Vendimi për ta kapur
(Mk 14.1-2Lk 22.1-2Gjn 11.45-53)
1 Kur mbaroi së thëni këto fjalë, Jezui u tha dishepujve: 2 «Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar».
3 Atëherë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e pallatit të kryepriftit që quhej Kajafa 4 dhe së bashku vendosën ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. 5 Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».
Lyerja me mirrë
(Mk 14.3-9Gjn 12.1-8)
6 Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. 7 Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij. 8 Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9 Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë e paratë t'u jepeshin të varfërve». 10 Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha: «Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 11 Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë. 12 Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim. 13 Me të vërtetë po ju them se kudo të shpallet ky ungjill, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Juda përgatit tradhtinë
(Mk 14.10-11Lk 22.3-6)
14 Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 e u tha: «Çfarë do të më jepni po t'jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. 16 Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Përgatitja e Pashkës
(Mk 14.12-21Lk 22.7-14, Lk 21-23Gjn 13.21-30)
17 Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, dishepujt erdhën te Jezui e i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?». 18 Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani e i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”». 19 Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën Pashkën.
20 Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët 21 e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». 22 Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». 23 Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. 24 Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». 25 Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».
Darka e Zotit
(Mk 14.22-26Lk 22.15-201Ko 11.23-25)
26 Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». 27 Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. 28 Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. 29 Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim».
30 Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mk 14.27-31Lk 22.31-34Gjn 13.36-38)
31 Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar:
do të godas bariun
dhe delet e tufës do të shpërndahen.
32 Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». 33 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». 34 Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 35 Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt.
Lutja në Gjetsemani
(Mk 14.32-42Lk 22.39-46)
36 Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». 37 Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. 38 Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». 39 Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti».
40 Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? 41 Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 42 Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!».
43 Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. 44 Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë.
45 Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 46 Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
Tradhtia dhe kapja
(Mk 14.43-50Lk 22.47-53Gjn 18.3-12)
47 Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. 48 Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». 49 Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. 50 Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. 51 Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 52 Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53 A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?».
55 Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. 56 Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën.
Para sinedrit
(Mk 14.53-65Lk 22.54-55, Lk 63-71Gjn 18.13-14, Gjn 19-24)
57 Pastaj, ata që e kishin kapur e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa ku ishin mbledhur shkruesit e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë.
59 Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, 60 por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta 61 e thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë e ta ndërtoj për tri ditë”».
62 Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 63 Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?». 64 Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them se
që tani e tutje
do ta shihni Birin e njeriut
të ulur në të djathtën
e Perëndisë së pushtetshëm,
duke ardhur mbi retë e qiellit ».
65 Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë. 66 Çfarë mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67 Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë e ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka 68 e i thoshin: «Gjeje kush të goditi, o Krisht?».
Mohimi i Pjetrit
(Mk 14.66-72Lk 22.56-62Gjn 18.15-18, Gjn 25-27)
69 Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70 Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thua!». 71 Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër e u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit». 72 Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri». 73 Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Patjetër je një prej tyre se dukesh nga e folmja». 74 Pastaj Pjetri filloi të mallkonte e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri».
Atë çast këndoi gjeli 75 dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.
Shestimi kundër Jezusit
1 Kur Jezusi i kreu të gjitha këto fjalë, u tha nxanësve të vet: 2 «Ju e dini se mbas dy ditësh vijnë Pashkët dhe Biri i njeriut asht tue u dorëzue për me u kryqëzue».
3 Atëherë kryepriftënt dhe pleqtë e popullit u mblodhën në tremen e pallatit të kryepriftit, që quhej Kajafa, 4 e morën vendimin e përbashkët me e kapë Jezusin me dredhi, për ta vra. 5 Por thonin: «Jo gjatë festës, që të mos ketë rropatje në popull».
Vojimi i Jezusit
6 Kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të gërbulun, 7 iu avit një grue, me një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme, dhe ia dikoi mbi krye, kur ai ishte në tryezë. 8 Nxnësit e panë dhe u zemrëuen e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9 Mundte me u shitë shtrejtë, për me u dhanë të varfënve». 10 Por Jezusi, tue e ditë, u tha: «Pse po i qitni punë kësa grueje? Vepër të bukur bani ajo për mue. 11 Të varfnit i keni gjithmonë me ju, por mue nuk më keni gjithmonë. 12 Tue dikue këtë mirrë mbi trupin tim, bani çka lypet për varrim. 13 Vërtet po ju them, kudo të kumtohet ky ungjill, në mbarë botën, do të përflitet edhe çka bani ajo, në kujtim të saj».
Juda pajtohet për tradhti
14 Atëherë, njeri prej të dymbëdhjetëve, i quejtuni Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftënt 15 e u tha: «Çka doni me më dhanë e unë do t'jua dorëzoj?». E i caktuen tridhjetë monedha argjendi. 16 Qysh atëherë kërkonte rastin e volitshëm për ta dorëzue.
Përgatitja e Pashkëve
17 Ditën e parë të bukëve të pambrueme nxanësit iu afruen Jezusit e i thanë: «Ku dëshiron ta bajmë gati për ty darkën e Pashkëve?». 18 Ai u tha: «Shkoni në qytet, te filani, e i thoni: “Mësuesi thotë: Koha ime asht afër. Te ti po i baj Pashkët, me nxanësit e mi”». 19 Nxanësit vepruen si i urdhnoi Jezusi dhe përgatitën Pashkët
20 Kur ra mbramja, u ul shtrue me të dymbëdhjetët. 21 Kur ishin tue hangër, tha: «Vërtet po ju them, njeni prej jush do të më dorëzojë». 22 Ata u trishtuen shumë e nisën tue e pyet, njeni mbas tjetrit: «Nuk jam unë, Zot?». 23 Ai u përgjigj: «Ai që zhyti dorën në kupë me mue, ai do të më dorëzojë. 24 Biri i njeriut po shkon, si asht shkrue për të, por mjerë ai njeri, prej të cilit po dorëzohet Biri i njeriut! Do t'i kishte pasë hije të mos kishte lindë ai njeri». 25 Juda, ai që po e dorëzonte, ia ktheu: «Nuk jam unë, rabbi?». Ai i tha: «E the vetë».
Darka e Zotit
26 Tue hangër, Jezusi mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxanësve e tha: «Merrni, hani, ky asht trupi im». 27 Mandej mori kelkun, u falënderue e ua dha, tue thanë: «Pini prej tij të gjithë. 28 Ky asht gjaku imi besëlidhjes, që derdhet për hir të shumtëve, për faljen e mëkateve. 29 Por, po ju them, nuk do të pi ma, qysh tash, nga kjo dhunti i hardhisë, deri atë ditë, kur do ta pi me ju, të re, në mbretëninë e Atit tim».
30 Dhe, mbasi kënduen himnin, dolën drejt Malit Ullijve.
Parashikimi i mohimit të Pjetrit
31 Atëherë Jezusi u tha: «Të gjithë ju do të birreni prej meje këtë natë, sepse asht e shkrueme:
Do të godas bariun
e delet e grigjës do të turiten.
32 Por, mbasi të ngjallem, do t'ju prij në Galile». 33 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të birren prej teje, unë nuk do të burrem kurrë». 34 Jezusi i tha: «Vërtet po të them se, këtë natë, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më shpërnjohësh». 35 Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të shpërnjoh». Kështu thanë të gjithë nxanësit.
Lutja në Gjetseman
36 Atëherë Jezusi me ta në një vend që quhet Gjetsemani e u tha nxanësve: «Uluni këtu, ndërsa unë po shkoj me u lutë atje». 37 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi me u trishtue e me u angështue. 38 Mandej u tha: «Shpirti im asht i trishtuem deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuet me mua». 39 Shkoi pak ma andej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, nëse asht e mundun, ma largo këtë kelk. Megjithatë, jo si due unë, por si të duesh ti».
40 Erdhi te nxanësit dhe i gjeti fjetë. I tha Pjetrit: «Nuk ia dolët me ndejtë zgjuet me mue veç një orë? 41 Rrini zgjuet e lutuni mos me hy në sprovë, se shpirti asht i vrullshëm, por mishi asht i dobët». 42 Shkoi prap për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse ky kelk nuk mund të shmanget pa e pi, u baftë vullneti yt!».
43 Kur u kthye, i gjeti prap fjetë, se u ishin randue sytë. 44 I la sërish dhe shkoi e u lut për të tretën herë, tue thanë prap të njëjtat fjalë.
45 Atëherë erdhi te nxanësit e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, u afrue ora e Biri i njeriut po u dorëzohet në duert e mëkatarëve. 46 Çohuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më dorëzon».
Dorëzimi dhe kapja
47 Ishte ende tue folë dhe, ja, erdhi Juda, njeni prej të dymbëdhjetëve, me një turmë të madhe, me shpata e shtaga, të dërguem nga kryepriftënt e pleqtë e popullit. 48 Tradhtari u kishte dhanë këtë shenjë: «Kë të puth unë, ai asht. Atë kapni!». 49 E menjëherë iu afrue Jezusit e i tha: «Të falem, rabbi!». Dhe e puthi. 50 Jezusi i tha: «Shok, për këtë je këtu». Atëherë u afruen, vunë dorë mbi Jezusin dhe e kapën. 51 Dhe ja, njeni prej atyne që ishin me Jezusin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i këputi veshin. 52 Atëherë Jezusi i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet. Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53 A mendoni se nuk mundem me iu lutë Atit tim me më dërgue fill ma shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Por, si do të plotësoheshin shkrimet, që thonë se kjo duhet të ndodhë?».
55 Në atë kohë Jezusi u tha turmave: «Erdhët si për një cub, me më marrë me shpata e shtaga? Çdo ditë rrija tue mësue në tempull e nuk më kapët. 56 Por gjithë kjo ndodhi që të plotësohen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë nxanësit e lanë e ikën.
Jezusi para sinedrit
57 Ata që e kishin kapë, e çun te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhë shkrestarët e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi prej së largu deri te tremja i pallatit të kryepriftit. Hyni mbrenda dhe ul me shërbëtorët, me pa përfundimin.
59 Kryepriftënt dhe krejt sinedri lypnin dëshmi të rreme kundër Jezusit, që ta vritnin, 60 por s'gjetën gja, megjithëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Përfundimisht u paraqitën dy vetë 61 e thanë: «Ky ka thanë: “Mundem me e shkatërrue tempullin e Hyut dhe me e ndërtue mbas tri ditësh”».
62 U çue kryeprifti e tha: «Nuk përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?». 63 Por Jezusi heshtte. Kryeprifti i tha: «Të përbej pash Hyun e gjallë me na thanë a je ti Krishti, Biri i Hyut?». 64 Jezusi i tha: «Vetë e the. Megjithatë, po ju them
prej tashit
do ta shihni Birin e njeriut
ndejun në të djathtën
e Hyut së fuqishëm,
dhe tue ardhë mbi retë e qiellit ».
65 Atëherë kryeprifti shqeu petkat e tha: «Blasfemoi! Ç'na nevojitet me pasë dëshmitarë? Sapo e ndigjuet blasfeminë. 66 Çka mendoni?». Ata u përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67 Atëherë filluen ta pështynin në fytyrë e ta rrihnin. Disa e gjuenin me shpulla 68 e i thoshin: «Profetizo, o Krisht! Kush po të qëllon?».
Mohimi i Pjetrit
69 Pjetri ishte ulë përjashta në treme. Iu afrue një shërbëtore e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70 Por ai e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thue!». 71 Kur po dilte drejt portikut, e vërejti një shërbëtore tjetër e u tha atyne që gjendeshin aty: «Ky ishte me Jezusin e Nazaretit». 72 Por Pjetri e mohoi rishtas me be: «Nuk e njoh njeriun». 73 Mbas pak, të pranishmit iu afruen Pjetrit e i thanë: «Vërtet je një prej tyne, se edhe e foljma të zbulon». 74 Por Pjetri filloi me mallkue e me u betue: «Nuk e njoh njeriun».
Menjëherë këndoi gjeli 75 e Pjetrit iu kujtuen fjalët e Jezusit, që i kishte thanë: «Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh». Doli jashtë e qau idhtë.