Dhjetë virgjëreshat
1 «Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me dhjetë virgjëresha që morën kandilat e shkuan për të takuar dhëndrin. 2 Pesë prej tyre ishin të marra e pesë të mençura. 3 Të marrat, kur morën kandilat, nuk morën vaj me vete, 4 ndërsa të mençurat morën enë vaji për kandilat. 5 Dhëndri u vonua e ato dremitën të gjitha e i zuri gjumi. 6 Por në mesnatë dikush thirri: “Erdhi dhëndri, dilni ta takoni”. 7 Atëherë të gjitha virgjëreshat u zgjuan për të bërë gati kandilat. 8 Të marrat u thanë të mençurave: “Na jepni pak nga vaji juaj, se po na fiken kandilat”. 9 Por të mençurat u përgjigjën: “Jo, se pastaj nuk do të na mjaftojë as neve e as juve. Më mirë shkoni te tregtarët e blini”. 10 Kur shkuan për të blerë, mbërriti dhëndri. Virgjëreshat që ishin gati, hynë së bashku me të në dasmë dhe dera u mbyll. 11 Pastaj erdhën virgjëreshat e tjera e thanë: “Zotëri, zotëri, na e hap derën!”. 12 Por ai u përgjigj: “Me të vërtetë po ju them se nuk ju njoh”.
13 Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini as ditën e as orën ».
Shëmbëlltyra e monedhave
(Lk 19.11-27)14 «Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që, para se të nisej për në një vend të huaj, thirri shërbëtorët e vet e u besoi pasurinë. 15 Njërit i dha pesëqind monedha ari, një tjetri dyqind e tjetrit njëqind, secilit sipas aftësisë që kishte. Pastaj u nis për rrugë. 16 Ai që kishte marrë pesëqind monedha, shkoi menjëherë, bëri tregti me to dhe fitoi edhe pesëqind të tjera. 17 Po ashtu, ai që kishte marrë dyqind monedha, fitoi edhe dyqind të tjera. 18 Por, ai që kishte marrë njëqind monedha, shkoi, gërmoi tokën e i fshehu atje monedhat e zotërisë së vet.
19 Pas një kohe të gjatë i zoti i këtyre shërbëtorëve erdhi e bëri llogaritë me ta. 20 Ai që kishte marrë pesëqind monedha, erdhi e solli edhe pesëqind të tjera e tha: “Zotëri, më dhe pesëqind monedha, ja, fitova edhe pesëqind të tjera”. 21 I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”. 22 Edhe ai që kishte marrë dyqind monedha erdhi e tha: “Zotëri, më dhe dyqind monedha, ja, fitova edhe dyqind të tjera”. 23 I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”.
24 Edhe ai që kishte marrë njëqind monedha, erdhi e tha: “Zotëri, unë të njoh për njeri të rreptë, që korr ku nuk ke mbjellë e mbledh ku nuk ke shpërndarë, 25 prandaj pata frikë dhe shkova e i fsheha në tokë monedhat që më dhe. Merri, ja ku i ke!”. 26 Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i mbrapshtë e përtac. Ti e paske ditur se unë korrkam ku nuk kam mbjellë e mblidhkam ku nuk kam shpërndarë? 27 Atëherë duhej t'i kishe futur paratë e mia në bankë që, kur të kthehesha, t'i merrja bashkë me fitimin.
28 Prandaj merrjani këtij monedhat e jepjani atij që ka një mijë, 29 se atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do t'i teprojë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo që ka. 30 Shërbëtorin e pavlerë hidheni përjashta në errësirë, ku ka vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”».
Gjykimi i kombeve
31 «Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij bashkë me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e tij të lavdishëm. 32 Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t'i ndajë njërin nga tjetri, siç ndan bariu delet nga dhitë. 33 Delet do t'i vërë në të djathtë, ndërsa dhitë në të majtë.
34 Pastaj mbreti do t'u thotë atyre që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuarit e Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga krijimi i botës, 35 sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj e më pritët, 36 isha i zhveshur e më veshët, isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek unë”. 37 Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritur e të dhamë për të ngrënë? Ose të pamë të etur e të dhamë për të pirë? 38 Dhe kur të pamë të huaj e të pritëm apo të zhveshur e të veshëm? 39 Kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?”. 40 Mbreti do t'u përgjigjet: “Me të vërtetë po ju them se sa herë e keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”.
41 Pastaj do t'u thotë atyre që janë në të majtën e tij: “Largohuni prej meje, o të mallkuar, në zjarrin e amshuar që është përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij, 42 sepse pata uri e nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje e nuk më dhatë për të pirë, 43 isha i huaj e nuk më pritët, isha i zhveshur e nuk më veshët, isha i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët të më shihni”. 44 Atëherë edhe ata do të përgjigjen: “O Zot, kur të pamë të uritur, të etur, të huaj, të zhveshur, të sëmurë apo në burg e nuk të shërbyem?”. 45 Ai do t'u thotë: “Me të vërtetë po ju them se sa herë që nuk e keni bërë këtë për ndonjërin nga vëllezërit e mi më të vegjël, nuk ma keni bërë as mua”.
46 Këta do të shkojnë në dënimin e amshuar, ndërsa të drejtët në jetën e amshuar».
Dhjetë virgjënat
1 «Atëherë, mbretnia e qiejve u përngjet dhjetë virgjnavë, të cilat morën kandilat e vet e i dolën para dhandrrit. 2 Pesë prej tyne ishin të marra e pesë të mençuna. 3 Të marrat, tue marrë kandilat, nuk morën voj me vete. 4 Të mençunat morën voj në enë të vogla bashkë me kandilat e vet. 5 Dhandri po vonohej, prandaj u kotën të gjitha e ranë në gjumë. 6 Por, në mesnatë, u ba një vikamë: “Ja dhandri, dilni para”. 7 Atëherë u çuen të gjitha ato virgjna e zbukuruen kandilat. 8 Të marrat u thanë të mençunave: “Na jepni voj prej tuejit, se po na fiken kandilat”. 9 Por të mençunat u përgjigjën: “Jo, se atëherë s'na del as neve e as juve. Ma mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete”. 10 Kur shkuan me ble, ia behu dhandri. Ato që ishin gati, hynë me të në dasmë dhe u ndrye dera. 11 Ma vonë mbërritën edhe virgjnat e tjera e thanë: “Zotni, zotni, na e hap derën!”. 12 Por ai u përgjigj: “Vërtet po ju them: nuk ju njoh”.
13 Rrini zgjuet, pra, se nuk e dini as ditën e as orën».
Shëmbëlltyra e talentave
14 «Asht porsi një njeri, që tue u nisë për udhë, thirri shërbëtorët e tij e u la plangun e vet. 15 Njenit i dha pesë talenta, tjetrit dy e tjetrit një, secilit simbas aftësisë vetjake, e u nis për rrugë menjëherë. 16 Ai që kishte marrë pesë talenta, shkoi e i shtiu në punë dhe përfitoi edhe pesë të tjera. 17 Po ashtu, ai që kishte marrë dy, përfitoi dy të tjera. 18 Por, ai që kishte marrë një, shkoi, gërmoi dheun dhe e mshehu paren e zotnisë së vet.
19 Mbas shumë kohe, i zoti i këtyne shërbëtorëve vjen e ndreq llogaritë me ta. 20 U avit ai që kishte marrë pesë talenta, solli edhe pesë të tjerë e tha: “Zotni, ti më dorëzove pesë talenta. Ja, përfitova edhe pesë të tjerë”. 21 I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. Ishe besnik në pak, unë do të të caktoj mbi shumë. Hyn në gëzimin e zotnisë tand”. 22 U avit edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: “Zotëri, më dorëzove dy talenta. Ja, përfitova edhe dy të tjerë”. 23 I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. Ishe besnik në pak, unë do të caktoj mbi shumë. Hyn në gëzimin e zotnisë tand”.
24 U avit edhe ai që kishte marrë njëqind monedha e tha: “Zotni, di se je njeri i ashpër, që korr ku nuk ke mbjellë e mbledh ku nuk ke hedhë, 25 prandaj, i friguem, shkova dhe e msheha në tokë talentin tand. Shih ku e ke gjanë tande!”. 26 Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i keq e përtac. Ti dike se unë korrkam ku nuk kam mbjellë e mblidhkam ku nuk kam hedhë? 27 Atëherë duhej t'i kishe vue paret e mia nëpër banka, që, kur të kthehesha, të kisha marrë gjanë time me kamatë.
28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta, 29 se, secilit që ka, do t'i jepet e do t'i teprojë, por, atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 30 Shërbëtorin e padobishëm qiteni terrin e përjashtëm. Atje ka vajtim e kërcëllim dhambësh”».
Gjykimi i kombeve
31 «Kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë, e të gjithë engjëjt me të, do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. 32 Para tij do të mblidhen të gjitha komnbet e ai do t'i veçojë nga njeni-tjetri, siç veçon bariu delet nga dhitë. 33 Delet do t'i vejë në të djathtën e vet e dhitë në të majtën.
34 Atëherë mbreti do t'u thotë atyne që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuemit e Atit tim, merreni trashëgim mbretninë e përgatitun për ju qysh prej fillimit të botës, 35 se pata uri e më dhatë me hangër, pata etje e më dhatë me pi, isha i huej e më pritët, 36 isha i zbuluet e më mbuluet, isha i sëmundë u kujdesuet për mue, isha në burg e erdhët te unë”. 37 Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritun e të ushqyem? Apo të etun e të dhamë me pi? 38 Kur të pamë të huej e të pritëm, apo të zbuluet e të mbuluem? 39 Kur të pamë të sëmundë apo në burg e erdhëm te ti?”. 40 Mbreti do t'u përgjigjet: “Vërtet po ju them se sa herë ua keni ba këtë njenit prej këtyne vëllazënve të mi ma të vegjël, ma keni ba mue”.
41 Mandej do t'u thotë atyne që janë në të majtën e tij: “Shporrmuni, o të mallkuem, në zjarrin e amshuem, që asht përgatitë për djallin dhe engjëjt e tij, 42 se pata uri e nuk më dhatë me hangër, pata etje e nuk më dhatë me pi, 43 isha i huej e nuk më pritët, isha zbuluet e nuk më mbuluet, isha i sëmundë e në burg e nuk u kujdesët për mue”. 44 Atëherë edhe ata do të përgjigjen: “O Zot, kur të pamë të uritun, të etun, të huej, zbuluet, të sëmundë e në burg e nuk u kujdesëm për ty?”. 45 Ai do t'u thotë: “Vërtet po ju them, sa herë që nuk is keni ba këtë njenit prej vëllazënve të mi ma të vegjël, nuk ma keni ba as mue”.
46 E këta do të bein në ndëshkimin e amshuem, ndërsa të drejtët në jetën e amshueme».