Lëmosha
1 «Ruhuni të mos i bëni veprat e mira në sy të njerëzve për t'u dukur para tyre, se kështu nuk do të keni shpërblim tek Ati juaj që është në qiej. 2 Kur të japësh lëmoshë, mos trumbeto me të madhe për të tërhequr vëmendjen, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të marrin lëvdata nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre. 3 Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, 4 në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë».
Ati ynë
(Lk 11.2-4)5 «Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 6 Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. 7 Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. 8 Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. 9 Prandaj ju lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiej,
u shenjtëroftë emri yt,
10 ardhtë mbretëria jote,
u bëftë vullneti yt,
si në qiell, edhe në tokë.
11 Bukën tonë të përditshme
na e jep sot.
12 Na i fal detyrimet tona,
siç edhe ne ua falëm detyruesve tanë .
13 E mos na vër në sprovë ,
por na çliro nga i ligu.
14 Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, 15 por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato».
Agjërimi
16 «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 17 Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, 18 që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë ».
Thesari në qiell
(Lk 12.33-34)19 «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. 20 Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t'i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. 21 Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote».
Drita e trupit
(Lk 11.34-36)22 «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23 Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!».
Perëndia dhe Mamoni
(Lk 16.13)24 «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Kujdesi dhe ankthi
(Lk 12.22-34)25 «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? 26 Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë? 27 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 28 Po për veshjet, përse shqetësoheni? Shikoni si rriten zambakët e fushave. Ata as nuk lodhen e as nuk endin, 29 por unë po ju them se as vetë Solomoni, në gjithë madhështinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 30 Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? 31 Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. 32 Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë edhe ato gjëra. 34 Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen. E nesërmja ka shqetësimet e veta. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet».
Lëmosha
1 «Kujdes! Mos e kryeni drejtësinë tuej faqe njerëzve, me qëllim që ata t'ju vërejnë. Përndryshe nuk do të keni shpërblim prej Atit tuej që asht në qiej. 2 Prandaj, kur të japësh lëmoshë, mos i fryj borisë para vetes, sikurse bajnë dyfytyrëshat nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të lëvdohen prej njerëzve. Vërtet po ju them: e kanë marrë shpërblimin e vet. 3 Por ti, kur të japësh lëmoshë, mos ta dijë e majta çka ban e djathta, 4 që lëmosha jote të të metet në mshehtësi. E Ati yt, që shikon në mshehtësi, ka me ta kthye».
Lutja
5 «Kur të luteni, mos u bani si dyfytyrështat, të cilëve ua ka anda me u lutë më kambë nëpër sinagoga e nëpër udhëkryqet e shesheve, me dukë para njerëzve. Vërtet po ju them: e kanë marrë shpërblimin e vet. 6 Por ti, kur të lutesh, hyn në dhomën tande të mshehtë e, mbasi ta kesh ndrye derën tande, lutju Atit tand në mshehtësi. E Ati yt, që shikon në mshehtësi, do të të shpërblejë. 7 Por, kur të luteni, mos thoni fjalë të kota, si kombet. Ata pandehin se do të ndëgjohen prej fjalëve të tyne të shumta. 8 Mos u përngjani atyne. Aty juej e din për çka keni nevojë para se t'ia kërkoni. 9 Prandaj ju lutuni kështu:
Ati ynë, që je në qiej,
u shejtnoftë emni yt,
10 ardhtë mbrentia jote,
u baftë vullnesa jote,
si në qiell, edhe në tokë.
11 Bukën tonë të mbiqenësishme
na e jep sot.
12 Na i fal detyrimet tona,
sikurse edhe ne ua falim detyruesve tanë.
13 E mos na ven në sprovë,
por na liro nga i ligu.
14 Se, nëse ua falni njerëzve shkeljet e tyne, Ati juej qiellor do t'jua falë edhe juve. 15 Por, nëse nuk ua falni njerëzve, as Ati juej nuk du t'jua falë shkeljet tueja».
Njinesa
16 «Kur të njinoni, mos u ngrysni si dyfytyrëshat. Ata i ngërdheshin fytyrat për me u dukë para njerëzve se janë tue njinue. Vërtet po ju them: e kanë marrë shpërblimin e vet. 17 Por ti, kur të njinosh, lyeje kryet me voj e dlire fytyrën, 18 që të mos dukesh tue njinue para njerëzve, por para Atit tand në mshehtësi. E Ati yt, që sheh në mshehtësi, do të të shpërblejë».
Thesari në qiell
19 «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku tenja e ndryshku brejnë e ku vjedhësit depërtojnë e vjedhin, 20 por mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja, as ndryshku nuk brejnë e ku vjedhësit nuk depërtojnë, as vjedhin. 21 Se, ku asht thysari yt, aty asht edhe zemra jote».
Drita e trupit
22 «Drita e trupit asht syni. Prandaj, po të jetë shëndosh syni yt, tanë trupi yt do të jetë i shndritun. 23 Por, po të jetë keq syni yt, tanë trupi yt do të jetë i errët. Atëherë, nëse drita që asht në ty asht terr, sa do të jetë errësina!».
Dy zotnitë
24 «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotnive, se, ose njënin do ta urrejë e tjetrin do ta dojë, ose njënit do t'i përkushtohet e tjetrin do ta shpërfillë. Nuk mund t'i shërbeni Hyut e mamonës».
Ngushtimet e brengat
25 «Prandaj po ju them: mos u angështoni për jetesën tuej, se çka të hani e çka të pini. As për trupin tuej, se çka të vishni. A nuk asht jeta ma e randësishme se ushqimi e trupi se petku? 26 Vëreni zogjtë e qiellit, që nuk mbjellin, nuk korrin, nuk grumbullojnë nëpër qilarë e Ati juej qiellor i ushqen. A nuk vleni ju ma shumë e ata. 27 Kush prej jush, tue u angështue, mund t'i shtojë një pëllambë jetëgjatësisë së vet? 28 E për petkun, pse angëshshtoheni? Vrojtoni lilat e arës si rriten. Nuk mundohen, as thurin. 29 Por unë po ju them se as Solomoni në tanë lavdinë e vet nuk ishte mbështjellë si njëni prej tyne. 30 Nëse barin e arës, që sot asht e nesër hidhet në furrë, Hyu e stolis kështu, a nuk do të bajë shumë ma shumë për ju, besimpaktë? 31 Mos u angështoni, pra, tue thanë: "Çka të hamë?", apo: "Çka të pimë?", apo: "Çka të veshim?". 32 Të gjitha këto i kërkojnë kombet. Ati juej qiellor e din se keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni ma parë mbretninë e Hyut e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë shtesë edhe të gjitha këto. 34 Mos u angështoni, pra, për të nesërmen, se e mesërmja angështohet vetë për veten».