Përshëndetje
1 Unë, Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që jetoni në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, që jeni zgjedhur 2 sipas qëllimit të Perëndisë dhe jeni shenjtëruar nga Shpirti për t'iu bindur Jezu Krishtit dhe për t'u stërpikur me gjakun e tij: hiri dhe paqja u shtoftë ndër ju!
Shpresa e gjallë
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe 4 trashëgimin e paprishshëm, të panjollë e të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju.
5 Ju jeni ruajtur nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati të zbulohet në kohët e fundit. 6 Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme. 7 Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti.
8 Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë; dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë, 9 sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave. 10 Këtë shpëtim kërkuan profetët e për të patën hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve 11 e u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit e për lavdinë që do të vinte më pas. 12 Profetëve iu zbulua se ato që thoshin nuk ishin për ata vetë, por për ju. Pikërisht këto gjëra ju i keni dëgjuar tashmë nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin në Shpirtin e shenjtë të dërguar prej qiellit. Këto do të donin t'i shihnin edhe engjëjt.
Thirrje për shenjtëri
13 Prandaj, bëhuni gati shpirtërisht , rrini zgjuar dhe shpresoni plotësisht në hirin që do t'ju jepet kur të shfaqet Jezu Krishti. 14 Si bij të bindur, mos jetoni sipas dëshirave të mëparshme, që i kishit kur ishit në padije. 15 Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri. 16 Sepse është shkruar: jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë.
17 Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë. 18 Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari, 19 por me gjakun e çmuar të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë. 20 Flijimi i Krishtit ishte caktuar nga Perëndia që përpara se të krijohej bota, por për ju u shfaq në këto kohët e fundit. 21 Nëpërmjet tij ju besoni në Perëndinë që e ngjalli atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi. Kështu, besimi dhe shpresa juaj janë në Perëndinë.
22 Tani që ju i keni pastruar shpirtrat duke iu bindur së vërtetës dhe i keni dashur sinqerisht vëllezërit, ta doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt e me zemër të pastër! 23 Ju nuk keni rilindur nga fara që prishet, por nga fara që nuk prishet, nga fjala e Perëndisë së gjallë e të amshuar. 24 Sepse thuhet:
çdo njeri është si bari
dhe gjithë lavdia e tij
është si lulja e barit.
Bari u tha
e lulja u vyshk,
25 ndërsa fjala e Zotit
mbetet në amshim.
Kjo fjalë është ungjilli që ju është shpallur juve.