Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem
(Mk 11.1-11Lk 19.28-38Gjn 12.12-19)
1 Kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj përpara 2 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe menjëherë do të gjeni të lidhur një gomaricë e një kërriç. Zgjidhini e sillini tek unë. 3 Nëse ju thotë gjë njeri, i thoni: “Zoti ka nevojë për ta e do t'jua kthejë menjëherë”». 4 Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit:
5 i thoni bijës së Sionit:
ja, po vjen te ti mbreti yt,
plot butësi, hipur mbi një gomaricë
e një kërriç, të voglin e gomaricës.
6 Dishepujt shkuan e vepruan siç i urdhëroi Jezui. 7 Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to. 8 Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë. 9 Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij, thërrisnin:
«Hosana birit të Davidit,
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
Hosana në lartësitë e qiejve!».
10 Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?». 11 Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».
Pastrimi i tempullit
(Mk 11.15-19Lk 19.45-48Gjn 2.13-22)
12 Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. 13 Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
do të quhet shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
14 Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbrit e të çalët dhe ai i shëronte. 15 Por kryepriftërinjtë e shkruesit, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan 16 e i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi ». 17 Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.
Mallkimi i fikut
(Mk 11.12-14, Mk 20-24)
18 Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria. 19 Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënç më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast. 20 Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?». 21 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim e të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t'i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte. 22 Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni».
Pushteti i Jezuit
(Mk 11.27-33Lk 20.1-8)
23 Jezui kishte hyrë në tempull e po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». 24 Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. 25 Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 26 Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». 27 Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Dy djemtë
28 «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot”. 29 Ai iu përgjigj: “Nuk dua”. Por më vonë u pendua e shkoi. 30 Shkoi te djali tjetër e i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi. 31 Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?».
Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë. 32 Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë e ju nuk i besuat, por tagrambledhësit e laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje e nuk besuat».
Vreshtit dhe vreshtarët
(Mk 12.1-12Lk 20.9-19)
33 «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: i zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj. 34 Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit. 35 Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. 36 U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta. 37 Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. 38 Por kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t'i marrim trashëgiminë”. 39 Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?». 41 Ata i thanë: «Do t'i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t'ua japë vreshtarëve të tjerë që do t'ia japin të vjelat në kohën e duhur». 42 Jezui u tha: «A nuk keni lexuar kurrë në Shkrime:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes.
Kjo është vepra e Zotit
dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ».
43 Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do të japë fryte në të. 44 Kushdo që bie mbi këtë gur do të copëtohet dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë».
45 Kur kryepriftërinjtë e farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e Jezuit, e kuptuan se po fliste për ta 46 dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turma që e mbante Jezuin për profet.
Hymja në Jerusalem
1 Kur iu afruen Jerusalemit e mbërritën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy nxanës 2 e u tha: «Shkoni në fshatin kundruell jush e menjëherë do të gjeni lidhun një gomaricë me një visk. Lirojini e m'i sillni mue. 3 Nëse ndokush ju thotë gja, thoni: "Zoti ka nevojë për ta. Do t'i nisë menjëherë"». 4 Kjo ndodhi që të plotësohej çka qe thanë me anë të profetit:
5 thuejiuni bijës së Sionit:
ja, mbreti yt po vjen te ti,
i butë e kaluer mbi gomaricë,
e në një visk, zog të kafshës bartore.
6 Nxanësit shkuen e banë siç i urdhnoi Jezusi. 7 I grahën gomaricës me visk, hodhën petkat mbi ta dhe e ulën Jezuin mbi ta.
8 Një turmë e gjanë shtroi në rrugë petkat e veta e disa të tjerë këputnin degët e pemëve e i shtronin në rrugë. 9 Turmat që i prinin dhe ata që e ndiqnin, bërtitnin:
«Hosana birit të Davidit,
bekue ai që vjen në emën të Zotit,
Hosana në naltësi !».
10 Kur hyni në Jerusalem, u trazue mbarë qyteti e thonin: «Kush asht ky?». 11 Turmat thonin: «Ky asht profeti Jezus, ai nga Nazareti i Galilesë».
Pastrimi i tempullit
12 Jezusi hyni në tempull e qiti jashtë të gjithë ata që ishin tue shirtë e tue ble në tempull. Përmbysi edhe tryezat e këmbyesve, edhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. 13 Dhe u tha: «Asht e shkrueme:
shtëpia ime
do të thirret shtëpi lutjeje ,
por ju batë shpellë cubash».
14 Në tempull, iu afruen të verbtë e të çalë dhe ai i shëronte. 15 Por, kryepriftënt e shkrestarët, tue pa mrekullitë që bani dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u tërbuen 16 e i thanë: «A ndigjon çka po thonë këta?». Jezusi u tha: «Po. A nuk e keni lexue kurrë: nga goja e fëmijëve dhe e ferishteve do ta gatitësh lëvdimin ?». 17 Atëher i la e doli përjashta qytetit, në Betani. E atje e kaloi natën.
Mallkimi i fikut
18 Në nadje, tue u kthye në qytet, e zuni uria. 19 Kur pa një fik anës rrugës, iu afrue, por nuk gjeti asgja, përveç gjetheve, prandaj i tha: «Mos daltë ma fryt prej teje deri në amshim!». E fiku u tha përnjëherësh. 20 Kur nxanësit e panë, u mahnitën e thanë: «Si u tha përnjëherësh fiku?». 21 Jezusi u përgjigj: «Vërtet po ju them, po të keni besim e të mos ndërdysheni, nuk do t'i bani fikut vetëm këtë, por, po t'i thoni këtij mali "çohu e hidhu në det", do të ndodhë. 22 Çkado të lypni në lutje me besim, do ta merrni».
Pushteti i Jezuit
23 Kur hyni në tempull e po mësonte, kryepriftënt e pleqtë iu afruen dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i ban këto? Kush ta ka dhanë këtë pushtet?». 24 Jezusi u tha: «Edhe unë do t'ju pyes për një çështje. Nëse më përgjigjeni, edhe unë do t'ju them me ç'pushtet i baj këto. 25 Pagëzimi i Gjonit, prej kah vinte? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Por ata mendonin me vete: «Po të themi "Prej qiellit", do të na thotë: "Pse, pra, nuk i besuet?". 26 Po të themi "Prej njerëzve", i druhemi turmës, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». 27 Prandaj iu përgjigjen Jezusit: «Nuk e dimë». E ai u tha: «As unë nuk ju them me ç'pushtet i baj këto».
Dy djem, dy përgjigje
28 «Si mendoni? Një njeri kishte dy djem. Shkoi e i tha të parit: "Bir, shko sot e puno në vresht". 29 Ai iu përgjigj: "Nuk due". Por, mbasandej, u ndërroi mendje e shkoi. 30 Shkoi te tjetri e i tha poashtu. Ai iu përgjigj: "Po, zot". E nuk shkoi. 31 Cili prej të dyve kreu vullnetin e atit?». I thanë: «I pari». Jezusi u tha: «Vërtet po ju them se tagrambledhësit dhe laviret shkojnë para jush mbretërinë e Hyut. 32 Se erdhi Gjoni te ju në udhën e drejtësisë, por nuk i besuet, mirëpo tagrambledhësit dhe laviret i besuen. Ndërsa ju patë e nuk ndërruet mendje mandej, për me i besue».
Vreshtarët e mbrapshtë
33 «Ndigjoni një tjetër shëmbëlltyrë. Një kryeshtëpiak mbolli një vresht, i vuni gardhin rrotull, hapi një gropë për tork, nëdrtoi një kullë, ua dorëzoi bujqve dhe u nis për udhë. 34 Kur u afrue koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te bujqit, me marrë të vjelat e veta. 35 Por bujqit i morën shërbëtorët e tij dhe dikë e rrahën, dikë e vranë e dikë e mbytën me gurë. 36 Prapë u dërgoi shërbëtorë të tjerë, ma shumë se të parët, popr vepruen njësoj me ta. 37 Në fund u dërgoi të birin, tue thanë: "Me tim bir do të sillen mirë". 38 Por, bujqit, kur panë birin, thanë me vete: "Ky asht trashëgimtari. Ejani ta vrasim e të marrim në pronë trashëgiminë e tij". 39 E kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t'u bëjë këtyne bujqve?». 41 Ata i thanë: «Do t'i rrënojë keqas dhe vreshtin do t'ua japë bujqve të tjerë, të cilët që do t'ia dorëzojnë të vjelat në kohën e tyne». 42 Jezusi u tha: «A nuk keni lexue kurrë në Shkrime:
guri, që ndërtuesit e përjashtuen,
u ba guri i qoshes.
Prej Zotit erdhi kjo
dhe asht mahnitëse për sytë tanë ?».
43 Prandaj po ju them: «Mbretnia e Hyut do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do t'ia qesë. 44 Kush bjen mbi këtë gur, do të copëtohet. Nëse ai bjen mbi dikënd, do ta shtypë».
45 Kur kryepriftënt dhe farisejtë i ndigjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta 46 dhe lypnin me e kapë, por u trembeshin turmave, që e mbanin për profet.