1 Allilluja. Lavduroni Zonë, se ësht’ i mirë, se përdëllimi i ati është për gjithë jetënë.
2 Kush munt të flasë për të fuqishimet punët e Zotit, të bënjë të ndigjonenë gjithë lavdurimet’ e ati.
3 Lum ata që ruanjënë gjyq, edhe punonjënë drejtëri mbë ç’do kohë.
4 Kujto-më, o Zot, ndë pëlqim të llauzit tënt; vështromë me shpëtimnë tënt,
5 që të shoh të mirën’ e të cgjedhuret tu, që të gëzonem ndë gast të kombit tënt, që të mburrem bashkë me trashëgimnë tënt.
6 Fëjyem bashkë me atërit tanë, punuam kundrë nomit, punuam pa udhë.
7 Atëritë t’anë ndë Misirë nukë kupëtuanë punët’ e tua të maniçimetë, edhe nukë mbajtinë mënt të shumëtitë e përdëllimit tënt, edhe të hidhëruanë duke shkuarë përanë detit, ndë Det të Kuq.
8 Po ay i shpëtoj për emërin’ e ti, që të bëntej të diturë punën’ e ti të fuqishimenë.
9 Edhe qërtoj Den’ e Kuq edhe u tha; edhe u hoqi udhënë ndëpër avyssa, posi ndëpër shkretëtirë;
10 edhe i shpëtoj prej dorësë ati që u kishtej mëri, edhe i çpërbleu prej dorësë arëmikut.
11 Edhe ujëratë mbuluanë arëmiqt’ e atyreve, s’mbeti asnjë prej asish.
12 Atëhere i besuanë fjalësë ati, edhe kënduanë lavdurimn’ e ati.
13 Po shpejt harruanë punët’ e ati, nukë pritnë këshillën’ e ati,
14 po dëshëruanë fort ndë shkretëtirët, edhe gëcitnë Perëndinë ndë vënt të thatë.
15 Edhe ay u dha ç’i kërkuanë, po u dërgoj sëmundëje gjithë shpirtëvet.
16 Po zëmëruanë edhe Mojsinë ndë fushatët, edhe Aaronë shënjtin’ e Zotit.
17 U hap dheu, e përpiu Dhathanë, edhe mbuloj përmbëledhëjen’ e Avironit.
18 Edhe u ndes ziar ndë përmbëledhëjet t’atyreve; flaka doq fajtorëtë.
19 Edhe ndërtuanë viç ndë Horiv, edhe adhuruanë të derdhurënë idhullë,
20 edhe ndërruanë lavdin’ e ti me shëmbëllim kau, që ha bar.
21 Edhe harruanë Perëndinë që i shpëtoj, që bëri punë të mëdha ndë Misirë,
22 punë të maniçime ndë dhe të Hamit, punë të frikçime ndë Det të Kuq.
23 Edhe tha t’i prishtej ata, të mos ndënjëkej Mojsiu i cgjedhur’ i ati përpara ati, kur zu t’i dërrmontej, që të kthentej zëmërimn’ e ati, për të mos prishurë ata.
24 Po nukë zunë për gjë as dhen’ e dëshëruarshim, nuk’ i besuanë fjalësë ati;
25 edhe murmurisinë ndë tendat të tyre, nukë ndigjuanë zën’ e Zotit.
26 Përandaj ngriti dorën’ e ti mbi ata, që t’i rrëzontej ndë shkretëtirët,
27 edhe të rrëzontej farën’ e atyreve ndër kombet, edhe t’i përndantej ndëpër vëndet.
28 Edhe u ngjitnë pas Veellfegorit, edhe hëngrë kurbane të vdekurish,
29 edhe ndezë atë më të punuarat e tyre kaqë, sa u shumua ndër ata plaga.
30 Atëhere ndënjti Fineesi e bëri gjyq, edhe pushoj plaga,
31 edhe iu numërua për drejtëri bres pas brezi për gjithë jetënë.
32 Edhe e zëmëruanë ndër ujërat të kundrë-fjalësë, edhe Mojsiu hoqi keq për ata,
33 se i hidhëruanë shpirtinë kaqë, sa foli pa mënt me buzët e tia.
34 Nukë prishnë ata kombetë, që u pat thënë Zoti,
35 po u përzienë bashkë me kombet, edhe mësuanë punët’ e atyreve,
36 edhe u shërbyenë idhullavet gdhëndura, të cilatë u bënë kurth ndër ata,
37 edhe bënë kurban bijt’ e tyre, edhe bijat e tyre dhemonëvet,
38 edhe derthnë gjak të pa-fajm, gjakn’ e të bijet edhe të bijavet, të cilëtë i bënë kurban mbë të gdhëndurat idhullat e Hanaanit, edhe u ndoh dheu prej gjakrash.
39 Edhe u pëgënë me punët’ e tyre, edhe kurvëruanë me të punuarat e tyre.
40 Përandaj u zëmërua fort Zoti kundrë llauzit ti, edhe i erdhi të ndohëtë nga trashëgimi i ti.
41 Edhe dha ata ndër duart të kombevet, edhe i zotëruanë ata që u kishinë mëri.
42 Edhe i shtrënguanë arëmiqt’ e atyreve, edhe u përgjunjnë ndënë duart të atyreve.
43 Shumë herë i shpëtoj ata, po ata e hidhëruanë me këshillën’ e tyre, andaj u përgjunjnë për pa-udhërit e tyre.
44 Po Zoti pa shtrëngimn’ e atyreve, kur ndigjoi lutëjen’ e atyreve,
45 edhe kujtoj dhiatën’ e ti, edhe u pendua pas të shumëtit përdëllimit ti.
46 Edhe i bëri të gjeninë përdëllim përpara gjithë atyreve që i patnë skllavosurë.
47 Shpëto-na, o Zot Perëndia ynë, edhe mbëlith-na prej kombesh, që të lavdurojmë emrinë tënt të shënjtëruarinë, edhe të mburremi ndë lavdurimt tënt.
48 I bekuarë qoftë Zoti Perëndia i Israillit për gjithë jetën’ e jetësë. Edhe le të thotë gjithë llauzi: Amin, Allilluja.
1 Aleluja!
Përlëvdoni Zotin se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
2 Kush mund t'i kumtojë bëmat e Zotit,
t'u japë jehonë tërë lavdërimeve të tij?
3 Lum ata që zbatojnë të drejtën,
që veprojnë me drejtësi në çdo kohë.
4 Kujtomë, o Zot, sipas mirëdashjes
që tregon ndaj popullit tënd,
eja tek unë me shpëtimin tënd,
5 që të shoh të mirat e të zgjedhurve të tu,
që të gëzoj edhe unë bashkë me kombin tënd,
e të krenohem me trashëgiminë tënde.
6 Kemi mëkatuar ashtu si etërit tanë,
kemi kryer paudhësi, të keqen kemi bërë.
7 Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan,
mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan,
krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq.
8 Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij,
për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter,
përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente,
i shpengoi prej dorës së armikut.
11 Ujërat i mbuluan kundërshtarët,
asnjë prej tyre nuk shpëtoi.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij
dhe lavdërime atij i kënduan.
13 Por shpejt i harruan veprat e tij
e më nuk pritën për shestimin e tij.
14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë,
Perëndinë e tunduan në vend të shkretë.
15 Kërkesën atyre ua plotësoi,
por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse.
16 Smirë e patën Moisiun në fushim
dhe Aronin, të shenjtin e Zotit.
17 U hap toka dhe Datanin e përpiu,
turmën e Abiramit e groposi.
18 Zjarri e përpiu grumbullin e tyre,
flaka i dogji të paudhët.
19 Një viç punuan në Horeb,
një idhull të metaltë adhuruan.
20 Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë
shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar.
21 Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan,
atë që në Egjipt vepra madhështore bëri,
22 mrekulli në tokën e Kamit,
gjëra të tmerrshme në detin e Kuq.
23 Mendoi, atëherë, t'i shfaroste,
por Moisiu, i zgjedhuri i tij,
mes çarjes, para tij qëndroi,
që zemërimin e tij ta përmbante
e të mos i shkatërronte.
24 Tokën e dëshiruar e përbuzën,
fjalës së tij nuk i besuan.
25 Nëpër tendat e tyre murmuritën,
zërin e Zotit nuk e dëgjonin.
26 Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua,
që mu në shkretëtirë t'i plandoste,
27 që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste,
nëpër vende të huaja t'i hapërdante.
28 I ishin kushtuar Baalpeorit,
kishin ngrënë flitë e të vdekurve.
29 Me veprimet e tyre ia ndezën zemërimin,
prandaj mes tyre shpërtheu gjëma.
30 U ngrit Finehasi dhe bëri drejtësi,
e atëherë gjëma u ndal.
31 Kjo iu numërua për drejtësi,
brez pas brezi, në amshim.
32 E zemëruan sërish tek ujërat e Meribës,
për shkak të tyre e pësoi edhe Moisiu.
33 Ia hidhëruan shpirtin,
ndaj foli pa mend me buzët e veta.
34 Ata nuk i shfarosën popujt,
sikurse u kishte urdhëruar Zoti.
35 Por u përzien mes kombeve,
veprat e tyre mësuan.
36 Idhujve të tyre u shërbyen,
që kurth për ta u bënë.
37 Djemtë e vajzat e veta,
djajve ua flijuan.
38 Derdhën gjak të pafajshëm,
gjakun e bijve dhe të bijave.
Ua flijuan idhujve të Kanaanit,
me gjakun e tyre toka u njollos.
39 U përlyen me veprat që bënë,
kryen tradhti me veprimet e tyre.
40 Flakë u ndez zemërimi i Zotit
kundër popullit të vet,
ndot i erdhi nga trashëgimia e tij.
41 Në duart e kombeve i lëshoi,
i sunduan ata që i urrenin.
42 Prej armiqve u shtypën,
nën zgjedhën e tyre u poshtëruan.
43 Herë pas here i çlironte,
por me synimet e tyre krye ngrinin
e thellë në paudhësi fundoseshin.
44 Ai e pa sërish mundimin e tyre
dhe përgjërimin e tyre e dëgjoi.
45 I ra ndër mend besëlidhja me ta,
prej mirësisë së tij të madhe u zbut.
46 I bëri të gjenin mëshirë
prej gjithë atyre që i kishin robëruar.
47 Shpëtona, o Zot, Perëndia ynë,
prej kombeve ku gjendemi bashkona,
që të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë,
që të krenohemi me lavdinë tënde.
48 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,
nga mot e përgjithmonë!
Mbarë populli le të thotë: «Amen!».
Aleluja!