Predikimi në mal
(Mt 5—7)1 Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. 2 Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu:
Lumnitë
(Lk 6.20-23)3 «Lum të varfrit në shpirt,
se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve.
4 Lum ata që vajtojnë,
se do të ngushëllohen.
5 Lum të butët,
se do të trashëgojnë tokën.
6 Lum të uriturit e të eturit për drejtësi,
se do të ngihen.
7 Lum të mëshirshmit,
se do të mëshirohen.
8 Lum zemërdëlirët,
se do të shohin Perëndinë.
9 Lum paqebërësit,
se do të quhen bij të Perëndisë.
10 Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,
se e tyre është mbretëria e qiejve.
11 Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin,
të thonë të gjitha të këqijat
kundër jush me gënjeshtra
për shkakun tim.
12 Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej.
Kështu përndoqën edhe profetët para jush».
Kripë dhe dritë
(Mk 9.50Lk 14.34-35)13 «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. 15 Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. 16 Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej».
Ligji i Moisiut
17 «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. 18 Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. 19 Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. 20 Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve».
Zemërimi
21 «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. 22 Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet , do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. 23 Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. 25 Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. 26 Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
Tradhtia bashkëshortore
27 «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. 28 Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. 29 Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. 30 Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë».
Divorci
(Mt 19.9Mk 10.11-12Lk 16.18)31 «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. 32 Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Betimi
33 «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. 34 Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. 36 Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. 37 Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu».
Shpagimi
(Lk 6.29-30)38 «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. 39 Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. 40 Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. 41 Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. 42 Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua».
Dashuria për armiqtë
(Lk 6.27-28, Lk 32-36)43 «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. 44 Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin, 45 që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. 46 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 47 Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve ? 48 Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor».
Predikimi në mal
1 Kur pa turmat, u ngjit në mal. U ul dhe nxanësit e vet iu avitën. 2 Atëherë hapi gojën dhe i mësonte tue thanë:
3 Lum skamnorët në shpirt,
se e tyne asht mbretnia e qiejve.
4 Lum vajtuesit,
se do të ngushëllohen.
5 Lum të prujtunit,
se do të trashëgojnë tokën.
6 Lu të dishruemit e të rreshkunit për drejtësi,
se do të ngihen.
7 Lum mëshiruesit,
se do të mëshirohen.
8 Lum zemërdëlirët,
se do të shohin Hyun.
9 Lum zejtarët e paqes,
se do të thirren bij të Hyut.
10 Lum të përndjekunit për shkak të drejtësisë,
se e tyne ash mbretnia e qiejve.
11 Lum ju kur t'ju shajnë, t'ju përndjekin e të thonë çdolloj ligësie kuindër jush në rrenë për shkakun tim. 12 Gëzohuni e lumnohuni, se shpërblimi juej asht i madh në qiej. Njësoj i përndoqën edhe profetët para jush.
Kripë e dritë
13 Ju jeni kripa e tokës. Por, nëse kripa çartet, me çka kripet? Nuk duhet asgja, përpos me u hedhë jashtë e me u shkelë prej njerëzve. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet një qytet i vumë në maje një mali. 15 Askush nuk ndez një kandil e mandej e ven nën magje, por përmbi dritëmbartëse, që të shndrisë të gjithë ata që gjenden në shtëpi. 16 Njësoj do të vezullojë drita juej faqe njerëzve, që të vërejnë veprat tueja të bukura e të lëvdojnë Atin tuej në qiej.
Ligji e profetët
17 «Mos pandehni që erdha për me zhba ligjin apo profetët. Nuk erdha për me zhba, por me plotësue. 18 Vërtet po ju them, derisa të zhduken qielli e toka, asnjë jotë e asnjë pikësim nuk do të zhduken prej ligjit, pa u krye gjithçka. 19 Prandaj, nëse dikush zhban një ma të voglin prej këtyne ligjeve dhe i mëson njerëzit poashtu, do të quhet ma i vogli në mbretninë e qiejve. Por, kushdo që i zbaton dhe i mëson, do të quhet i madh në mbretninë e qiejve. 20 Se unë po ju them: nëse drejtësia juej nuk asht ma e madhe se ajo shkrojësve e të farisejve, nuk hyni në mbretninë e qiejve».
21 «Keni ndëgjue se u ash thanë të lashtëve: mos vrit . Kush vret do të jetë i pandehun në gjyq. 22 Por unë po ju them: kushdo idhnohet me vëllanë e vet i takon me dalë në gjyq. Ai që i thotë vëllait "i çmendun", i takon me dalë para sinedrit. Ai që thotë "i marrë" i takon me u hedhë në Gehenën e zjarrtë. 23 Nëse e paraqet kushtimin tand mbi altar, dhe aty të bie ndërmend se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lene aty dhuratë tande, para altarit, e shko. Së pari pajtohu me vëllanë tand e atëherë eja e paraqit kushtimin. 25 Banu i mirëkuptueshëm me kundërshtarin tand shpejt, derisa të jesh në udhë me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të hidhesh në burg. 26 Vërtet po të them, nuk do të dalësh prej andej deri sa të japësh qindarkën e fundit».
Epshi dhe pastërtia
27 «Keni ndigjue se ka qenë thanë: mos u lavir . 28 Por unë po ju them: kush e shikon një grue me synimin me e dëshirue, asht lavirë me të në zemrën e vet. 29 Nëse syni i djathtë të bahet pengesë, nxirre e flake prej teje. Të volit me humbë një gjymtyrë, e mos me t'u hedhë tanë trupi në Gehenë. 30 E nëse dora jopte e djathtë të bahet pengesë, këpute e flake prej teje. Të volit me humbë një gjymtyrë e mos me t'u hedhë tanë trupi në gehenë».
Ndamja
31 «Ka qenë thanë: kush lëshon gruen, t'i japë dëshminë e ndamjes . 32 Por unë po ju them: kushdo që e lëshon gruen e vet, përveç rastit të kurvnimit, e shtyn me u lavirë, dhe, kushdo që martohet me një të lëshueme, laviret».
Betimi
33 «Prap, keni ndëgjue se u asht thanë të lashtëve: mos e the benë , por jepi Zotit çka je betue me i dhanë . 34 Por unë po ju them: mos u betoni fare, as për qiell, se asht froni i Hyut, 35 as për tokë, se asht mbështetësja e kambëve të tij, as për Jerusalemin, se asht qyteti i mbretit të madh. 36 Mos ban be as për kryet tand, se nuk ke mundësi as me zbardhë apo me nxi një fije floku. 37 Të folunit tuej të jetë "Po, po; "jo, jo". Çka asht përtej kësaj asht prej të ligut».
Hakmarrja
38 «Keni ndigjue se ka qenë thanë: sy për sy e dhamb për dhamb . 39 Por unë po ju them: mos iu kundërvini të ligut, por atij që të gjuen në faqen e djathtë, ktheja edhe tjetrën. 40 Atij që don me të hedhë në gjyq për me të marrë këmishën, falja edhe gunën. 41 Atij që të detyron me ecë një milje, ec dy milje me të. 42 Atij që të lyp, jepi. Atij që dëshiron hua prej teje, mos ia moho».
Armiqtë
43 «Keni ndëgjue se ka qenë thanë: dueje të afërmin dhe urreje armikun. 44 Por unë po ju them: duejini armiqtë tuej e lutuni për përndjekësit tuej, 45 që të baheni bij të Atit tuej, që asht në qiej, se ai e nalton diellin e tij mbi të ligj e mbi të mirë dhe e lëshon shiun mbi të drejtë e të padrejtë. 46 Nëse doni ata që ju duen, çfarë shpërblimi ju takon? A nuk bajnë të njajtën gja edhe tagrambledhësit? 47 E nëse përshëndetni vetëm vëllaznit tuej, çka bani ma shumë? A nu bajnë të njajtën gja edhe kombet? 48 Prandaj, jini të përkryem, sikurse asht i përkryem Ati juej qiellor».