Pastrimi i të lebrosurit
(Mk 1.40-45Lk 5.12-16)1 Kur Jezui zbriti nga mali, turma të mëdha i shkuan pas. 2 Dhe ja, një i lebrosur iu afrua, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 3 Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra. 4 Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti e kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi».
Besimi i kryeqindësit
(Lk 7.1-10Gjn 4.43-54)5 Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: 6 «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». 7 Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». 8 Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 10 Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. 11 Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, 12 ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». 13 Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mk 1.29-34Lk 4.38-41)14 Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe. 15 Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t'u shërbente. 16 Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët, 17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isai:
mori mbi vete dobësitë tona
dhe mbarti sëmundjet tona.
Të ndjekësh Jezuin
(Lk 9.57-62)18 Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër. 19 Një shkrues iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh». 20 Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
21 Një tjetër, një nga dishepujt, i tha: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë». 22 Por Jezui i tha: «Ti më ndiq mua dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre».
Fashitja e stuhisë
(Mk 4.35-41Lk 8.22-25)23 Pastaj hipi në varkë i ndjekur nga dishepujt e vet. 24 Dhe ja, në liqen u ngrit një stuhi e madhe, aq sa varka u mbulua nga dallgët. Ndërkohë ai flinte. 25 Ata iu afruan, e zgjuan e i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!». 26 Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe. 27 Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?».
Shërimi i dy të pushtuarve nga djalli
(Mk 5.1-20Lk 8.26-39)28 Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge. 29 Dhe, ja, ata filluan të bërtisnin e të thoshin: «Çfarë ke me ne, o Biri i Perëndisë? Ke ardhur të na mundosh para kohe?». 30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash 31 dhe djajtë iu lutën Jezuit: «Nëse na dëbon, na dërgo te kjo tufë derrash». 32 Ai u tha: «Shkoni!». Atëherë, pasi dolën, ata shkuan te derrat dhe e tërë tufa u hodh nga humnera në liqen e u mbyt në ujë. 33 Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve e shkuan në qytet, që të tregonin për të pushtuarit nga djalli e për gjithçka ndodhi. 34 Dhe, ja, i gjithë qyteti i doli para Jezuit dhe kur e panë, iu lutën të largohej nga krahina e tyre.
Shërimi i të gërbulunit
1 Kur ybriti nga mali, i shkuen mbrapa turma të mëdhaja. 2 Dhe, ja, një i gërbulun iu avit e u përkul para tij tue thanë: «O Zot, po të duesh, ti mundesh me më dlirë». 3 Ai shtriu dorën, e preku e tha: «Due, le të bahesh i dëlirë». E menjëherë iu dëlir gërbula. 4 Mandej Jezusi i tha: «Shih se mos i thue kujt, por shko me iu dëftue priftit dhe paraqit kushtimin që urdhnoi Moisiu, si dëshmi për ta».
Shërimi i shërbëtorit të kryeqindshit
5 Kur ai hyni në Kafarnaum, iu afrue një kryeqindsh, tue iu lutë 6 e tue i thanë: «Zot, shërbëtori im dirgjet në shtëpi i paralizuem,, me mundime të mëdha». 7 E ai i tha: «Vij unë dhe e do ta shëroj». 8 Kryeqindshi i tha: «Zot, Nuk jam i ndenjë që ty hysh nën pullazin tim, por vetëm thuej një fjalë e do të shëndoshet. 9 Se edhe unë njeri nën një pushtet dhe, tue pasë ushtarë nën vete, i then njanit: "Eja!" e ai vjen dhe tjetrit: "Bane këtë!" e ai e ban». 10 Mbasi Jezusi ndëgjoi, u mahnit e u tha atyne që po e ndiqnin: «Vërtet po ju them: te askush në Izraeli nuk e kam gjetë një besim kaq të madh. 11 Porse, po ju them se shumë do të dalin nga lindja e nga perëndimi e do të shtrohen me Abrahamin, me Isakun e Jakobin në mbretninë e qiejve, 12 kurse bijtë e mbretnisë do të flaken në terrin e përjashtëm. Atje do të ketë vajtim e kërcëllim dhambësh». 13 Atëherë Jezusi i tha kryeqindshit: «Shko. Të ndodhtë siç besove!». Dhe iu shërue shërbëtori në atë kohë.
Shërimet te shtëpia e Pjetrit
14 Kur hyni në shtëpinë e Pjetrit, vuni re vjehrrën e tij të dergjun në shtrat e me zjarrmi. 15 Ai i preku dorën e asaj i ra zjarrmia. Atëherë u çue e i shërbente. 16 Kur ra mbramja, i sollën shumë të djallosun. Ai i dëboi shpirtënt me anë të fjalës dhe shëroi të gjithë ata që kishin lëngata, 17 aq sa u plotësue çka qe thanë me anë të Isaisë profet:
Ai i mori dobësitë tona ,
edhe sëmundjet i barti .
Jezusi, mësues i lirë
18 Tue pa rreth vetes një turmë të madhe, urdhnoi me kalue matanë. 19 Një shkrues iu avit e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo të shkosh». 20 Jezusi i tha: «Dhelpnat kanë strofuj e zogjtë fole, por biri i njeriut nuk ka ku me e mbështetë kryet».
21 Dikush tjetër prej nxanësve i tha: «Zot, më jep leje të shkoj me varrosë ma parë tim atë». 22 Por Jezusi i tha: «Më ndiq mue e leni të vdekunit të varrosin të vdekunit e vet».
Qetësimi i stuhisë
23 Atëherë hyni në lundër dhe nxanësit e vet e ndoqën. 24 E, ja, një shtërngatë e madhe u çue në liqen, aq sa me u mbulue lundra nën dallgë. Por ai po flinte. 25 U afruen dhe e zgjuen, tue i thanë: «Zot, ban shpëtim! Po rroposemi». 26 E ai u tha: «Pse jeni frikacakë, o besimpaktë?». Atëherë u çue, i bërtiti erës e detit e u ba qetësi e madhe. 27 Njerëzit u mahnitën, tue thanë: «Çka asht ky, që po i binden edhe era edhe deti?».
28 Kur mbërriti matanë, në krahinën e gadarenëve, ndeshi në dy të djallosun, që po dilnin prej varreve. Ata ishin fort të dhunshëm, aq sa askush nuk mundte me kalue asaj udhe. 29 Dhe, ja, vikatën e thanë: «Çka ka mes nesh e teje, o Bir i Hyut? A erdhe me na mundue para kohe?». 30 Larg tyne gjendej një tufë e madhe derrash tue kullotë. 31 Atëherë i thanë: «Nëse na dëbon, na ço te tufa e derrave». 32 Ai u tha: «Shkoni!». Ata dolën e hynë te derrat. Dhe, ja, tanë tufa u turr nga rrëpina në liqen e u mbytën në ujë. 33 Çobanët morën arratinë e shkuen në qytet me u tregue të gjithëve në lidhje me të djallosunit. 34 Dhe, ja, tanë qyteti i doli para Jezusit, por, kur e panë, iu lutën të largohej prej viseve të tyne.