Për shkatërrimin e tempullit
(Mk 13.1-2Lk 21.5-6)
1 Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. 2 Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Fillimi i fundit
(Mk 13.3-13Lk 21.7-19)
3 Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». 4 Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, 5 se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. 6 Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi.
7 Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, 8 por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. 9 Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. 10 Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. 11 Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. 12 Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. 13 Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. 14 Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi».
Shkretimi i madh
(Mk 13.14-23Lk 21.20-24)
15 «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, 16 atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 17 Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 18 Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 19 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë!
20 Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. 21 Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 22 Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen.
23 Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 24 Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, 25 por, ja, unë ju paralajmërova. 26 Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. 27 Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. 28 Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mk 13.24-27Lk 21.25-28)
29 «Fill pas pikëllimit të atyre ditëve,
dielli do të errësohet
e hëna nuk do të japë dritë.
Yjet do të bien nga qielli
e pushtetet qiellore
do të tranden.
30 Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. 31 Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës».
Mësimi nga fiku i tharë
(Mk 13.28-31Lk 21.29-33)
32 «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 33 Kështu edhe ju kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 34 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 35 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora e fshehtë
(Mk 13.32-37Lk 17.26-30, Lk 34-36)
36 «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. 37 Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. 38 Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë, 39 dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja e i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
40 Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 41 Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet. 42 Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini në ç'ditë vjen Zoti. 43 Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. 44 Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni».
Dy shërbëtorët
(Lk 12.41-48)
45 «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 47 Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 48 Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet” 49 dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë e ha e pi me të dehurit, 50 atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret e në orën që ai nuk e di, 51 do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
Profeci për shkatërrimin e tempullit
1 Kur Jezusi doli nga tempulli e po largohej, u afruen nxanësit e i treguen ngrehinat e tempullit. 2 Ai u tha: «I shihni të gjitha këto? Vërtet po ju them: nuk do të mbesë gur mbi gur pa u shembë».
Fillimi i fundit
3 Kur rinte ulun në Malin e Ullijve, iu afruen nxanësit e i thanë, më vete: «Na thuej, kur do të ndodhin këto dhe cila asht shenja e pranisë sate dhe e sosjes së botës?». 4 Jezusi u tha: «Ruhuni të mos ju mashtrojë kush, 5 se shumë do të vijnë në emnin tim tue thanë: "Unë jam Krishti" e do të mashtrojnë shumë vetë. 6 Keni me ndigjue luftna e tinguj luftnash. Ruej se tronditeni. Duhet të ndodhë, por nuk asht ende fundi. 7 Do të çohet një komb kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie dhe do të të ketë zi buke e tërmete vende-vende, 8 por këto do të jenë fillimi mundimeve. 9 Do t'ju fusin në trishtim, do t'ju vrasin e do të jeni të urryem prej të gjitha kombeve për shkak të emnit tim. 10 Atëherë shumë vetë do të birren, do të dorëzojnë e do të urrejnë njeni-tjetrin. 11 Do të ngrihen shumë profetë të rremë dhe do të mashtrojnë shumë vetë. 12 Për shkak të shtimit të mbrapshtisë, do të firojë dashnia e shumëve. 13 Por, kush duron deri në fund, ai do të shpëtohet. 14 Ky ungjill i mbretnisë do të kumtohet në mbarë botën, si dëshmi për të gjitha kombet. E, atëherë, do të jetë fundi».
Shkretimi i madh
15 «Kur të shihni pështjellimin e shkretimit, që qe thanë prej Danielit profet, tue ndejtë në vendin e shenjtë - kush lexon, ta kuptojë - 16 atëherë, ata që janë në Jude të marrin malet. 17 Kush të jetë mbi pullaz, të mos zbresë me marrë gja nga shtëpia e vet! 18 Kush të jetë në arë, të mos kthehet me marrë zhgunin! 19 Mjerë shtatzanat lehonat në ato ditë! 20 Lutuni të mos ndodhë në dimën apo të shtunën arratia juej. 21 Atëherë do të ndodhë një pikëllim aq i madh, sa nuk asht pa nga fillimi i botës e deri tani dhe nuk do të ndodhë ma. 22 Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte kush. Por, për hir të të zgjedhunve, ato ditë do të shkurtohen.
23 Atëherë, nëse dikush ju thotë: "Ja, këtu, Krishti!", ose: "Këtu!", mos besoni. 24 Do të ngrihen krishta të rremë e profetë të rremë e do të bajnë shenja të mëdha e mrekulli, saqë, po të jetë e mundun, do të mashtrojnë edhe të zgjedhunit. 25 Ja, unë ju paralajmërova. 26 Nëse ju thonë: "Ja, asht në shkretinë!", mos dilni. "Ja, asht në dhomën e mshehtë!", mos besoni. 27 Porsi vetima, që del prej lindjes e vezullon deri në perëndim, e tillë do të jetë prania e Birit të njeriut. 28 Ku ka kufomë, aty mblidhen orrlat».
Ardhja e Birit të njeriut
29 «Menjeherë mbas pikëllimit të atyne ditëve,
dielli do të erret
e hana nuk do të lëshojë rreze.
Yjet do të rrëzohen nga qielli
e fuqitë qiellore do të tranden.
30 Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut e atëherë do të mbajnë zi të gjitha fiset e tokës e do të shohin Birin e njeriut, tue ardhë mbi retë e qiellit me fuqi e lavdi të madhe. 31 Do t'i dërgojë engjëjt e tij me bori të madhe e do t'i mblëedhin të zgjedhunit e tij nga të katër ernat, prej një skaji të qiellit në tjetrin».
Shëmbëlltyra e fikut
32 «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Kur i njomet dega e qet gjethe, e dini se po afrohet vera. 33 Kështu edhe ju, kur t'i shihni të gjitha këto, dijeni se asht afër, te dera. 34 Vërtet po ju them se nuk do të kalojë kjo brezni derisa të ndodhin të gjitha këto. 35 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora e mshehtë
36 «Për atë ditë e atë orë, askush përveç Atit nuk ka dijeni, as engjëjt e qiejve, as Biri. 37 Porsi koha e Noehut, kështu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. 38 Sikurse gjatë atyne ditëve, përpara përmbytjes, hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyni në arkë, 39 e nuk dinin gja, derisa ia behu përmbytja e i shoi, kështu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. 40 Atëherë, dy vetë do të jenë në arë. Njen do të merret dhe tjetri do të lihet. 41 Dy veta do të bluejnë në mulli. Njena do të merret e tjetra do të lihet. 42 Prandaj, rrini zgjuet, se nuk e dini në cilën ditë vjen Zoti juej. 43 Merreni vesh këtë: Po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilin rend vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuet e nuk do të linte t'i thyhej shtëpia. 44 Prandaj edhe ju rrini gati, se Biri i njeriut vjen në orën që nuk e mendoni».
Shërbëtori besnik dhe ai i mbrapshtë
45 «Cili, pra, asht ai shërbëtor besnik e i urtë, të cilin i zoti e ka caktue në krye të shërbëtorëve të tjerë, me u dhanë ushqimin në kohën e duhun? 46 Lum ai shërbëtor të cilin, kur të vijë i zoti, do ta gjejë tue veprue kështu 47 Vërtet po ju them se do ta caktojë mbi krejt plangun e vet. 48 Por, nëse shërbëtori i lig thotë në yemrën e vet: "Zotnia im vonohet" 49 e fillon me rrahë shërbëtorët e tjerë dhe han e pin me të dehunit, 50 i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret, në orën që ai nuk e din, 51 do ta dënojë ashpër dhe do t'i japë për hise me ndejtë me dyfytyrëshat. Aty do të ketë vajtim dhe kërcëllim dhambësh».