Vrasja e Gjon Pagëzorit
(Mk 6.14-29Lk 9.7-9)1 Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin 2 e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 3 Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, 4 sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». 5 Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. 6 Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit 7 aq shumë, sa i premtoi me betim t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. 8 Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». 9 Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t'ia jepnin. 10 Ai dërgoi dikë që ia preu kokën Gjonit në burg. 11 Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës. 12 Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mk 6.30-44Lk 9.10-17Gjn 6.1-14)13 Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. 14 Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. 15 Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». 16 Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». 17 Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». 18 Jezui tha: «M'i sillni këtu». 19 Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave. 20 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta. 21 Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve.
Ecja mbi ujë
(Mk 6.45-52Gjn 6.15-21)22 Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. 23 Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t'u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm, 24 ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, se era ishte kundër. 25 Në agim , Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. 26 Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. 27 Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 28 Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». 29 Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, 30 por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». 31 Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». 32 Kur hipën në varkë, era pushoi. 33 Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë e i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».
Shërimi në Gjenesaret
(Mk 6.53-56)34 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit. 35 Kur e njohën, njerëzit e atij vendi çuan fjalë në të gjithë krahinën përreth, i sollën të gjithë të sëmurët 36 e iu lutën që të mund t'i preknin vetëm cepin e gunës. Kështu, ata që e prekën, u shëruan.
Vdekja e Gjon Pagëzuesit
1 Në atë kohë Herod Tetrarku ndigjoi për bujën e Jezusit. 2 Ai u tha thërbëtorëve të vet: «Ky asht Gjon Pagëzuesi. Ai u ngrit prej të vdekunve, prandaj fuqitë veprojnë në të». 3 Se Herodi e kishte kapë Gjonin, e kishte lidhë dhe e kishte shtie në burg, prej Herodiadës, grues së Filipit, vëllait të vet. 4 Gjoni i thonte: «Nuk të lejohet me e marrë atë». 5 Ndonëse dëshironte me e vra, i frigohej turmës, se e mbanin si profet. 6 Kur erdhi ditëlindja e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi mes të tanëve e i pëlqeu Herodit, 7 prandaj, me be, premtoi haptas me i dhanë çkado t'i lypte. 8 E ngucun nga e ama, ajo tha: «Më jep këtu, në pjatë, kryet e Gjon Pagëzuesit». 9 Mbreti u pezmatue. Për shkak të besë e të bujtësve, urdhnoi me ia dhanë 10 e nisi dikënd me ia pre kryet Gjonit në burg. 11 Ia sollën kryet në një pjatë e ia dhanë vajzës, e cila e solli te e ama. 12 Atëherë nxanësit e tij erdhën, morën kufomën, e varrosën dhe shkuen me njoftue Jezusin.
Bukët në shkretinë
13 Kur ndigjoi Jezusi, u largue prej andej me lundër, më vete, në një vend të shkretë. Turmat, mbasi ndigjuen, iu vunë mbrapa nëpër tokë, prej qytetit. 14 Si zbriti, pa një turmë të madhe e iu dhimbtën dhe i shëroi të ligunit e tyne. 15 Kur ra mbramja, nxanësit iu hullën e i thanë: «Vendi asht i shkretë e tash kaloi koha. Zgjidhi turmat, që të shkojnë nëpër katunde me ble ushiqm për vete». 16 Por Jezusi u tha: «Nuk kanë nevojë me ikë. Jepuni ju me hangër». 17 Ata i thanë: «Nuk kemi këtu, veçse pesë bukë e dy peshq». 18 Ai u tha: «M-i sillni mue këtu». 19 Dhe, mbasi i urdhnoi turmat me u shtrue mbi bar, mori pesë bukët e dy peshqit, i solli sytë drejt qiellit, tha bekimin, i theu, ua dha bukët nxanësve e nxanësit turmave. 20 Të gjithë hangrën e u nginë dhe bartën çka teproi prej bukëve të thyeme: dymbëdhjetë shporta plot. 21 Ata që hangrën ishin rreth pesëmijë vetë, përveç grave e fëmijëve.
Jezusi ecën mbi ujë
22 Menjëherë i detyroi nxanësit me hy në lundër e me i parapri matanë, derisa ai të zgjidhte turmat. 23 Kur i zgjidhi turmat, u ngjit në mal, vetëm, me u lutë. Kur ra nata, ndenjti vetëm, aty. 24 Lundra ishte tashma shumë stade nga toka, nën goditjen e dallgëve, se e kishte erën kundër. 25 Në rendin e katërt të rojes së natës, ai erdhi tek ata, tue ecë mbi det. 26 Nxanësit, kur e panë tue ecë mbi det, u trumhasën e thanë: «Asht shajni!». E vikatën nga frika. 27 Por Jezusi u foli menjëherë e u tha: «Guixim! Unë jam. Mos u trembni!». 28 Pjetri, atëherë, i tha: «Zot, nëse ti je, me urdhno me ardhë tek ti përmbi ujna». 29 Ai i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga lundra, eci mbi ujna dhe shkoi te Jezusi. 30 Por, tue pa erën e fortë, u tut dhe, si nisi me u zhytë, vikati e tha: «Zot, më shpëto!». 31 Jezusi shtriu dorën menjëherë, e rroku e tha: «Besimpakët! Pse u mëdyshe?». 32 Kur hipën në lundër, u fashit era. 33 Ata që ishin në lundër ranë përmbys e i thanë: «Njëmend ti je bir i Hyut».
Shërimi në Gjenesaret
34 Kur kaluen në bregun tjetër, dolën në tokë në Gjenesaret. 35 Tue qenë se njerëzit e atij vendi e njohën, çuen fjalë në mbarë atë rrethinë dhe i sollën tanë ata që kishin lëngata. 36 Atëherë i luteshin vetëm me i prekë kindin e zhgunit dhe, ata që e preknin, shëroheshin krejt.