Mos e gjyko tjetrin
(Lk 6.37-38, Lk 41-42)1 «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni, 2 sepse siç gjykoni, do të gjykoheni, dhe me masën që do të matni, do të mateni. 3 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 4 Dhe si mund t'i thuash vëllait tënd “më lër të ta heq ashklën nga syri” kur ke traun në syrin tënd? 5 Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd.
6 Mos u jepni qenve gjërat e shenjta e mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t'ju shqyejnë».
Lypni, kërkoni, trokitni
(Lk 11.9-13)7 «Lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, 8 sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. 9 Kush prej jush do t'i jepte gur fëmijës së vet po t'i kërkonte bukë? 10 Ose, do t'i jepte gjarpër po t'i kërkonte peshk? 11 Nëse ju, që jeni të këqij dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.
12 Bëjuni të tjerëve gjithçka dëshironi t'ju bëjnë juve. Në këtë përmblidhen ligji e profetët».
Dera e ngushtë
(Lk 13.24)13 «Hyni nëpër derën e ngushtë, se e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje e të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të. 14 Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë».
Pema dhe frytet
(Lk 6.43-44)15 «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. 16 Ata do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat? 17 Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija. 18 Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija dhe as pema e kalbur nuk jep fryte të mira. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr. 20 Kështu, pra, prej fryteve të tyre do t'i njihni».
Nuk ju kam njohur
(Lk 13.25-27)21 «Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. 22 Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”. 23 Atëherë do t'u them: “Kurrë nuk ju kam njohur, largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi”».
Dy shtëpitë
(Lk 6.47-49)24 «Kushdo që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb. 25 Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26 Kushdo që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të pamend që e ka ndërtuar shtëpinë në rërë. 27 Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat e u vërsulën kundër kësaj shtëpie, dhe ajo u shemb. I madh qe shkatërrimi i saj».
28 Dhe kur Jezui mbaroi së foluri, turmat mbetën të habitura nga mësimi i tij, 29 se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit.
Për gjykimin
1 «Mos gjykoni, që të mos gjykohenit. 2 Me gjykimin me të cilin gjykoni do të gjykoheni e me masën me të cilën do të matni do të matet për ju. 3 Pse shesh ashklën në synin e vëllait tand, porse traun në synin tand nuk e vëren? 4 Ose, si i thue vëllait tand: "Më len ta heq ashklën prej synit", kur ja që ke traun synin tand? 5 Dyfytyrësh! Hiq ma parë traun nga syni yt e atëherë do të shohësh mirë me heqë ashklën nga syni i vëllaut tand.
6 Mos u jepni qenve çka asht e shenjtë e mos ua hidhni perlat derrave, që të mos i shkelin me kambë e të kthehen me ju coptue ju».
Kush lyp, merr
7 «Lypni e do t'ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t'ju çelet. 8 Po, kushdo që lyp, merr. Kush kërkon, gjen. Kujt troket, do t'i çelet. 9 A ka ndonjë njeri prej jush, që, po t'i lypte i biri bukë, ai do t'i jepte gurë? 10 Apo që, po t'i kërkonte peshk, do t'i jepte gjarpër? 11 Nëse ju, që jeni të ligj, dini me u dhanë fëmijëve tuej dhurata të mira, aq ma shumë Ati juej që asht në qiell do t'u japë të mira atyne që ia kërkojnë.
12 Gjithçka dëshironi që njerëzit të bajnë për ju, ashtu bani edhe ju për ta. Ky asht ligji e profetët».
Dy udhët
13 «Hyni nëpër derë të ngushtë, se e gjanë asht dera dhe e haptë asht rruga që çon në rrënim e të shumtë janë ata që hyjnë nëpër të. 14 Por e ngushtë asht dera dhe e shtrënguet ast rruga që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë».
Profetët e rremë
15 «Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë ndër ju me petka delesh, porse përmbrenda janë ujq të pangopshëm. 16 Prej fryteve të tyne do t'i dalloni. Mos u vilka rrushi nga ferrat, apo fiqtë nga murrizat? 17 Njësoj, çdo pemë e mirë jep fryte të bukura, kurse pema e çartun jep fryte të këqija. 18 Nuk mundet nji pemë e mirë me dhanë fryte të këqija, as pema e çartun me dhanë fryte të bukura. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të bukur duhet me u pre e me u hedhë në zjarr. 20 Prandaj, prej fryteve të tyne do t'i dalloni».
Nxanësi i vërtetë
21 «Jo kushdo që rrin tue më thanë: "O Zot, o Zot!" do të hyjë në mbretninë e qiejve, por ai që kryen vullnetin e Atit tim, që asht në qiej. 22 Shumë vetë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuem në emnin tand, e në emnin tand nxorëm djajtë, e në emnin tand bamë mrekulli?" 23 E atëherë do t'u tham haptas: "Kurrë s'ju njoha. M'u shporrni, ju që bani mbrapshti!"».
Shtëpia mbi shkamb
24 «Tash, kush i ndëgjon këto fjalë të miat dhe i zbaton, i përngjan një burri të urtë, që e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkamb, 25 ra shiu, vërrshuen lumejtë, fryen ernat e u përplasën me atë shtëpi, por ajo nuk u shemb, se ishte e themelueme mbi shkamb. 26 Kush i ndëgjon këto fjalë të miat e nuk i zbaton, i ngjan një njeriu të marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi ranë, 27 ra shiu, vërrshuen lumejtë, fryen ernat e u përplasën me atë shtëpi dhe ajo shtëpi u shemb e rrëzimi i saj qe i madh».
28 Mbasi Jezusi i kreu këto fjalime, turmat mbetën të mahnituna prej mësimit të tij. 29 Ai i mësonte si dikush që ka pushtet e jo si shkruesit e tyne.