Tradita e të parëve
(Mk 7.1-23)
1 Farisenjtë dhe shkruesit erdhën te Jezui nga Jerusalemi e i thanë: 2 «Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e të parëve? Ata nuk i lajnë duart kur hanë». 3 Jezui u përgjigj: «Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj? 4 Se Perëndia ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. 5 Por ju thoni: “Kush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë, 6 ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar të atin ”. Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë. 7 Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha:
8 ky popull më nderon me buzë,
por zemrat e tyre janë larg meje.
9 Më kot më nderojnë,
përderisa japin si mësim të Zotit
urdhrat e njerëzve ».
10 Pastaj e thirri turmën pranë vetes e tha: «Dëgjoni e merrni vesh! 11 Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot çfarë del prej saj».
12 Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se u je bërë pengesë farisenjve kur e kanë dëgjuar këtë gjë?». 13 Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë. 14 Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».
15 Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë». 16 Jezui tha: «Ende nuk e keni kuptuar? 17 A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet? 18 Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun. 19 Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme e fyerjet. 20 Këto e ndotin njeriun e jo ngrënia me duar të palara».
Besimi i gruas kananite
(Mk 7.24-30)
21 Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe ja, një grua kananite, nga ajo krahinë, shkoi e i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli». 23 Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur». 24 Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». 25 Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!». 26 Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». 27 Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve». 28 Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast.
Shërimi i shumë njerëzve
29 Jezui u largua që andej e shkoi bregut të liqenit të Galilesë. U ngjit në mal dhe u ul aty. 30 Turma të mëdha erdhën tek ai duke sjellë me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, memecë e shumë të tjerë. I ulën te këmbët e tij dhe ai i shëroi. 31 Kështu turmat u mrekulluan kur panë memecët që po flisnin, të gjymtuarit që shëroheshin, të çalët që ecnin, të verbrit që shikonin dhe përlëvduan Perëndinë e Izraelit.
Ushqimi i katër mijë vetave
(Mk 8.1-10)
32 Pastaj Jezui thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t'i lë të shkojnë të uritur e të mbeten rrugës». 33 Dishepujt i thanë: «Ku ta gjejmë gjithë atë bukë në shkretëtirë për të ushqyer tërë këtë turmë?». 34 Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë bukë e disa peshq të vegjël». 35 Pasi urdhëroi turmën të ulej përdhe, 36 mori shtatë bukët dhe peshqit, tha lutjen e falënderimit, i theu bukët, ua dha dishepujve e dishepujt ua dhanë turmave. 37 Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe morën me vete shtatë shporta me copat që tepruan. 38 Ata që hëngrën ishin katër mijë burra, përveç grave e fëmijëve. 39 Jezui i shpërndau turmat, hipi në varkë e shkoi në krahinën e Magadanit.
Ndreqja e dokeve
1 Atëherë erdhën Jezusi disa farisej e shkresarë prej Jerusalemit e i thanë: 2 «Pse nxanësit e tu shkelin doken e të moçmëve? Se nuk lajnë duert kur hanë bukë». 3 Ai iu përgjigj: «Pse edhe ju shkelni urdhnin e Hyut për shkak të dokes suej? 4 Se Hyu tha: Ndero atë e nanë dhe kush shpërflet atë e nanë të dënohet me vdekje . 5 Por ju thoni: "Ai që i thotë atit apo nanës: 'dhuratën, që të takon prej meje, lene të jepet për ndihmë', 6 nuk ka nevojë me e nderue të atin". Ia hiqni zotësinë fjalës së Hyut, për hir të dokës suej. 7 Dyfytyrsha! Bukur profetizoi për ju Isaia, që thotë:
8 Ky popull më nderon me buzë,
por zemrën e kanë larg meje.
9 Kot më falen,
tue dhanë për mësime urdhnat e njerëzve. »
10 Atëherë thirri pranë turmën e u tha: «Ndigjoni e kini mendjen: 11 jo çka hyn në gojë e përdhos njeriun, por çka del prej goje e përdhos njeriun».
12 Atëherë iu afruen nxanësit e i thanë: «A e din se farisejtë, tue ndigju fjalën, janë bjerrë?». 13 Ai iu përgjigj: «Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të çrranjoset. 14 Leni ata. Janë të verbët, prijës të të verbtëve. Kur i verbti i prin të verbtit, të dy do të bien në gropë».
15 Por Pjetri ia ktheu: «Na e shtjello këtë shëmbëlltyrë». 16 Ai i tha: «A edhe ju jeni ende mendjemangët? 17 Nuk e dini se gjithçka që hyn në gojë, del në bark e qitet në gropë të zezë? 18 Por, çka del prej goje, buron nga zemra. Kjo e përdhos njeriun. 19 Se nga zemra burojnë mëtimet e liga, vrasjet, besëthyemjet, lavirjet, hajnitë, kinsedëshmitë, blasfemitë. 20 Këto janë, që e përdhosin njeriun, kurse të ngranit me duer të papastra nuk e përdhos njeriun».
Besimi i grues kananite
21 Atëherë Jezusi doli prej andej e u largue drejt rrethit të Tirit e të Sidonit. 22 E, ja, një grue kananite, prej atyne viseve, doli e klithte tue thanë: «Më mëshiro, o Zot, bir i Davidit! Bija ime asht e mundueme randë prej djallit». 23 Por ai nuk i ktheu fjalë. Nxanësit iu afruen e iu lutën: «Nise, se rrin tue klithë mbas nesh». 24 Ai iu përgjigj: «S'jam dërgue, veçse te delet e humbuna të shtëpisë së Izraelit». 25 Por ajo erdhi e ra përmbys para tij tue thanë: «Zot, më ndihmo!». 26 Ai u përgjigj: «Nuk ka hije me marrë bukën e fëmijëve e me ua hedhë qenve». 27 Ajo tha: «Po, Zot, por edhe qentë hanë prej dramcave të rame prej tryezës së zotnive të tyne». 28 Atëherë Jezusi u përgjigj e i tha: «O grue, i madh ash besimi yt! Të ndodhtë siç dëshiron!». Dhe iu shërue e bija, që prej asaj grime.
Jezusi shëron shumë njerëz
29 Mandej u largue prej andej, shkoi anës së detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul aty. 30 Turma të mëdha iu afruen, tue marr me vete të ligun, të verbtë, të gjymtuem, të pagojë e shumë të tjerë. I ulën te kambët e tij e ai i shëroi, 31 saqë turmat u mahnitën tue pa të pagojët tue folë, të gjymtuemt të shëruem, të çalët tue ecë e të verbtët tue pa. Dhe lëvdonin Hyun e Izraelit.
Shujta e katërmijë vetëve
32 Jezusi thirri pranë nxanësit e vet e u tha: «Më dhimbet turma, se u banë tashma tri ditë që më rrinë pranë e nuk kanë çka me hangër. Nuk dëshiroj me i nisë të uritun, që të mos molisen udhës». 33 Nxanësit i thanë: «Nga t'i gjejmë gjithë ato bukë në shkretinë, sa me ngie një turmë të tillë?» 34 Jezusi u tha: «Sa bukë keni?». I thanë: «Shtatë. Edhe pak bërcakë». 35 Ai urdhnoi turmën të shtrohej në truell, 36 mori shtatë bukët e peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha nxanësve të vet, kurse nxanësit, turmave. 37 Të gjithë hangrën e u nginë. Tepricën e copave e ngritën: shtatë shporta plot. 38 Ata që hangrën ishin katërmijë burra, përveç grave e fëmijëve. 39 Ai i nisi turmat, hipi në lundër e mbërriti në krahinën e Magadanit.