcirë (për vëndinë) të fshehurë të vetinë; qark vetesë ishtej tend’ e ati, uj’i zi ndër re erërave.
12 Prej ndriçimit përpara ati shkuanë retë, breshërë edhe thëngjij ziari.
13 Edhe bubulliti Zoti nga qielli, edhe i Larti nxori zën’ e ti: breshërë edhe thëngjij ziari.
14 Edhe dërgoi shigjetat’ e tia, edhe përndau ata, edhe shumoi vetëtimëra, edhe i përzieu.
15 Edhe u duknë burimet’ e ujëravet, edhe u cbuluanë themelet’ e botësë, prej qërtimit tënt, o Zot, prej të fryrit frymësë fejevet hundësë s’ate.
16 Dërgoj prej së larti, e më mori; më hoqi prej ujërash shumëta.
17 Më ruajti prej të fortëvet arëmiqet mi, dhe prej atyreve që më kanë mëri, sepse ishinë më të fortë se unë.
18 Më harrinë ndë ditë të keqe, po Zoti qe forcati im.
19 Edhe më nxori ndë vënt të gjerë, më ruajti, sepse i pëlqeva.
20 Edhe Zoti ma çpagoj pas drejtërisë s’ime, edhe pas së këthiellëtësë duaret mia ma çpagoj.
21 Se ruajta udhët’ e Zotit, edhe nukë dola i pa-besë Perëndisë t’im.
22 Se gjithë gjyqet’ e ati ishinë përpara meje, edhe urdhërimet’ e ati nuk’ u larguanë prej meje.
23 Edhe dolla faqe-bardhë tek ay, edhe u ruajta prej pa-udhërisë s’ime.
24 Edhe Zoti ma shpagoj pas drejtërisë s’ime, edhe pas së këthiellëtësë duaret mia përpara syvet ati.
25 Me të drejtinë do të jesh i drejtë, me njierin’ e qëruarë do të jesh i qëruarë,
26 edhe me të cgjedhurinë do të jesh i cgjedhurë, edhe me të shtrëmbërinë do të jesh i shtrëmbërë.
27 Sepse ti do të shpëtonjç një llaus që është ndë shtrëngim, po syt’ e madhështorëvet do t’i përgjunjç.
28 Se ti do të ndriçojsh kandilenë t’ime, Zoti Perëndia im do të ndriçonjë errëcirënë t’ime.
29 Se me anë tënde do të thyenj fushatë, edhe me anë të Perëndisë t’im do të kapërcenj murë.
30 Udh’ e Perëndisë ësht’ e qëruarë, fjalët’ e Zotit janë të provuara, është mburonjës’ i gjith’ atyreve që shpërenjënë mb’atë.
31 Sepse kush është perëndi, veç Zotit? A kush ësht’ i fortë, veç Perëndisë t’ënë?
32 Perëndia ësht’ ay që më ngjesh fuqi, edhe bën të qëruarë udhënë t’ime.
33 Bën këmbët’ e mia posi të drerit, edhe më qëndron mbi vënde të lartë.
34 Mëson duart’ e mia ndë luftë, edhe bën krahët’ e mi hark të ramtë.
35 Edhe më dhe mburimn’ e shpëtimit tënt, edhe e diathta jote më ndihu, edhe të mirëtë t’at më rriti.
36 Cgjerove çapet’ e mia përposh meje, edhe këmbët’ e mia nuk’ u tuntnë.
37 Ndoqa arëmiqt’ e mi, edhe i harrita, edhe nuk’ u kthyeshë gjer sa s’mbetnë më.
38 Dërrmova ata, edhe s’muntnë të qëndroninë: ranë ndënë këmbët’ e mia.
39 Edhe më ngjeshe fuqi ndë luftë, vure ndënë këmbët e mia gjithë ata që u ngritnë kundrë meje.
40 Edhe bëre arëmiqt’ e mi të më kthenjënë krahëtë, edhe prishe ata që më kanë mëri.
41 Thërritnë, po s’kish’ kush t’i shpëtontej, (thërritnë) Zotit, po nuk’ i ndëgjoj.
42 Atëhere i hollova posi pluhurë përpara faqesë erësë, i hodha posi baltën’ e udhëvet.
43 Më ruajte prej kundrë-fjalëvet llauzit, më vure krye kombesh; një llaus, që s’e ngjoha, më shërbeu.
44 Posa ndigjuanë me veshë, edhe më ndigjuanë, të bijt’ e të huajet ulnë kryetë tek unë.
45 Të bijt’ e të huajet u përndanë, edhe u trempnë ndë të fshehurët vënde të tyre.
46 Rron Zoti, edhe i bekuarë është Perëndia, edhe u lartoftë Perëndia i shpëtimit t’im.
47 Perëndia që merr çpagim për mua, edhe vë llauzetë ndënë mua, i cili më shpëton prej zëmërakëvet arëmiqet mi.
48 Po, më larton përmbi ata që janë ngriturë kundrë meje, më ruajte prej burrit pa-udhë.
49 Përandaj do të të lavduronj ndër kombe, o Zot, edhe do të psall për emrinë tënt.
50 Ay madhëron shpëtimet’ e mbëretit ti, edhe përdëllyen të lyerin’ e ti, Dhavidhë’ edhe farën’ e ati për gjithë jetënë.
1 Mjeshtrit të korit. Himn që Davidi, shërbëtori i Zotit, i drejtoi Zotit ditën që Zoti e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit. 2 Davidi tha këto fjalë:
Të dua, o Zot, fuqia ime.
3 Zoti është shkëmbi im,
fortesa ime dhe çliruesi im,
është Perëndia im,
është shkrepi ku gjej strehë.
Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim,
ai është kështjella ime.
4 Lavdi pastë Zoti!
I thirra e nga armiqtë shpëtova.
5 Litarët e vdekjes më mbërthyen,
përrenj shkatërrimi më tmerruan.
6 Leqet e skëterrës më rrethuan,
më zunë pritë grackat e vdekjes.
7 Kur u gjenda ngushtë, i thirra Zotit,
i klitha për ndihmë Perëndisë tim.
Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim,
klithma ime arriti te veshët e tij.
8 Ndaj toka u drodh e u trand,
themelet e maleve u shkundën e luajtën vendit,
prej zjarrit të zemërimit të tij.
9 Tym doli nga flegrat e hundës së tij
e nga goja e tij zjarr shkrumbues.
Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan.
10 Qiejt i uli dhe zbriti poshtë,
me një re të errët nën këmbë.
11 Hipur mbi një kerub fluturoi,
flatroi mbi krahët e erës.
12 Errësirën e hodhi rreth vetes si rrobë,
tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta.
13 Prej shkëlqimit të tij dilnin
re, breshër e prush i zjarrtë.
14 Zoti bëri të gjëmojnë qiejt,
i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri,
breshër e thëngjij zjarri.
15 Shigjetat e tij dërgoi e i shpërndau,
me rrufe i gjuajti e i shpartalloi.
16 Burimet e ujërave u dukën,
themelet e tokës u zbuluan,
prej qortimit tënd, o Zot,
prej shfryrjes së flegrave të tua.
17 Dorën shtriu nga lart e më kapi,
më nxori prej ujërave të shumtë.
18 Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm,
nga ata që më urrenin,
që ishin më të fortë se unë.
19 M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime,
por Zoti u bë përkrahësi im.
20 Më nxori në vend të hapur,
më shpëtoi se më kishte për zemër.
21 Kështu bëri Zoti me mua,
se jam i drejtë,
kështu më shpërbleu,
se të pastra duart i kam.
22 Udhët e Zotit kam ndjekur
e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi.
23 Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh,
nga rregullat e tij nuk shmangem.
24 Kam qenë i ndershëm me të
dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur.
25 Zoti më shpërbleu, se jam i drejtë,
se e pa që duart i kam të pastra.
26 Njeriut besnik ti i qëndron besnik,
me të ndershmin i ndershëm tregohesh.
27 Me njeriun e pastër tregohesh i pastër,
por me të mbrapshtin tregohesh dinak.
28 Popullin e përvuajtur e shpëton,
por sytë e krenarëve i ul poshtë.
29 O Zot, ti i jep dritë llambës sime,
Perëndia im ma ndriçon errësirën.
30 Me ty do t'i sulmoj çetat plaçkitëse,
me Perëndinë tim do t'i kapërcej muret.
31 Udha e Perëndisë është e përsosur,
fjala e Zotit e sprovuar në zjarr,
ai është mburojë i të gjithë atyre
që kërkojnë strehë tek ai.
32 Kush tjetër është Perëndi veç Zotit?
Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë?
33 Perëndia që më dha forcë
e ma bëri udhën të përsosur.
34 Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit,
në vende të larta më vuri të qëndroj.
35 Duart m'i mësoi për betejë,
që krahët e mi të ndejnë hark bronzi.
36 Më dhe mburojën e shpëtimit tënd,
e djathta jote m'u bë krah,
mirësia jote më madhëroi.
37 E shtrove udhën para hapave të mi
e këmbët nuk më rrëshqitën.
38 I ndoqa pas armiqtë e i zura,
nuk do të kthehem pa i shkatërruar.
39 I qëllova e më nuk ngrihen,
ranë para këmbëve të mia.
40 Më dhe forcë për të luftuar
e ata që m'u ngritën kundër
nën këmbë m'i përkule.
41 I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin,
ata që më urrenin i zhbiva.
42 Klithën me të madhe,
por s'kishte kush t'i shpëtonte,
i thirrën edhe Zotit,
por nuk iu përgjigj.
43 I thërrmova si pluhurin që e merr era,
i flaka jashtë si baltën e rrugës.
44 Më çlirove nga grindjet e popullit,
në krye të kombeve më vure,
një popull që nuk më njihte më shërbeu.
45 Me të dëgjuar për mua u bindën,
bijtë e të huajve u përkulën para meje.
46 U zbehën, u drodhën,
e nga fortesat e tyre dolën.
47 Zoti është i gjallë!
Bekuar qoftë shkëmbi im!
Perëndia i shpëtimit tim u madhëroftë!
48 Ai merr shpagim për mua,
popujt nën këmbë m'i nënshtron
49 dhe nga armiqtë e mi më çliron.
Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi,
prej njeriut të dhunshëm më shpëton.
50 Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o Zot,
dhe emrin tënd përhimnoj.
51 Zoti ia shton fitoret mbretit të tij,
tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet,
Davidit e gjithë pasardhësve të tij.