Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mk 1.1-8Lk 3.1-9, Lk 15-17Gjn 1.19-28)
1 Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. 2 Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». 3 Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë:
një zë thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4 Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër.
5 Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai 6 dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. 7 Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? 8 Jepni fryte të denja pendimi 9 dhe mos mendoni se do t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 10 Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 12 Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mk 1.9-11Lk 3.21-22)
13 Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij. 14 Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». 15 Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. 16 Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. 17 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur».
Kumti i Gjon Pagëzuesit
1 Në ato ditë u shfaq Gjon Pagëzuesi tue predikue në shkretinën e Judesë. 2 Thoshte: «Ndërroni mendje, se asht afrue mbretnia e qiejve!». 3 Ky asht ai për të cilin asht folë prej Isaisë profet:
Një za buçet në shkretinë:
gatitni udhën e Zotit,
drejtoni shtijet e tij.
4 Ky asht ai Gjoni që petkun e kishte prej leshit të devesë, me një brez lëkure rreth ijëve. Ushqimi i tij ishin karkalecat e mjalti i egër.
5 Asokohe dilnin tek ai Jerusalemi, tanë Judeja e mbarë rrethina e Jordanit 6 dhe pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, tue rrëfye mëkatet e veta. 7 Tue pa se shumë farisej e saducej vinin për arsye të pagëzimit të tij, ai u tha: «Pjellë neperkash! Kush ju vuni në dijeni, me i ikë idhnimit që po vjen? 8 Prandaj, qitni frytin e denjë të pendimit 9 e mos t'ju shkojë mendja me thanë me vete: "Kemi për atë Abrahamin". Unë po ju them: Hyu ka fuqi me i qitë fëmijë Abrahamit prej këtyne gurëve. 10 Qysh tash u asht vue sëpata rranjëve të pemëve. Secila pemë që nuk jep fryt të bukur, pritet e hidhet në zjarrm.
11 Veçse, unë po ju pagëzoj me ujë, për pendimin, por ai që vjen mbas meje ash ma i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as me i heqë sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë e me zjarrm. 12 Ai e ka në dorë terploten e do ta dlirë lamin e vet. Do ta mbledhë grunin e vet në ahër e bykun do ta djegë në zjarrin e pashueshëm».
Pagëzimi i Jezusit
13 Atëherë mbërriti Jezusi nga Galilea në Jordan, te Gjoni, për me u pagëzue prej tij. 14 Por Gjoni e ndali e i tha: «Unë kam nevojë me u pagëzue prej teje, e ti po vike te unë?». 15 E Jezusi iu përgjigj: «Prano tash, se ash me vend që ne të plotësojmë çdo drejtësi». Atëherë ai e pranoi. 16 Mbasi u pagëzue, Jezusi doli menjëherë prej ujit. E, ja, iu hapën qiejt e ai pa Shpirtin e Hyut tue zbritë porsi pëllumb e tue ardhë mbi të. 17 Dhe, ja, një za prej qielli thoshte: «Ky asht im bir, i dashtuni, ai që më pëlqen».