1 Lavduroni Zotnë, edhe thërritni mbë emërit të ati; dëfteni kombevet punët’ e ati.
2 Këndoni ati, edhe psallni ati, tregoni gjithë punët e ati të maniçimetë.
3 Mburruni mbë emërin’ e ati të shënjtëruarinë; u gëzoftë zëmëra e atyreve që kërkonjënë Zotnë.
4 Kërkoni Zotnë, edhe fuqin’ e ati; kërkoni faqen’ e ati përherë.
5 Kujtoni punët’ e ati të maniçimetë, që bëri, shënjet’ e ati të frikçimetë, edhe gjyqet’ e gojësë ati.
6 O far’ e Avraamit, shërbëtorit ati, o bijt’ e Jakovit, të cgjedhurit’ e ati.
7 Ay është Zoti Perëndia ynë, mbë gjithë dhenë janë gjyqet’ e ati.
8 Kujtoni përherë dhiatën’ e ati, fjalënë që porositi mbë një mijë breza,
9 atë dhiatënë që bëri me Avraamnë, edhe benë e ati (që bëri) ndë Isaaku,
10 edhe e vuri ndë Jakovi për urdhëratë, edhe ndë Israilli për dhiatë të përherëshme.
11 Duke thënë: Ty të kam për të dhënë dhen’ e Hanaanit, piesën’ e trashëgimit tuaj.
12 Kur ishinë ata të pakë ndë numërit, fort të pakë e të huaj ndë atë,
13 edhe shkoninë prej kombi ndë komp, prej mbëretërie ndë tiatërë llaus,
14 nukë la njieri t’u bëntej keq atyreve, po qërtoj mbëretrë për ata,
15 (e tha) Mos përkitni të lyerët’ e mi, edhe mos u bëni keq profitëvet mi.
16 Edhe pru zi buke mbi dhet, theu çdo forcat buke.
17 Dërgoj përpara atyreve njieri, Josifnë, që u shit për shërbëtuar,
18 të cilit i shtrënguanë këmbëtë me litar; shpirti i ati hoqi hekurë,
19 gjer sa të vintej fjala e ati, fjal’ e Zotit shprovoi atë.
20 Dërgoi mbëreti, edhe e cgjidhi, i par’i llauzit, edhe e la.
21 E bëri të zon’ e shtëpisë ti, edhe të parin’ e gjithë gjësë ti,
22 për të munduarë të parët’ e ati si të doj vetë, edhe për të mësuarë dituri pleqt’ e ati.
23 Atëhere erdhi Israilli ndë Misirë, edhe Jakovi u ngul ndë dhet të Hamit.
24 Edhe shtoj fort llausn’ e ti, edhe e bëri më të fortë se arëmiqt’ e ati.
25 Ktheu zëmërën’ e atyreve për të marrë mëri llausn’ e ati, për të gënjyerë shërbëtorët’ e ati.
26 Dërgoj Mojsinë shërbëtorin’ e ti, edhe Aaronë që cgjodhi.
27 Dëftyenë ndër ata fjalët’ e shënjevet ati, edhe punët’ e frikçime ndë dhet të Hamit.
28 Dërgoj errëcirë edhe u err; edhe nukë ndigjuanë fjalët’ e ati.
29 Ktheu ujërat’ e atyreve mbë gjak, edhe vrau pishqet’ e atyreve.
30 Dheu i atyreve nxori bretëkosa, gjer ndë qillaret të mbëretrëvet atyreve.
31 Tha, edhe erthnë miza qensh, edhe mëshkonja mbë gjithë sinoret të atyreve.
32 U lëshoi breshërë ndë vënt të shiut, edhe flakë ziari ndë dhet të atyreve.
33 Edhe goditi vëreshtat’ e atyreve, edhe drurët’ e fiqet atyreve, edhe theu drurët’ e sinorevet atyreve.
34 Tha, edhe erthnë karkaleca e krimba, që s’kishinë numërë;
35 edhe hëngrë gjithë barrë e dheut atyreve, edhe hëngrë pemët’ e dheut atyreve.
36 Edhe vrau ç’do dialë të paralindurë ndë dhet të atyreve, ballën’ e gjithë fuqisë atyreve.
37 Edhe nxori ata me ergjënt e me ar, edhe s’qe ndonjë i sëmurë ndë farrat t’atyreve.
38 U gëzua Misiri për të dalët të atyreve, që i kishtej marrë frika prej atyreve.
39 Hapi re, që t’i mbulontej, edhe ziar që t’u ndristej natënë.
40 Kërkuanë, edhe u pruri shkurtëza’ edhe i nginji me bukë qielli.
41 Çau gurrë, edhe buroj ujë, rrothnë lumenj ndë vënde të thatë.
42 Se i ra ndër mënt fjal’ e ti e shënjtëruara, ndë Avraami shërbëtori i ti.
43 Edhe nxori llausn’ e ti me gëzim, edhe të cgjedhurit’ e ti me ngazëllim,
44 edhe u dha dherrat e kombevet, edhe trashëguanë mundimet’ e llauzevet,
45 që të ruaninë urdhëratat’ e ati, edhe të mbaninë nomet e ati. Allilluja.
1 Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij,
shpallni mes popujve veprat e tij.
2 Këndojini atij e thurini lavde,
kumtoni gjithë mrekullitë e tij.
3 Krenohuni me emrin e tij të shenjtë,
u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë Zotin.
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
kërkojeni përherë fytyrën e tij.
5 Kujtoni mrekullitë që bëri,
çuditë dhe gjykimet e gojës së tij,
6 o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij,
o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.
7 Ai është Zoti, Perëndia ynë;
mbi mbarë dheun vendimet e tij.
8 Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij,
fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,
9 besëlidhjen që bëri me Abrahamin,
premtimin që i dha Isakut.
10 Ia caktoi si rregull Jakobit,
Izraelit si besëlidhje përjetë,
11 kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit
si pjesë të trashëgimisë suaj»,
12 kur ishin të hequr në numër,
të paktë e ardhacakë,
13 tek endeshin nga një komb te tjetri,
nga një mbretëri te një tjetër popull.
14 Nuk lejoi t'i shtypte askush,
mbretërit për hir të tyre qortoi:
15 «Mos m'i prekni të vajosurit,
profetët e mi mos i lëndoni».
16 Urinë solli në atë vend,
theu çdo enë buke.
17 Dërgoi para tyre një njeri,
Jozefin, që u shit si skllav.
18 Me pranga ia shtrënguan këmbët,
hekura i vunë rreth qafës,
19 derisa u përmbush fjala e tij,
fjala e Zotit e sprovoi atë.
20 I dërgoi fjalë mbreti që ta lironin,
sunduesi i popujve e la të lirë.
21 Zot të shtëpisë së tij e bëri,
sundues mbi gjithë zotërimin e tij,
22 që t'i ndreqte princat sipas gjykimit të tij
e t'u mësonte pleqve urtinë.
23 Atëherë Izraeli shkoi në Egjipt,
Jakobi u vendos në tokën e Kamit.
24 Dhe Zoti e shtoi shumë popullin e vet,
më të fortë se armiqtë e tij e bëri.
25 Ua ndryshoi zemrën egjiptianëve,
që popullin e tij ta urrenin,
që kundër shërbëtorëve të tij
me dredhi të silleshin.
26 Dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij,
Aronin, që vetë e kishte zgjedhur.
27 Kryen mes tyre shenjat e tij,
mrekullitë në tokën e Kamit.
28 Dërgoi errësirën e u bë terr,
fjalët e tij nuk i kundërshtoi kush .
29 Ujërat ua ktheu në gjak,
peshqit i ngordhi.
30 Vendi i tyre gëloi me bretkosa,
deri edhe në dhomat e mbretërve.
31 Foli Zoti e u vërsulën mori mizash,
mushkonjat mbarë trojet mbuluan.
32 U dërgoi breshër në vend të shiut,
flakë zjarri mbi vendin e tyre.
33 Ua goditi vreshtat e fiqtë,
pemët e tokave të tyre i theu.
34 Foli dhe ia behën karkalecat,
vemje, që s'kishin të numëruar.
35 Ua hëngrën gjithë bimësinë e vendit,
prodhimet e tokës ua përpinë.
36 Goditi gjithë të parëlindurit e vendit,
frytin e parë të pjellorisë së tyre.
37 I nxori izraelitët me argjend e me ar,
ndër fiset e tyre s'kish njeri të këputur.
38 U gëzua Egjipti kur ata u nisën,
se i kishte zënë tmerri prej tyre.
39 Renë shtriu për t'i mbuluar,
zjarrin për t'u bërë dritë natën.
40 Kërkuan e shkurta u dërgoi,
me bukë prej qiellit i ngiu.
41 Çau shkëmbin e buruan ujëra,
lumenj rrodhën nëpër shkretëtirë.
42 I ra ndër mend fjala e tij e shenjtë,
që Abrahamit, shërbëtorit të tij, i kishte thënë.
43 Popullin e vet e nxori me ngazëllim,
plot gëzim të zgjedhurit e tij.
44 Tokat e kombeve u dha,
mundin e popujve trashëguan,
45 që të mbajnë rregullat e tij
e të zbatojnë ligjet e tij.
Aleluja!